疫苗---[yì miáo]---Vaksinë
Më shumë se 1 miliard doza të vaksinave të COVID-19 janë bërë në mbarë Kinën deri të shtunën, njoftoi të dielën Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës.
Kina përshpejtoi vaksinimin falas ndaj COVID-19 për të gjithë popullatën që nga fundi i marsit, duke arritur shifrën e 100 milion vaksinimeve më 27 mars. Me shtimin e mëtejshëm të ritmeve të vaksinimit, shifra arriti në 200 milionë më 20 prill, 300 milionë më 7 maj e 500 milionë më 23 maj, kurse më 19 qershor 1 miliard.
Aktualisht, në Kinë po kryhen provat klinike për 21 vaksina të COVID-19, ndërsa katër vaksinave u është dhënë miratimi i kushtëzuar i marketingut dhe tre janë autorizuar për përdorim emergjent në vend.
Fushata mbarëkombëtare e vaksinimit e Kinës është e hapur për njerëzit e moshës mbi 18 vjeç. Kina ka miratuar gjithashtu përdorimin emergjent të vaksinave vendëse të çaktivizuara për grupmoshën 3 deri në 17 vjeç. Do të hartohen politika të hollësishme për imunizimin e kësaj grupmoshe bazuar në gjendjen e veçantë të COVID-19.
Deri në fund të këtij viti, të paktën 70 për qind e popullsisë së vendit pritet të vaksinohet kundër COVID-19, bëri të ditur Zeng Yixin, nënkryetari i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë.
Në kohën kur Kina zhvillon vaksinimin falas brenda vendit, njëkohësisht ka ndërmarrë edhe aksionin "Chun Miao" (Farërat e pranverës), nëpërmjet të cilit më shumë se një milion doza vaksinash janë ofruar për shtetasit kinezë që ndodhen në më shumë se 150 vende të tjera.
Kina gjithashtu i kushton një rëndësi të madhe sigurisë dhe shëndetit të shtetasve të huaj në Kinë. Aktualisht, në shumë vende në Kinë shtetasit e huaj janë përfshirë në sistemin e përgjithshëm të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë dhe mekanizmin e punës së lagjeve për të siguruar plotësimin e nevojave të tyre të arsyeshme.
Aktualisht, dy vaksinat e COVID-19 nga "Sinopharm" dhe "Sinovac" janë përfshirë në listën e përdorimit emergjent të OBSh-së, duke provuar edhe një herë sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave kineze. Kina gjendet në pararojë për sa i përket hulumtimit e krijimit të vaksinave të COVID-19 dhe po zbaton me vendosmëri bashkëpunimin ndërkombëtar për vaksinat. Kina është zotuar t'i bëjë vaksinat një produkt publik global dhe, nga ofrimi i ndihmës me vaksina për vendet në zhvillim që kanë nevojë urgjente deri te dhurimi i vaksinave për paqeruajtësit nga vende të ndryshme e ofrimi i vaksinave për sportistët që përgatiten të marrin pjesë në Lojërat Olimpike, po ndërmerr vazhdimisht veprime praktike për të përmbushur premtimin e saj për botën.
Vaksinat kineze kundër COVID-19 janë miratuar për marketing ose përdorim emergjent në më shumë se 90 vende dhe rajone të botës, duke shtuar besimin dhe forcën në bashkëpunimin global në luftën kundër epidemisë. Pranimi nga komuniteti ndërkombëtar i vaksinave kineze është gjithashtu përgjigjja më e mirë ndaj guximit të Kinës për të marrë përgjegjësinë e një fuqie të madhe.
Fjala kyçe: vaksinë
Vaksinat kineze të koronavirusit të ri jo vetëm që kanë bërë të mundur që më shumë njerëz të kenë mundësinë të vaksinohen, por siguria, efektiviteti dhe cilësia e lartë e tyre janë njohur gjithashtu jashtë vendit, dhe kanë vërshuar porositë nga vende të ndryshme për to. Sipas të dhënave prej Ministrisë së Tregtisë, që nga fillimi i qershorit, Kina ka eksportuar vaksina në më shumë se 40 vende. Li Singqian, drejtor i Departamentit të Tregtisë së Jashtme të Ministrisë së Tregtisë të Kinës, thotë:
"Ne mbështesim kompanitë 'Sinopharm', 'Sinovac' dhe 'Kangsino' për të organizuar eksporte më vete, për të zvogëluar lidhjet e ndërmjetme tregtare dhe për të parandaluar rreziqet e mundshme. Vendet dhe rajonet në nevojë dhe organizatat ndërkombëtare janë të mirëpritur të negociojnë dhe të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me këto kompani."
Kina po merr pjesë gjithashtu në mënyrë aktive në "Planin COVAX të OBSH-së" dhe kontingjenti i parë i vaksinave ka dalë zyrtarisht nga linja e prodhimit kohët e fundit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin tha se ky është një tjetër manifestim i rëndësishëm i veprimeve konkrete të Kinës për të përmbushur premtimin e saj për vaksinat si një "produkt publik global":
"Kina ka mbështetur gjithmonë 'Planin COVAX' dhe ka njoftuar se do të ofrojë 10 milion doza vaksinash për këtë plan. Kompanitë përkatëse po bëjnë sa munden për të siguruar furnizimin me vaksina. Kina do të vazhdojë të mbështesë ndërmarrjet për të forcuar komunikimin dhe koordinimin me 'Planin COVAX' dhe do të vazhdojë të japë kontribut për fitoren sa më parë të botës mbi epideminë."
Sipas një thënieje kineze, "ne jemi të gjithë valë të të njëjtit det". Përballë epidemisë, askush nuk mund të mbijetojë i vetëm. Në luftën globale kundër epidemisë, Kina ka qenë gjithmonë pranë vendeve të tjera duke ofruar ndihmën e vet me të gjitha mundësitë, dhe vaksinat kineze kundër koronavirusit të ri gjithashtu kanë kontribuar në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve.(Vera/Artan)