友谊---[ yǒu yì]---Miqësi
Të hënën, Kina dhe Rusia ranë dakord ta zgjasin Traktatin e Fqinjësisë së Mirë dhe të Bashkëpunimit Miqësor me rastin e 20-vjetorit të nënshkrimit.
Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij rus Vladimir Putin bënë një deklaratë të përbashkët ku u shpall zgjatja e traktatit.
Ky është takimi i dytë me video mes dy udhëheqësve pas dëshmimit më 19 maj të ceremonisë së themelimit të një projekti të bashkëpunimit dypalësh të energjisë bërthamore, termocentralit bërthamor Tianwan dhe termocentralit Xudapu.
Xi Jinping u shpreh se bota ka hyrë në një periudhë ndryshimeshdhe zhvillimi njerëzor përballet me kriza të shumta. Bashkëpunimi i ngushtë midis Kinës dhe Rusisë ka dhënë energji pozitive për bashkësinë ndërkombëtare duke krijuar një shembull të marrëdhënieve ndërkombëtare të tipit të ri.
Koncepti i miqësisë së përjetshme midis Kinës dhe Rusisë i paraqitur në traktat është në përputhje me interesat themelore të të dy vendeve, i cili përshtatet me temën kohore të paqes dhe të zhvillimit dhe është një praktikë e gjallë për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të tipit të ri dhe të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit, shtoi presidenti Xi.
Xi Jinping theksoi se Kina e Rusia e mbështesin me vendosmëri njëra-tjetrën në çështjet që lidhen me interesat thelbësore të dy palëve, mbrojnë interesat e përbashkëta të dy vendeve, punojnë dhe bashkërendojnë ngushtë në çështjet ndërkombëtare dhe mbrojnë së bashku multilateralizmin dhe drejtësinë ndërkombëtare.
Vladimir Putin përcolli së pari urime të ngrohta për 100-vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste të Kinës.
Duke folur për traktatin, Putini tha se parimet dhe fryma e traktatit kanë luajtur një rol të rëndësishëm e të veçantë në zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të marrëdhënieve Rusi-Kinë. Pala ruse është e kënaqur me nivelin e lartë të pashembullt aktual të marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve. Rusia do të vazhdojë t’i përkrahë përpjekjet e dy vendeve në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe të tërësisë territoriale, të respektojë rrugët e zhvillimit të njëri-tjetrit, të thellojë bashkëpunimin e tanishëm dhe shkëmbimet kulturore dhe të forcojë bashkërendimin dhe bashkëpunimin dypalësh në çështjet ndërkombëtare.
Putini theksoi se do të forcojë marrëdhëniet e bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik dhe të partneritetit Rusi-Kinë në një nivel më të lartë.
Të dy palët theksuan mbrojtjen e sistemit ndërkombëtar me OKB-në në thelb dhe të rendit ndërkombëtar të bazuar në ligjin ndërkombëtar, mbrojtjen e sigurisë dhe të stabilitetit strategjik global, mbështetjen e multilateralizmit, kundërshtimin e ndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera nën maskën e "demokracisë" dhe "të të drejtave të njeriut" dhe kundërshtimin e sanksioneve të njëanshme.
Dy udhëheqësit kundërshtuan politizimin e pandemisë COVID-19, ranë dakord në forcimin e bashkëpunimit për vaksinat, në zgjerimin e tregtisë dypalëshe, në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e energjisë me karbon të ulët, të ekonomisë digjitale, të bujqësisë etj., duke promovuar bashkimin e nismës “Një brez, një rrugë” me Lidhjen Ekonomike Euroaziatike.
Dy palët kundërshtuan së bashku politizimin e sporteve, Rusia e përkrah Kinën ta organizojë me sukses Lojërat Dimërore Olimpike të Pekinit për vitin 2022.
Ata shprehën gjithashtu shqetësim për gjendjen e ndërlikuar në Afganistan pas shpejtimit të tërheqjes së trupave të NATO-s nga ky vend dhe theksuan të mbrojnë së bashku paqen, sigurinë e stabilitetin rajonal. (Fani/Albana)