模式---[mó shì]---Model
Cili është modeli i veçantë që qëndron në bazë të ngritjes së shpejtë të Kinës? Modelet ekonomike dhe politike të Kinës janë mjaft të ndryshme nga ato të Perëndimit dhe vendi po përparon. Studiuesi kinez Zhang Weiwei këmbëngul se ata që sugjerojnë se modeli perëndimor është superior duhet të shohin historinë e kohëve të fundit.
Kina është e diskutueshme në Perëndim, thotë Zhang, sepse ndryshon shumë nga vendet perëndimore për sa i përket sistemit të saj politik dhe modelit ekonomik, që e bëjnë Kinën të ndryshme në kontekstin e sotëm. Mbi të gjitha, nuk është Kina ajo që ka rënë në një krizë financiare, por Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende perëndimore. Nuk është modeli kinez që po bëhet gjithnjë e më pak i parapëlqyer, por modeli neoliberal i Perëndimit.
Kina po punon mirë, dhe tashmë është ekonomia më e madhe në botë sipas barazisë së fuqisë blerëse, dhe ne jemi shumë krenarë për këtë, vëren Zhang Weiwei.
Prandaj pyetja është: Si e arriti Kina këtë? Përgjigjja është shumë e thjeshtë, mund të jepet me dy fjalë: Modeli Kinez.
Çfarë është saktësisht Modeli Kinez? Ai mund të thuhet se ka katër karakteristika, sipas studiuesit Zhang.
Së pari, filozofia udhëheqëse e Kinës quhet "kërkimi i së vërtetës nga faktet", jo nga dogmat, qoftë nga Lindja apo Perëndimi. Nga shqyrtimi i fakteve, lideri i ndjerë Ten Hsiao Pin arriti në fund të viteve ’70 të shekullit të kaluar përfundimin se as modeli sovjetik dhe as modeli perëndimor nuk funksiononin për një vend të madh në zhvillim që kishte nevojë për modernizim. Prandaj, Pekini vendosi të eksplorojë mënyrën e vet të zhvillimit, të përshtatshme për situatën e Kinës.
Së dyti, modeli përqendrohet në jetesën e individit. Reformat, qofshin ato ekonomike, shoqërore a politike, duhet të jenë të gjitha me këmbë në tokë dhe të sjellin përfitime të prekshme materiale, kulturore etj. për popullin kinez. Kjo është arsyeja pse Kina ka arritur të nxjerrë mbi 700 milionë veta nga varfëria që nga vitet ’80 të shekullit të kaluar, duke kontribuuar për gati 80 për qind të çrrënjosjes së varfërisë në botë. Vetëm ky fakt i ka ndryshuar Kinën dhe botën përgjithmonë.
Një ekonomi e përzier është karakteristika e tretë e modelit kinez. Kina është përpjekur të ndërthurë forcën e dorës së padukshme të tregut me dorën e dukshme të shtetit. Sistemi ekonomik i Kinës quhet kështu një "ekonomi socialiste e tregut".
Shteti kinez ka treguar aftësinë e tij në hartimin e planeve strategjike dhe sigurimin e stabilitetit politik dhe ekonomik në nivel makro. Kina është krenare që mund të planifikojë për dekadat e ardhshme dhe brezat e ardhshëm e jo vetëm për 100 ditët e ardhshme, si Perëndimi.
Karakteristika e katërt është besimi në reformën graduale dhe gjetja e mënyrës më mirë për të arritur objektivin me anë të dallimit dhe shmangies së gabimeve. Duke pasur parasysh madhësinë dhe kompleksitetin e vendit, Kina ka inkurajuar eksperimente të ndryshme, të ilustruara nga zonat e posaçme ekonomike, ku testohen ide dhe praktika të reja, të tilla si shitja e tokës, ndërmarrjet plotësisht në pronësi të huaj, ndërmarrjet e përbashkëta të teknologjisë së lartë dhe kompanitë fillestare inovative. Vetëm kur nismat e reja dëshmojnë se funksionojnë, ato shtrihen në pjesën tjetër të vendit.
Falë këtij modeli, Kina ka hedhur poshtë si "fondamentalizmin e demokracisë", edhe "fondamentalizmin e tregut", të dy këto parime të mbrojtura nga Perëndimi për kaq shumë vjet. Kina gjithashtu refuzon tezën për fundin e historisë të Francis Fukuyama-s, studiuesi i njohur japono-amerikan i shkencave politike.
Kështu Kina ka shmangur shumë gracka, të tilla si kriza financiare e vitit 2008 dhe ndarjet e stilit sovjetik, dhe ka arritur rritjen e madhe që shohim sot. Duke pasur parasysh të gjitha krizat me të cilat përballet Perëndimi, nëse disa ende mendojnë se modeli perëndimor është më i miri në botë, atyre ne vetëm mund t’u themi: "Ju lutemi mbani modelin tuaj, ne nuk ju kemi zili", shprehet studiuesi Zhang Weiwei.(Vera)(Foto:VCG)