组织---[zǔ zhī]---Organizatë
15 qershori shënoi 20-vjetorin e krijimit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh). Duke nisur nga gjashtë anëtarë themelues deri në tetë vende anëtare, katër vende vëzhguese dhe gjashtë partnerë të dialogut, "kjo organizatë jo vetëm ka mbrojtur si duhet paqen rajonale dhe ka nxitur zhvillimin rajonal, por edhe ka shërbyer si shembull për ruajtjen e multilateralizmit dhe forcimin e demokratizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare", thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
Në qarqet e studimit të politikave të jashtme ekziston mendimi se kontinenti euroaziatik ka ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e strukturës gjeopolitike globale. Me anëtarë që zënë 3/5 e këtij kontinenti dhe një popullsi sa gati 50 % e asaj botërore, OBSh-ja është bërë edhe një forcë e rëndësishme konstruktive në çështjet ndërkombëtare. "Si një mekanizëm që përbëhet nga vendet me gjendje zhvillimi dhe sisteme të ndryshme politike, arsyeja pse gjatë këtyre dy dekadave kjo organizatë ka ruajtur gjallërinë, është këmbëngulja në 'frymën e Shangait', të bazuar mbi besimin, leverdinë e ndërsjellë, barazinë, konsultimet, respektimin e shumëllojshmërisë së qytetërimeve dhe synimin për lulëzim të përbashkët," vë në dukje komenti.
CMG-ja vijon më tej duke theksuar se ky është një koncept i përparuar bashkëpunimi, që ka sjellë një model të ri të bashkëjetesës së vendeve me rrugë zhvillimi dhe struktura shoqërore të ndryshme. Lidhur me këtë, sekretari i përgjithshëm i OBSh-së Vladimir Norov vuri në dukje se në 20 vjetët e fundit, "fryma e Shangait" ka dëshmuar gjallëri dhe forcë tërheqëse në arenën ndërkombëtare.
Siç mësohet, në fushën e bashkëpunimit mbi sigurinë, Organizata e Bashkëpunimit e Shangait ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh antiterroriste dhe ka zhvilluar mbi dhjetë herë manovrat ushtarake "Misioni i Paqes" kundër terrorizmit. Përballë ndryshimit të situatës, bashkëpunimi në fushën e sigurisë midis vendeve anëtare është zgjeruar nga goditja kundër terrorizmit, separatizmit e ekstremizmit në luftës kundër drogës, pastrimit të parave dhe krimeve ndërkufitare, gjë që ka mbrojtur efektivisht paqen e stabilitetin rajonal.
Për sa i përket bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, vëllimi i import-eksportit të Kinës me vendet e tjera anëtare të OBSh-së u rrit nga 17.14 miliardë dollarë në 244.85 miliardë dollarë, me një shtim mesatar vjetor 15 %. Nëpërmjet nismës "Një brez, një rrugë", vendet anëtare të organizatës janë bërë si një trup me zhvillim të përbashkët. Projektet e mëdha, si naftësjellësi Kinë-Rusi, gazsjellësi Kinë-Azi Qendrore, trenat e mallrave Kinë-Europë etj., kanë sjellë përfitime konkrete për të gjithë pjesëmarrësit, duke thelluar vazhdimisht integrimin e zinxhirëve industrialë, të furnizimit dhe të vlerave.
"Përveç kësaj, më e rëndësishmja është që Organizata e Bashkëpunimit e Shangait gjithmonë përkrah dhe praktikon multilateralizmin, duke krijuar një shembull për modelin e ri të marrëdhënieve ndërkombëtare sipas parimeve të respektit të ndërsjellë, barazisë, drejtësisë e bashkëpunimit me leverdi reciproke," thuhet në koment.
Pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit të tipit të ri, vendet anëtare të OBSh-së kanë forcuar pandërprerë bashkëpunimin në ndarjen e përvojës së luftës antiepidemike, studimin e barnave dhe të vaksinave, garantimin e furnizimit të materialeve mjekësore etj., duke treguar një bashkim të fortë. Jo vetëm kaq, por OBSh-ja shpesh shpall projekte për zgjidhjen politike të çështjeve të rëndësishme rajonale. Për shembull, në majin e sivjetshëm, ministrat e jashtëm të Kinës dhe të pesë vendeve të Azisë Qendrore bënë një deklaratë të përbashkët për problemin e Afganistanit, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm për nxitjen e paqes rajonale.
"Pavarësisht rritjes së nivelit të bashkëpunimit brenda organizatës, OBSh-ja nuk është shndërruar dhe nuk do të shndërrohet në një aleancë ushtarake, duke qenë kështu krejt e ndryshme nga aleancat perëndimore, si NATO-ja, që është një produkt i Luftës së Ftohtë. Siç vihet në dukje nga analistët, Organizata e Bashkëpunimit e Shangait ndjek frymën e mosangazhimit e të moskundërvënies dhe nuk drejtohet kundër ndonjë pale të tretë. Ajo ngul këmbë në shkëmbimet dhe dialogun, gjë që shkon përkundër teorisë së 'përplasjes së qytetërimeve'. Ajo është e palëkundur në mbështetjen e rolit të OKB-së dhe të multilateralizmit, gjë që ka mbrojtur si duhet paqen dhe stabilitetin botëror. Të gjitha këto janë përvoja të vyera të kësaj organizate gjatë zhvillimit prej dy dekadash," përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Artan)(Foto:VCG)