增长---[zēng zhǎng]---rritje
Një ekspert kinez u shpreh që deri në vitin 2025, vlera industriale e sistemit kinez të navigimit satelitor “Beidou” mund t’i kalojë 1 trilionë juanët (rreth 155 miliardë dollarë), duke zënë 20-25% të tregut global.
Kryeshkencëtari i Shoqatës së Sistemit Global të Navigimit Satelitor (GNSS) dhe Shërbimit të Bazuar në Vendndodhjen (LBS) të Kinës Cao Chong u shpreh për CGTN-in që viti 2020 ishte pikë kthese për “Beidou”-n, meqë përfundoi ndërtimi i këtij sistemi dhe fokusi u zhvendos tek industrializimi dhe zbatimi i tij në shkallë të gjerë.
Më 31 korrik 2020, në një ceremoni të zhvilluar në Pekin, presidenti kinez Xi Jinping deklaroi zyrtarisht që sistemi “Beidou-3” ka mbaruar së ndërtuari dhe është vënë në përdorim. Me këtë sistem të ri, përdoruesit mund të marrin shërbime, si pozicionimi me saktësi të lartë, navigimi dhe shërbimet e kohës.
Gjatë vitit të kaluar, “BeiDou” ka bërë përparim të rëndësishëm, u shpreh Cao, duke shtuar se shërbimet e këtij sistemi janë aplikuar në skenarë të shumtë në sektorë të ndryshëm dhe tani është koha që të shikohet potenciali i plotë i këtij sistemi.
Edhe pse ekonomia është ndikuar në mënyrë negative nga pandemia e COVID-19, vlera e industrisë së navigimit satelitor të Kinës arriti mbi 400 miliardë juanë në vitin 2020, duke shënuar rritje mesatare me më shumë se 20 % në vit.
“Në fakt, lufta antiepidemike kanë treguar rëndësinë e shërbimeve të përcaktimit të kohës dhe vendndodhjes. Me këto shërbime mund të kemi një ‘pikturë’ të përgjithshme për gjendjen epidemike dhe të marrim në kohë të dhënat e fundit për ndonjë ndryshim,” thotë Cao.
“P. sh., me kodin shëndetësor, të dhënat e mëdha nga tre operatorët kryesorë të Kinës, pra ‘China Mobile’, ‘China Unicom’ dhe ‘China Telecom’, janë lidhur bashkë, çka ka një ndikim të thellë,” shpjegon Cao Chong.
Kodi shëndetësor është një softuer në smartfonat që vlerëson rreziqet e ekspozimit të njerëzve ndaj COVID-19 bazuar në faktorë si historia e tyre e udhëtimit dhe kohëzgjatja e qëndrimit në zonat me rrezik. Ai ka luajtur një rol kyç në gjurmimin dhe ndalimin e zinxhirëve të transmetimit të virusit.
Deri tani, “Beidou” i Kinës, GPS i ShBA-së, GlONASS i Rusisë dhe “Galileo” i Europës janë katër sistemet kryesore të navigimit satelitor. GPS ndodhet në një pozicion mbizotërues.
Si një sistem i ri, industria e “Beidou” sapo ka filluar. Por Kina ka epërsinë e vet: një treg i madh vendas, me një numër të madh përdoruesish, thotë Cao.
“Nëse ‘Beidou’ dhe aplikimet e shërbimet përkatëse zhvillohen mirë në Kinë, ato do të jenë mjaft konkurruese në tregun global,” shtoi ai.(Jiang Lei)