遗产---[yí chǎn]---Trashëgimi
Sesioni i 44-t i Komitetit të Trashëgimisë Botërore po zhvillohet në qytetin Fuzhou të Kinës Jugore. Në forumin "Ruajtje dhe zhvillim i vazhdueshëm i peizazheve historike urbane", mbi 120 ekspertë nga brenda e jashtë Kinës zhvilluan diskutime në internet për marrëdhëniet midis zhvillimit të qyteteve dhe mbrojtjes së pikave historike urbane.
Ky vit shënon 10-vjetorin e publikimit të UNESCO-s "Propozime për peizazhet historike urbane". Specialistët pjesëmarrës u shprehën se, nën ndikimin e globalizimit ekonomik, shumë trashëgimi kulturore dhe struktura historike janë dëmtuar, duke i bërë të vagullta kujtimet dhe tiparet e qyteteve. Tani, ruajtja dhe zhvillimi i vazhdueshëm i peizazheve historike urbane janë bërë sfida të përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar. Lidhur me këtë, Wei Qing, sekretari i përgjithshëm i Komitetit të Menaxhimit të Trashëgimisë Kulturore të Kinës, ndau përvojat e Kinës të fituara gjatë praktikës:
"Sa më i gjerë të jetë një vend trashëgimie dhe sa më e ndërlikuar të jetë mbrojtja e relikteve historike të tij, aq më e papërshtatshme është që puna e mbrojtjes dhe e menaxhimit të kufizohet vetëm tek ana teknike, por ajo duhet të mbështetet mbi një sistem më të lartë administrativ. Kina ka ndërthurur forcat e niveleve të ndryshme, duke grumbulluar përvoja dhe praktika të vlefshme".
Në forum, ekspertët e vendeve të ndryshme ndanë përvojën për mbrojtjen e trashëgimive historike urbane në Pekin, Romë, Kioto, Brazilia etj.
Sesioni, që u hap të premten e kaluar, do të zgjasë deri në fund të këtij muaji. Gjatë zhvillimit të tij, komiteti i përbërë nga 21 vende anëtare do të shqyrtojnë situatën e mbrojtjes së 255 pikave të trashëgimisë botërore. Një gjë e tillë, sipas drejtores së përgjithshme të UNESCO-s Audrey Azoulay, është një rast për të parë ndikimet e listimit, të mbrojtjes dhe kontrollit të trashëgimive botërore në prag të 50-vjetorit të zbatimit të Konventës së Mbrojtjes së Trashëgimive Kulturore dhe Natyrore.
Deri tani, numri i trashëgimive botërore arrin në 1 121, të shpërndara në 167 vende të botës. 213 prej tyre janë trashëgimi natyrore, 869 kulturore dhe 39 janë trashëgimi kulturore e natyrore. Kina, së bashku me Italinë, zënë vendin e parë në botë, duke zotëruar secila nga 55 trashëgimi botërore.
Në Deklaratën e Fuzhou-t të miratuar të dielën, vendet pjesëmarrëse ritheksuan rëndësinë e mbrojtjes dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar mbi trashëgimitë botërore, si dhe domosdoshmërinë e përpjekjeve të përbashkëta për të përballuar ndryshimet klimatike. Në dokument bëhet thirrje për shtimin e mbështetjes ndërkombëtare ndaj vendeve në zhvillim për edukimin, ndarjen e njohurive dhe të teknologjisë së re për mbrojtjen e trashëgimive botërore, në mënyrë që t'u lihet brezave të ardhshëm një botë e bukur, e pastër, e hapur e përfshirëse, që mund t’u vetëpërshtatet ndryshimeve nëpërmjet zhvillimit të vazhdueshëm.(Zhang Yan/Artan)(Foto:VCG)