外贸---[wài mào]---tregtia e jashtme
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara të martën nga Administra e Përgjithshme e Doganave e Kinës, në gjysmën e parë të vitit 2021, vëllimi i përgjithshëm i importit dhe eksportit të Kinës u shtua 27.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe arriti në 18.07 trilionë juanë (afro 2.79 trilionë dollarë amerikanë), duke shënuar nivelin më të mirë në histori. Kjo shënon gjithashtu një rritje prej 22.8 për qind në krahasim me nivelin paraepidemik në vitin 2019.
Kjo “notë e mirë” e marrë nga tregtia e jashtme e Kinës ka të bëjë me shumë faktorë.
Nga njëra anë, gjendja e përgjithshme e ekonomisë kineze ka ruajtur prirjen e qëndrueshme dhe të shëndetshme, gjë që ka mbështetur shumë rritjen e vazhdueshme të tregtisë së jashtme. Agjencia "Reuters" komentoi se falë kontrollit më të hershëm të epidemisë në krahasim me partnerët e vet tregtarë, Kina filloi të dilte nga recesioni ekonomik i shkaktuar nga epidemia dhe realizoi "rimëkëmbjen e qëndrueshme ekonomike".
Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, treguesit kryesorë ekonomikë të Kinës, si vlera e shtuar industriale, investimet në kapitalet fikse, vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të produkteve të konsumit etj., ruajtën prirjen e mirë, kërkesa për prodhim iu rikthye rritjes dhe gjallëria e subjekteve të tregut vazhdoi të forcohej. Të gjitha këto janë kushte të favorshme për rimëkëmbjen e vazhdueshme të tregtisë së jashtme.
Meriton të përmendet se të dhënat shumë të mira të tregtisë së jashtme të Kinës në qershor janë të papritura për pjesën dërrmuese të analistëve. Në fund të majit, gjendja epidemike u përsërit në Guangzhou dhe Shenzhen, dy qytetet më kryesore të Kinës Jugore. Si pasojë, në portin Yantian pranë Shenzhen-it, një nga portet e konteinerëve me vëllimin më të madh të punës në Kinë, u shfaq njëfarë gjendjeje pezulli. Opinioni parashikoi se kjo do të dëmtonte tregtinë e jashtme të Kinës në qershor, por fakti është se në atë muaj, tregtia e jashtme e Kinës u rrit 22% në krahasim me qershorin e vjetshëm, duke arritur në 3.29 trilionë juanë e duke shënuar rritje për 13 muaj radhazi. Kjo është një befasi për opinionin e huaj.
Në fakt, kjo "befasi" është e parashikueshme, sepse aftësia shumë e fuqishme e Kinës në kontrollin e epidemisë u vërtetua gjatë gjendjes epidemike në fillim të vitit të kaluar. Kjo aftësi përbën një garanci për gjendjen e përgjithshme të tregtisë së jashtme të Kinës.
Nga ana tjetër, me zgjerimin e vaksinimit në mbarë globin dhe rimëkëmbjen e vazhdueshme të ekonomisë botërore, edhe shtimi i kërkesës së jashtme ka nxitur tregtinë e jashtme të Kinës. Kohët e fundit, shumë organizata ndërkombëtare kanë ngritur parashikimin për rritjen ekonomike globale këtë vit. Rimëkëmbja ekonomike e vendeve të ndryshme ka nxitur edhe tregtinë ndërkombëtare. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, eksportet e Kinës në ShBA, BE dhe vendet e ASEAN-it u shtuan përkatësisht 31.7%, 25.5% dhe 27.8%, ndërsa në Amerikën Latine dhe Afrikë 47% e 27.7%. Gjatë këtij procesi, është konsoliduar më tej pozicioni i Kinës në zinxhirin global të industrisë dhe të furnizimit.
Rimëkëmbja e tregtisë së jashtme është jo vetëm në favor të Kinës, por edhe të botës. Krahas mbështetjes ndaj qëndrueshmërisë së zinxhirit global të furnizimit, ndërmarrjet kineze të eksportit kanë luajtur edhe rol kyç në luftën kundër pandemisë. Sipas të dhënave zyrtare, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Kina ka eksportuar në 112 vende e rajone të botës mbi 500 milionë doza vaksinash kundër COVID-19 dhe lëngun origjinal përkatës, gjë që është baras me një të gjashtën e vëllimit të përgjithshëm të prodhimit të vaksinave në mbarë botën. Ky është kontributi konkret i Kinës për përballimin global të COVID-19 dhe për rimëkëmbjen ekonomike botërore. (Wang Lei/ Artan)