和平---[hé píng]---paqe
“Partia Komuniste e Kinës tregon vëmendje për fatin e njerëzimit dhe do të përparojë bashkërisht me të gjitha forcat e përparuara në botë. Kina ka qenë dhe do të jetë gjithmonë ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese në zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar!” Kështu shpalli solemnisht sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) Xi Jinping në mitingun kremtues me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Partisë.
foto nga "People Vision"
Paqja ka qenë shpirti i kombit kinez që është trashëguar për mbi 5 mijë vjet dhe gjithashtu gjeni i PKK-së, shprehet Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një koment. Mjaft perëndimorë kanë kuriozitet përse shumë persona përparimtarë e kanë pasuar PKK-në në vitet e luftrave të Kinës. Lidhur me këtë, arsimtarja kanadeze Isabel Crook dha përgjigjen e saj: “Sepse PKK-ja u solli atyre paqen”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, PKK-ja bashkoi dhe drejtoi popullin në rezistencën kundër fashizmit japonez dhe fitoi në fushëbetejën kryesore të Lindjes. Pas shpalljes së Republikës Popullore të Kinës, ajo ka ngulur këmbë në rrugën e zhvillimit paqësor dhe e përfshiu këtë në Kushtetutën dhe statutin e partisë. Ajo paraqiti edhe konceptin e ndërtimit të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe ka nxitur ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të tipit të ri. Anëtarët e PKK-së të brezave të ndryshëm kanë vijuar përpjekjet për mbrojtjen e paqes botërore dhe kanë vërtetuar me fakte të pakundërshtueshme se “populli kinez nuk ka mujshuar, shtypur apo shfrytëzuar mizorisht popujt e tjerë dhe këto dukuri nuk do të ekzistojnë as në të ardhmen.” Sipas zotit Woo Su-keun, kryetarit të Shoqatës Globale Kore e Jugut-Kinë, Kina e ka më të qartë se çdo vend tjetër rëndësinë e paqes e të stabilitetit dhe i çmon shumë ato.
Qysh nga lindja e saj në vitin 1921, PKK-ja ka qenë një parti me një ëndërr madhështore. Ajo përpiqet jo vetëm për të mirën e popullit kinez, por edhe ka dhënë kontribut për paqen dhe përparimin e njerëzimit.
Kina ka dërguar më shumë se 40 mijë paqeruajtës në vende të tjera, shifër kjo që renditet e para ndër pesë vendet e përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit. Ajo është edhe vendi i dytë për shumën e fondeve të dhëna për paqeruajtjen e OKB-së. Njëkohësisht, Kina ka marrë pjesë aktivisht në zgjidhjen paqësore të problemeve të nxehta rajonale, ka propozuar nismën “Një brez, një rrugë” dhe ka promovuar vlerat e përbashkëta të njerëzimit, si paqja, zhvillimi, drejtësia, barazia, demokracia dhe liria. Ajo ka përkrahur me vendosmëri multilateralizmin dhe ka marrë pjesë aktivisht në përmirësimin e sistemit të qeverisjes globale, që të nxitë zhvillimin paqësor të botës.
video nga CCTV
“Një vend i fuqishëm duhet të ushtrojë hegjemoni”, ky është përfundimi i nxjerrë nga vendet perëndimore në bazë të historisë së tyre, por kjo teori nuk mund të shpjegojë konceptin e qeverisjes së PKK-së. “Nuk do të synojmë kurrë për hegjemoni dhe zgjerim” është premtimi i prerë i PKK-së për popullin kinez dhe për botën. Studiuesi britanik Martin Jacques është i mendimit se Kina ka hapur një rrugë të re për bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta dhe për ndërtimin e ndarjen e përbashkët. Ky është një krijim i madh i paparë, i cili do ta ndryshojë botën.
“Këmbëngulja në bashkëpunimin, hapjen, leverdinë e ndërsjellë dhe përfitimet e përbashkëta dhe kundërshtimi i kundërvënies, mbylljes e lojës ku fituesi i merr të gjitha.” Kjo është deklarata e hapur e partisë në pushtet më të madhe në botë dhe gjithashtu energjia pozitive për të cilën ka shumë nevojë sistemi ndërkombëtar me OKB-në në qendër.
Duhet të vihet në dukje se synimi për paqen i partisë në pushtet në Kinë nuk do të thotë heqje dorë prej të drejtave e interesave të drejta të veta dhe ajo nuk do të lejojë në asnjë mënyrë mujshimin, shtypjen dhe shfrytëzimin mizor të popullit kinez, thotë CMG-ja në komentin e vet. “Ndokush që orvatet ta bëjë këtë, me siguri do ta pësojë rëndë përpara Murit të Madh të çeliktë, të ndërtuar me trupin dhe gjakun e 1.4 miliardë kinezëve!” Qëndrimi i hapur i PKK-së pasqyron vendosmërinë dhe vullnetin e saj konsekuent kundrejt hegjemonisë dhe për mbrojtjen e barazisë e drejtësisë në botë.
Historia gjatë njëqind vjetëve të kaluar ka vërtetuar plotësisht se “PKK-ja është një parti që kërkon lumturinë e popullit kinez dhe përpiqet gjithashtu për përparimin e njerëzimit.” Në të ardhmen, ajo do të vazhdojë të ndjekë rrugën e zhvillimit paqësor dhe të nxitë zhvillimin paqësor të botës drejt një objektivi të ndritshëm, përfundoi komentin e CMG-së.