病毒---[bìng dú]---virus
Ministria e Jashtme e Kinës dënoi të martën akuzat e ShBA-së ndaj Kinës mbi gjurmimin e origjinës së virusit të COVID-19, duke thënë që këto akuza nuk ishin as të besueshme e as shkencore.
Më 2 gusht, Michael McCaul, kryetari i republikanëve në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të ShBA-së, publikoi një raport, sipas të cilit “ka dëshmi të qarta që virusi ka dalë nga Instituti i Virologjisë i Wuhan-it para shtatorit 2019”.
Lidhur me këtë, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës u shpreh: “Raporti është bazuar krejtësisht në gënjeshtra e fakte të shtrembëruara dhe nuk sjell asnjë dëshmi. Ky raport nuk është i besueshëm ose shkencor. Kongresmenët amerikanë kanë përbaltur dhe kanë sulmuar Kinën për përfitime politike. Ne shprehim kundërshtimin e prerë dhe dënimin e ashpër ndaj veprimeve të tilla që nuk kanë kufij moralë”.
Në muajin shkurt, një ekip i përbashkët ekspertësh Kinë-OBSh bëri vizitë në Institutin e Virologjisë të Wuhan-it dhe pati shkëmbime të thella mendimesh me ekspertët atje. Anëtarët e këtij ekipi e vlerësuan lart hapjen dhe transparencën e institutit, duke arritur përfundimin kryesor në raportin studimor se ka jashtëzakonisht pak gjasa për daljen e virusit nga laboratori.
“Më 2003, ShBA-ja përdori pluhurin larës si dëshmi për zotërimin e armëve të shfarosjes në masë nga Iraku. Nuk ka nevojë të shikojmë larg për të marrë një mësim dhe komuniteti ndërkombëtar nuk duhet ta lejojë përsëritjen e një gjëje të tillë,” tha zëdhënësi i MPJ-së kineze.
Ai vuri në dukje që manipulimet e ShBA-së për gjurmimin e origjinës së virusit kanë shkaktuar kundërshtime të mëdha në komunitetin ndërkombëtar.
Deri tani 70 vende kanë deklaruar kundërshtimin e tyre për politizimin e gjurmimit të origjinës së virusit dhe kanë theksuar rëndësinë e mbështetjes për raportin studimor Kinë-OBSh, duke i dërguar letra sekretarit të përgjithshëm të OBSh-së. Kjo tregon që njerëzit me shikim të qartë në botë mund ta dallojnë të drejtën nga e gabuara dhe ShBA-ja duhet të dëgjojë këta zëra të paanshëm dhe objektivë.
“Nëse kongresmenët amerikanë kanë qoftë edhe fare pak ndjenjë përgjegjësie për popullin e tyre, ata duhet ta nxisin qeverinë amerikane të publikojë të dhënat më të hershme të të prekurve nga sëmundja e pashpjegueshme e rrugëve të frymëmarrjes në Virxhinia dhe sëmundja e cigareve elektronike në Uiskonsin e Meriland në vitin 2019, si edhe të dhënat e ushtarakëve të sëmurë gjatë Lojërave Ushtarake Botërore në Wuhan,” tha zëdhënësi i diplomacisë kineze.
Ata duhet ta nxisin qeverinë amerikane të lejojë hetimet ndërkombëtare në laboratorin e Fort- Detrikut dhe mbi 200 biolaboratorët jashtë ShBA-së, shtoi ai.
“Për sa u përket të ashtuquajturave studime mbi ‘fitimin e funksionit’ lidhur me koronaviruset, ShBA-ja ka përdorur më shumë fonde dhe ka bërë më shumë prova në këtë fushë se vendet e tjera. Përse kongresmenët nuk përpiqen të gjejnë nëse ka pasur një studim të tillë në vendin e tyre dhe nëse ai mund të ketë krijuar koronavirusin e ri?” pyeti zëdhënësi.
Në fund ai u shpreh: “Me një fjalë, ne e nxisim ShBA-në të respektojë faktet e shkencën dhe të fokusohet te lufta kundër COVID19 e shpëtimi i jetëve dhe të mos vazhdojë më manipulimet politike duke shfrytëzuar epideminë dhe duke ua hedhur fajin të tjerëve”.