粽子---[zòng zi]---Zongzi
Festa e Varkës së Dragoit kremtohet më 5 maj sipas kalendarit bujqësor kinez. Sivjet kjo festë ra së hënën, më 14 qershor.
Kjo festë tradicionale kineze, që quhet edhe festa "Duanwu", ka lindur me poetin patriot të Kinës së lashtë, Qu Yuan (340-278 para erës sonë). Në shenjë përkujtimi të këtij poeti, që vdiq më 5 maj sipas kalendarit bujqësor, njerëzit e kremtojnë këtë festë në mënyra të ndryshme. Pra, ajo ka një histori mbi 2000-vjeçare.
Qu Yuan-i, si një ministër i mbretërisë Chu, një nga shtatë Mbretëritë Ndërluftuese, nuk e realizoi propozimin për reformë politike, u hoq nga posti dhe u dëbua. Ai shkroi shumë vepra për të shprehur kujdesin dhe devotshmërinë për vendin e tij dhe vlerësohet si një nga poetët më të mëdhenj në historinë kineze. Kur mori vesh se mbretëria Chu u mposht nga mbretëria Qin, poeti, shumë i dëshpëruar dhe i hidhëruar, u hodh në lumin Miluo më 5 maj.
Gara e Varkës së Dragoit dhe ngrënia e zongzi-ve janë zakonet kryesore të kësaj feste. Thuhet se Gara e Varkës së Dragoit buroi nga përpjekjet e njerëzve të lashtë që të shpëtonin poetin Qu Yuan me varkë.
Qysh nga vitet ’80 të shekullit të kaluar, pasi morën pjesë në garat e varkës së dragoit në Kinë, shumë amerikanë u njohën me këtë veprimtari dhe e çuan në ShBA. Tani Gara e Varkës së Dragoit është bërë një nga sportet dëfruese që janë përhapur më shpejt në këtë vend. Në vitin 1989, Gara e Varkës së Dragoit u zhvillua për herë të parë në Gjermani. Dy vjet më vonë gara u shpërngul nga Hamburgu në Frankfurt, duke vijuar deri më sot.
Gara e varkës së dragoit
Shumë festa kineze janë të lidhura me një ushqim të veçantë e nga kjo nuk bën përjashtim as Festa e Varkës së Dragoit. Zongzi, në formë piramide, me oriz ngjitës të mbështjellë me gjethe kallami, është ushqimi i posaçëm në këtë festë.
Krahas emigracionit të kinezëve dhe përhapjes së kulturës kineze jashtë vendit, tani Zongzi gjen edhe në tregje gjithnjë e më të gjerë në vende të tjera.
Qyteti Jiaxing i provincës Zhejiang është një ndër vendet kryesore të prodhimit të Zongzi-së, produktet e atjeshme shiten në ShBA, Kanada, Australi, Japoni si dhe shumë vende të botës, duke u sjellë banorëve vendës dhe të huaj shije mahnitëse me aromën e këndshme.
Gjatë gjithë pushimit me rastin e Festës së Varkës së Dragoit, fabrikat e Zongzi-së në Jiaxing janë në kulmin e punës. Wufangzhai është një ndër markat më të njohura vendore të prodhimit të këtij ushqimi festiv. Këtu, qindra punëtorë kanë punuar për dhjetëra ditë me radhë, secili prej të cilëve mund të prodhojë me duart e veta 2000 Zongzi në ditë. Këtu prodhohen Zongzi me mbi 100 lloje mbushjesh të ndryshme.
Poeti Qu Yuan
Siç mësohet, në krahasim me vitet e kaluara, produktet e sivjetshme përveç mbushjeve me ushqim të ëmbla me qiriç soje, hide të kuqe etj., kanë edhe shumë alternativa të reja si e verdha të vezës, mishra etj. Jo vetëm kaq, për të plotësuar kërkesat e klientëve në krahina dhe vende të ndryshme, fabrika ka nxjerrë edhe shije të tjera me arrë kokosi ose përbërës të tjerë të pëlqyer nga konsumatorët.
Në fakt, Zongzi tani nuk është vetëm një ushqim festiv, por edhe një ruajtës i kulturës së kulinarisë kineze që mirëpritet nga të gjithë. Marrim "Wufangzhai" si shembull, sivjet, kompania pritet të eksportojë mbi 20 kontejnerë produktesh me mbi 700 mijë dollarë amerikanë, kryesisht drejt ShBA-së, Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re, Koresë së Jugut etj., nivel ky 7% më i lartë në krahasim me vjet.
Për të garantuar eksportin e mbarë të ushqimit, dogana e qytetit Jiaxing i udhëzon të gjitha ndërmarrjet që bëjnë eksport të zbatojnë standardet e vendeve pritëse për produkte ushqimore gjatë aplikimit për procedurat e zhdoganimit, duke ashpëruar kontrollin e sigurisë ushqimore. Autoritetet përkatëse vendore kanë krijuar edhe mekanizëm për gjurmueshmërinë e blerjes së lëndëve të para si oriz, soje, mishra, e verdhë të vezës etj., në mënyrë që të gjitha produktet për eksport të jenë në përputhje me kriteret cilësore të destinacioneve.
Si një ushqim, Zongzi duhet të përfujndojë procedurat e eksportit brenda një kohe sa më të shkurtër që të jetë e mundur. Për të garantuar "freski" të këtij ushqimi tradicional, dogana e qytetit ka hapur kanale të gjelbër për të ofruar shërbime për çdo kompani që ka kërkesë. Deri të martën, vetëm qyteti Jiaxing ka eksportuar mbi 178 tonë Zongzi, shifër kjo 16% më të lartë në krahsim me nivelin e vjetshëm.(Zhang Yan/Albana)(Foto:VCG)