务实---[wù shí]---praktik
Më 8 qershor u hap në Ningbo Ekspozita e 2-të Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore. Në ceremoninë e hapjes, zv.kryeministri kinez Hu Chunhua lexoi mesazhin e urimit nga presidenti Xi Jinping, si edhe mbajti fjalën e rastit.
Në mesazhin e tij, presidenti Xi Jinping vuri në dukje se Kina planifikon që në pesë vjetët e ardhshëm, të importojë mallra me vlerë 170 miliardë dollarë amerikanë nga vendet e EQL-së, do të përpiqet të dyfishojë importin e mallrave bujqësore nga këto vende dhe do të vazhdojë të nxitë ndërtimin e zonave të demonstrimit të bashkëpunimit tregtar Kinë-EQL.
Ekspozita Kinë-Vendet e EQL-së është një aktivitet i rëndësishëm në kuadër të mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-EQL.
Si një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve kino-europiane, bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të EQL-së filloi në vitin 2012, pas krizës financiare globale. Që nga ajo kohë, norma mesatare vjetore e rritjes së tregtisë mes Kinës dhe vendeve të EQL-së është 8 %, më shumë se trefishi i rritjes së vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Kinës. Edhe nën ndikimin e faktorëve të pasigurt, siç është epidemia, në vitin 2020 vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe EQL-së shënoi rritje, duke i kaluar 100 miliardë juanët.
Uebsajti europian “Modern Diplomacy” vuri në dukje që epidemia e COVID-19 nuk i ka dhënë fund pjesëmarrjes aktive të Kinës në kontinentin europian. Kjo tregon shkathtësinë dhe përshtatshmërinë e Pekinit lidhur me mjedisin ndërkombëtar dhe është në të mirë të zhvillimit të Europës Qendrore e Lindore. Më e rëndësishmja është që, pas vitit 2012, Kina ka zgjeruar gradualisht importet nga vendet e EQL-së, duke shënuar rritje mesatare me 9.1% në vit, kurse rritja e eksporteve kineze në këto vende është 7.6%.
Këshilltari i shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u shpreh që, krahasuar me vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore, shumica e vendeve në Evropën Qendrore dhe Lindore janë ekonomi në zhvillim dhe fokusi e nevojat e bashkëpunimit të tyre me Kinën janë pa dyshim të ndryshme. Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore shpresojnë të përshpejtojnë ndërtimin e infrastrukturës, të tërheqin kapitale të huaja dhe të zgjerojnë eksportet në Kinë. Në vitin 2020, kompanitë kineze nënshkruan kontrata për projektet në vendet e EQL-së me një vlerë prej 5.4 miliardë dollarësh, një rritje prej 34.6 %. Gazeta gjermane “Junge Welt” botoi një artikull, ku thuhet që shembulli më i fundit është ura e Peljeshacit në Kroaci. Kompanitë kineze jo vetëm ofruan çmim më të favorshëm, por edhe premtuan ndërtimin e urës më shpejt se planifikohej më parë.
Edhe hekurudha Hungari-Serbi është një tjetër arritje e mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-EQL. Tani pjesa Beograd-Stara Pazova e kësaj hekurudhe ka përfunduar.
Në këta vjet, bashkëpunimi praktik Kinë-EQL është përqendruar gjithnjë e më shumë te zhvillimi i gjelbër. Një sërë projektesh me lëshim të ulët karboni, që mbrojnë mjedisin dhe sjellim përfitime për banorët vendorë, si centrali i energjisë me erë "Mozura Wind Park" në Malin e Zi dhe hidrocentrali i Dabarit në Bosnjë-Hercegovinë janë në zbatim të qëndrueshëm, duke sjellë përfitime të mëdha ekonomike dhe mjedisore.
Ditët e fundit, centrali fotovoltaik me fuqi 100 megavat në Kaposvár të Hungarisë është vënë në përdorim dhe parashikohet që të prodhojë 130 milionë kilovat-orë energji në vit.
Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë i Hungarisë Laszlo Palkovics vlerëson që ndërtimi i përbashkët i “Një brez, një rrugë” përshtatet me politikën e Hungarisë “Hapje drejt Lindjes”, duke vënë në dukje që centrali fotovoltaik në Kaposvár ka rëndësi të madhe për strukturën e energjisë dhe zhvillmin e energjisë së pastër në Hungari.
Në shkurt 2021, katër projektet e para të centralit fotovoltaik me investime nga fondacioni Kinë-EQL janë vënë në funksionim, duke plotësuar kërkesat e 9000 familjeve vendore për energji dhe duke krijuar 300 vende pune në kohën e epidemisë.
Ministri i Klimës i Polonisë, Michal Kurtyka, u shpreh se “shpresojmë shumë që ndërmarrjet kineze të marrin pjesë aktivisht në zhvillimin e energjisë së pastër dhe të kërkojnë mundësitë e bashkëpunimit praktik për përfitime të përbashkëta”.
Arritjet e mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-EQL gjatë nëntë vjetëve që prej formimit kanë vërtetuar fuqinë e madhe të tij. (Jiang Lei)