护栏---[hù lán]---Mbrojtëse
Zv.ministri i Jashtëm i Kinës Xie Feng zhvilloi bisedime me zv.sekretaren amerikane të Shtetit Wendy Sherman të hënën në Tianjin të Kinës Veriore. Ky është dialogu i dytë i nivelit të lartë midis Kinës dhe ShBA-së pas takimit në fund të marsit në Anchorage të ShBA-së. Gjatë bisedimeve, pala kineze shtjelloi seriozisht qëndrimin parimor mbi marrëdhëniet kino-amerikane dhe e nxiti palën amerikane ta ndryshojë perceptimin e saj shumë të gabuar mbi Kinën, si dhe politikat e saj shumë të rrezikshme ndaj Kinës.
Qëndrimi i hapur dhe i sinqertë i palës kineze tregon qartazi preokupimet dhe propozimet e saj për ndryshimin e situatës jo të mirë në marrëdhëniet dypalëshe. Nga ky qëndrim, opinioni mund ta ketë më të qartë se, përgjegjësinë për gjendjen e vështirë të marrëdhënieve kino-amerikane duhet ta marrë plotësisht pala amerikane, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
Ka kaluar gjysmë viti që kur administrata e tanishme amerikane ka marrë detyrën, por ajo nuk i ka ndryshuar politikat e gabuara ndaj Kinës të administratës së mëparshme, përkundrazi, e ka frenuar Kinën në mënyrë të gjithanshme dhe ka ndërhyrë brutalisht në punët e brendshme të Kinës. Para vizitës së Shermanit në Kinë, pala amerikane pretendoi përsëri se do ta trajtojë Kinën duke u nisur nga i ashtuquajturi “pozicion i forcës”.
Këto janë veprime hegjemoniste arrogante, por kinezët nuk janë përulur në asnjë mënyrë para tyre, as në Anchorage, as në Tianjin, vijon komenti i CMG-së.
Nga njëra anë, kundrejt provokimeve të rrezikshme të palës amerikane në problemet si gjurmimi i burimit të COVID-19 dhe ato lidhura me Tajvanin, Xinjiang-un, Hong-Kongun dhe Detin e Kinës Jugore, pala kineze shprehu edhe një herë pakënaqësinë kategorike në bisedime, duke i kërkuar palës amerikane të ndalojë menjëherë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës, dëmtimin e interesave të Kinës, si dhe kundërvënien në grup nën pretekstin e vlerave.
Nga ana tjetër, pala kineze e nxiti palën amerikane ta ndryshojë perceptimin e saj "shumë të gabuar" ndaj Kinës dhe kjo është pika kyçe e vështirësisë në marrëdhëniet kino-amerikane. Një pjesë amerikanësh e konsideron Kinën si "armik imagjinar", duke menduar se, me frenimin e zhvillimit të Kinës, do të zgjidhen problemet e brendshme dhe të jashtme me të cilat përballet vendi i tyre. Kjo është me të vërtetë një "recetë" e gabuar, komenton CMG-ja.
Para këtyre bisedimeve, Shermani shprehu shpresën se, nëpërmjet vizitës së saj, do të vendosej një "mbrojtëse" në marrëdhëniet kino-amerikane, për të frenuar përkeqësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në fakt, parimet dhe dy "listat" e paraqitura nga pala kineze, janë "recetat" e nevojshme për palën amerikane dhe gjithashtu "mbrojtësja" e vërtetë e marrëdhënieve kino-amerikane.
Konkretisht, në këto dy lista përfshihen kërkesat ndaj palës amerikane për të ndrequr politikat dhe thëniet e veprimet e gabuara ndaj Kinës, por dhe çështjet kryesore që shqetësojnë palën kineze. Nuk është vështirë të zbulohet se këto lista janë kundrejt "minave" të vendosura nga administrata e mëparshme dhe ajo e tanishme e ShBA-së në marrëdhëniet kino-amerikane, komenton CMG-ja. Në lista, pala kineze paraqiti kërkesat e veta të arsyeshme, si anulimi pa kusht i kufizimeve në dhënien e vizave ndaj anëtarëve të PKK-së dhe të afërmve të tyre, heqja e "sanksioneve të paligjshme" ndaj Kinës, tërheqja e kërkesës për ekstradimin e Meng Wanzhou-t etj. Këto janë rruga e drejtë për marrëdhëniet kino-amerikane.
Problemi mund të zgjidhet vetëm nga krijuesi i tij. Nëse pala amerikane do me të vërtetë të vendosë "mbrojtëse" në marrëdhëniet kino-amerikane, ajo duhet t'u japë përgjigje dy "listave" të palës kineze dhe të korrigjojë menjëherë politikat e gabuara, që të heqë pengesat për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Nëse pala amerikane dëshiron ende ta ketë bashkëpunimin dhe përkrahjen e palës kineze në çështjen e ndryshimit klimatik, problemin bërthamor të Gadishullit Korean dhe të Iranit, ajo duhet të heqë dorë nga të gjitha mendimet oportuniste e veprimet hipokrite të kërkimit nga njëra anë të bashkëpunimit me Kinën dhe të dëmtimit të interesave të saj nga ana tjetër, përfundon CMG-ja komentin e saj. /foto nga "People Vision" (Wang Lei/ Artan)