奥林匹克---[ào lín pǐ kè]---olimpik
Sesioni i 47-të i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së zhvilloi të mërkurën seminarin me temë “Promovimi i të drejtave të të rinjve nëpërmjet sportit dhe idealit olimpik”.
Në këtë seminar, përfaqësuesi i përhershëm i Misionit të Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, Chen Xu, vuri në dukje se Kina do t'i organizojë Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit në një mënyrë të thjeshtë, të sigurt dhe të mrekullueshme.
Chen Xu u shpreh që tani epidemia e COVID-19 është ende duke u përhapur në mbarë botën. Fryma olimpike i kalon kufijtë ndërmjet vendeve dhe është rrënjosur thellë në zemrën e popujve të botës. Olimpiada do të shtojë bashkimin dhe solidaritetin mes vendeve të ndryshme në përballimin e përbashkët të sfidave globale. Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore 2022 janë veprimtari ndërkombëtare, ku sportistët e vendeve të ndryshme do të bëjnë konkurrim të barabartë dhe që mirëpriten nga të rinjtë e apasionuar pas sporteve dimërore. Kina është e gatshme që, bashkë me komunitetin ndërkombëtar, të garantojë që Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të jenë një veprimtari e thjeshtë, e sigurt dhe e mrekullueshme.
Chen Xu u shpreh që Kina gjithmonë ngul këmbë në zbatimin e programit kombëtar për fitnesin e popullit dhe ka përmirësuar pandërprerë nivelin shëndetësor të popullit. Të rinjtë kinezë do të marrin pjesë në lojërat olimpike dhe paralimpike si sportistë e vullnetarë dhe do të japin kontribut për zhvillimin me sukses të këtyre lojërave. Ata do të marrin pjesë aktivisht në lojërat olimpike për vetëzhvillim të gjithanshëm, do të nxisin shkëmbimet dhe bashkëpunimin me të rinjtë e vendeve të tjera dhe do të japin kontribut më të madh për përparimin e njerëzimit.
Chen Xu u shpreh që lojërat olimpike i kalojnë kufijtë kombëtarë dhe ofrojnë mundësi unike për të rinjtë nga e gjithë bota. Ato ofrojnë një mundësi për të garantuar të drejtat e njeriut me përmirësimin e shëndetit dhe nivelit të jetesës, posaçërisht për brezin e ri.
Fjalët e Chen-it pasuan thirrjet nga Britania për një bojkot politik të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore 2022. Partia Laburiste e opozitës në Britani ka kërkuar nga politikanët dhe personalitetet e njohura të qëndrojnë larg nga Pekini për të protestuar mbi politikat e Kinës në Xinjiang.
Rusia, Venezuela dhe Nepali mirëpritën zhvillimin e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore në Pekin, duke shprehur bindjen që ato do të jenë një aktivitet i përbashkët i vendeve të ndryshme dhe duke kundërshtuar politizimin e sportit.
Përfaqësuesi i Venezuelës vuri në dukje që Pekini, si qyteti i vetëm deri tani organizues si i olimpiadës verore, ashtu edhe asaj dimërore në historinë olimpike, ka dhënë kontribut të veçantë për lëvizjen olimpike ndërkombëtare.
Ky seminar zhvillohet në bazë të rezolutës së miratuar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut 2020 “Promovimi i të drejtave të të rinjve nëpërmjet sportit dhe idealit olimpik”, ku Kina është vend bashkënismëtar.
Pekini do të bëhet qyteti i vetëm që organizon lojërat olimpike verore dhe dimërore. Organizatorët kanë premtuar se Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore 2022 do të jenë një veprimtari me asnjanësim të karbonit.(Jiang Lei)