开放---[kāi fàng]---hapje

Në një konferencë shtypi të hënën në Pekin, zyrtarët kinezë shpjeguan hollësisht "Ligjin e Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it", duke lëshuar një sinjal të qartë se Kina do të zgjerojë hapjen e mëtejshme me vendosmëri, për të nxitur globalizimin ekonomik.

Më 1 qershor të vitit 2020 u publikua "Masterplani i ndërtimit të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it", që ka arritur rezultate të dukshme. Vitin e kaluar vlera e përgjithshme e import-eksportit të mallrave të provincës Hainan arrin në 93.51 miliardë juanë, duke realizuar një rritje 1.2 pikë përqindjeje më të lartë se mesatarja kombëtare. Në vitin 2020 përdorimi real i investimeve të huaja në provincën Hainan i kaloi 3 miliardë dollarët amerikanë, duke u dyfishuar për tre vjet me radhë. Në tremujorin e parë të sivjetshëm, përdorimi real i investimeve të huaja në këtë provincë u shtua 4.3 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Hartimi i "Ligjit të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it" është një hap kyç për transformimin e politikave në ligje, duke shfaqur frymën ligjore në ndërtimin e këtij porti. Ai ofron garanci ligjore për hapjen sistemore të nivelit të lartë në fusha të ndryshme, si lehtësimi i tregtisë së lirë dhe investimeve, sistemi fiskal, mbrojtja e mjedisit ekologjik, zhvillimi industrial, përgatitja e talenteve etj.

Lehtësimi i tregtisë dhe investimeve është një faktor i rëndësishëm gjatë ndërtimit të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it. Sipas dispozitave përkatëse të këtij ligji, mallrat mund të hyjnë dhe të dalin lirisht mes vendeve të huaja dhe Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it, përveç atyre të përfshira në listën e ndaluar të këtij porti. Në fushën e investimeve, ky ligj thekson nxitjen e sistemit të thjeshtë të miratimit dhe përmirësimin e sistemit të nxitjes dhe të mbrojtjes së investimeve. Përveç kësaj, ky ligj përcakton parimet e sistemit fiskal: "thjeshtim i sistemit të taksave, tarifa zero, përqindje e ulët taksash".

Sipas komentit të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), publikimi i "Ligjit të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it" do të krijojë një mjedis biznesi më tërheqës e do të forcojë më tej vendosmërinë dhe besimin e ndërmarrjeve të huaja në zhvillimin afatgjatë në Hainan, duke sjellë më shumë raste investimesh dhe përfitime.

Duhet të vihet në dukje se, me shtimin e nivelit të hapjes, edhe parandalimi dhe kontrolli i rrezikut është shumë i rëndësishëm. Sipas nenit 55 të ligjit, Porti i Tregtisë së Lirë i Hainan-it duhet të ndërtojë sistemin e parandalimit dhe kontrollit të rrezikut.

CMG-ja komenton se publikimi i "Ligjit të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it" simbolizon hapin e ri të Kinës në fushën e hapjes institucionale. Mund të parashikohet se Porti i Tregtisë së Lirë të Hainan-it do të zhvillohet në qëndrueshmëri në rrugën e duhur. Kjo i tregon botës se Kina nuk do ta mbyllë derën e hapjes, por do ta hapë më tej. Bota do të ketë më shumë raste zhvillimi nga hapja e Kinës.

(Xu Guang)