粮食---[liáng shi]---ushqim
Nga 14 deri më 18 qershor u mbajt në Romë konferenca e 42-të e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) të Kombeve të Bashkuara. Në këtë konferencë u shqyrtua dhe u miratua korniza strategjike e FAO-s për 10 vjetët e ardhshëm. Pjesëmarrësit në këtë konferencë bënë thirrje për veprime konkrete dhe politika inovative për të rindërtuar një botë më të mirë dhe më të gjelbër.
Kjo konferencë u mbajt për herë të parë në internet. Në të morën pjesë më shumë se 1300 përfaqësues nga e gjithë bota, një rekord historik. Ndër ta përfshihen 119 ministra dhe zv.ministra. Në ceremoninë e hapjes, drejtori i përgjithshëm i FAO-s Qu Dongyu shprehu besimin që sfidat kryesore në botën e sotme janë ndikimet nga epidemia e COVID-19, pasiguria ushqimore, varfëria dhe pabarazia rajonale dhe çështjet mjedisore.
Për të realizuar objektivat e OKB-së për zhvillim të vazhdueshëm, inovacioni në teknologjitë bujqësore luan rol jashtëzakonisht të madh.
“Epidemia e COVID-19 është përhapur prej më shumë se një viti dhe ka shkaktuar ndikime të mëdha afatgjata në sistemet ushqimore e bujqësore, duke çuar në përkeqësimin e mëtejshëm të sigurisë ushqimore dhe të gjendjes së ushqyerjes në të gjitha vendet e botës, veçanërisht në vendet me krizë ushqimore. Unë besoj se FAO duhet të mbështesë në mënyrë aktive vendet anëtare nëpërmjet reformave për të arritur objektivat e OKB-së për zhvillimin e vazhdueshëm 2030. E ardhmja e bujqësisë bazohet te shkenca, inovacioni dhe teknologjitë digjitale. Politikat e inovacionit digjital duhet të bazohen te njeriu dhe të krijojnë të mira për njerëzit,” tha Qu Dongyu.
Presidenti italian Sergio Mattarella në fjalimin e tij të rastit paraqiti përpjekjet e Italisë, si vendi kryetar i radhës i G20-s, për mëkëmbjen pas epidemisë dhe për transformimin e sistemeve ushqimore e bujqësore, duke nxitur palët të bëjnë përpjekje për realizimin e objektivave të zhvillimit të vazhdueshëm dhe për të përballuar pasigurinë ushqimore.
“Virusi ka ndikuar në prodhimin e ushqimit, ka larguar prodhuesit nga toka bujqësore, ka penguar procesin e transformimit, transportin e qarkullimin global të mallrave dhe ka ushtruar presion të madh mbi politikat me përparësi që mbështesin prodhimin ushqimor e bujqësor. Në këtë institucion botëror, përgjigjja jonë duhet të jetë globale dhe ne duhet të miratojmë një strategji shumëpalëshe me konsensus. Italia po punon së bashku me partnerët e tjerë të G20-s në këtë drejtim,” u shpreh Mattarella.
Ministri kinez i Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale Tang Renjian vuri në dukje në fjalimin e tij që nxitja e transformimit të sistemeve bujqësore e ushqimore është detyra e përbashkët e vendeve të botës dhe kërkon pjesëmarrjen e përpjekjet e palëve të ndryshme. Prandaj, Kina propozon që të shtohet komunikimi, të arrihet konsensus, të shtohen përpjekjet për inovacionin teknologjik, të nxitet integrimi i thellë mes bujqësisë e teknologjisë, të ngulet këmbë në masat e integruara, të pakësohen dëmtimet në prodhim, të nxitet qarkullimi tregtar dhe të realizohen fitime të përbashkëta nëpërmjet hapjes.
“Si vendi më i madh në zhvillim në botë dhe një fuqi e përgjegjshme, Kina pret dhe është e gatshme të punojë me të gjitha vendet anëtare të FAO-s për të promovuar realizimin e hershëm të objektivave për zhvillimit të vazhdueshëm të OKB-së. Kina është e gatshme të japë kontribut në ndërtimin e një komuniteti me të ardhme të përbashkët të njerëzimit,” u shpreh Tang Renjian-i.