奥运会---[ào yùn huì]---Lojërat Olimpike

Kina do të dërgojë 431 sportistë, duke përfshirë 24 kampionë olimpikë, në Lojërat Olimpike të Tokios që do të zhvillohen së shpejti.

Numri u konfirmua kur delegacioni kinez u paraqit për publikun në Pekin të mërkurën.

Delagacioni i Kinës në Lojërat Olimpike të Tokios/ VCG

Delagacioni i Kinës në Lojërat Olimpike të Tokios/ VCG

Delegacioni, që përfshin 298 sportiste dhe 133 sportistë meshkuj, do të konkurrojë në 225 disiplina në Lojërat Olimpike, të cilat pritet të hapen më 23 korrik në Tokio. Ndër 24 kampionët që përmban delegacioni, 19 fituan medalje të arta në Olimpiadën e Rios, ndërsa për 293 sportistë kjo do të jetë pjesëmarrja e parë olimpike.

Gjatë takimit të mërkurën me delegacionin, zv.kryeministja e Kinës Sun Chunlan u bëri thirrje sportistëve më të mirë të vendit të luftojnë për përsosmëri sportive dhe të tregojnë shpirtin sportiv në Lojërat Olimpike të Tokios.

Ajo i inkurajoi sportistët të përpiqen me të gjitha forcat në arenën olimpike dhe t’i sjellin lavdi kombit.

"Ky është delegacioni më të madh që ka dërguar Kina në Lojërat Olimpike jashtë vendit," tha Gao Zhidan, zv.drejtori i Administratës së Përgjithshëm Kombëtare të Sportit, duke shtuar se delegacioni ka gjithsej 777 anëtarë, përfshirë 30 trajnerë të huaj, dhe pothuajse të gjithë anëtarët janë vaksinuar kundër COVID-19.

Quan Hongchan, në Kampionatin e Hedhjes në Ujë nga Trampolina 2021 në Shangai/VCG

Quan Hongchan, në Kampionatin e Hedhjes në Ujë nga Trampolina 2021 në Shangai/VCG

14-vjeçarja Quan Hongchan, që do të marrë pjesë në disiplinën e hedhjes në ujë nga trampolina, është sportistja më e re në delegacion, ndërsa 52-vjeçari Li Zhenqiang nga ekipi i hipizmit i Kinës do të jetë sportisti më i vjetër kinez në këto lojëra olimpike.

Kampionia botërore e qitjes për femra Guo Lijiao, dy herë kampionia olimpike në taekundo Wu Jingyu, kampioni botëror i qitjes për meshkuj Pang Wei, kampionia olimpike e ecjes sportive Liu Hong dhe fituesi i medaljes së argjendtë olimpike në gjimnastikën në trampolinë Dong Dong janë ndër sportistët më me përvojë në delegacionin kinez, sepse për ta kjo do të jetë pjesëmarrja e katërt olimpike.

Wu Jingyu u shpall kampione në Lojërat Olimpike të Londrës 2012/ VCG

Wu Jingyu u shpall kampione në Lojërat Olimpike të Londrës 2012/ VCG

Kina pritet të fitojë një numër të madh medaljesh në sportet ku ka pasur tradicionalisht epërsi, si pingpongu, badmintoni, gjimnastika, peshëngritja, qitja dhe hedhja në ujë. "Objektivi i delegacionit kinez është të ruajë forcën konkurruese në listën e medaljeve të arta. Numri i përgjithshëm i medaljeve të arta të delegacionit kinez në Lojërat Olimpike është pakësuar qysh nga viti 2008 dhe dëshirojmë ta ndalojmë këtë prirje në Tokio," tha Liu Guoyong, sekretari i përgjithshëm i delegacionit kinez.

"Duhet të sigurojmë edhe që të mos ketë asnjë infektim në delegacionin tonë gjatë tërë Olimpiadës dhe do të respektojmë të gjitha rregullat e komitetit organizator të Lojërave Olimpike të Tokios," shtoi Liu.

Pingpongisti kinez nr.1 Ma Long në Kampionatin Botëror të Pingpongut 2021/ VCG

Pingpongisti kinez nr.1 Ma Long në Kampionatin Botëror të Pingpongut 2021/ VCG

Ekipi kinez i pingpongut, që fitoi të katër medaljet e arta në Olimpiadën e Rios, synon ta mbrojë rezultatin e tij edhe këtë vit. "Kemi punuar me zell gjatë pesë vjetëve të fundit. Për sportistët e vjetër, Olimpiada e Tokios ndoshta do të jetë beteja e fundit dhe shpresoj se ata do të realizojnë shpresat e tyre. Për të rinjtë, shpresoj që ata do të çlirohen nga presioni psikologjik dhe të fitojnë lavdi të re," tha Liu Guoliang, presidenti i Shoqatës së Pingpongut të Kinës.

Disiplinat e reja, si rrëshqitja mbi dallgë (sërfi) dhe ngjitja në shkëmb, do të kenë debutimin e tyre në Tokio. 20-vjeçarja Song Yiling do të marrë pjesë në ngjitjen në shkëmb për femra. "Tokio do të jetë olimpiada ime e parë. Si një sportiste e re, do të jem vetvetja dhe do të përpiqem me të gjitha forcat," shprehet ajo. (Wang Lei/ Artan)