美食---[měi shí]---ushqim
Më 7 qershor, si pjesë e Ekspozitës dhe Panairit të 2-të Ndërkombëtar të Mallrave të Konsumit Kinë-Vendet e EQL-së, u hap në Ningbo të provincës kineze Zhejiang aktiviteti i shkëmbimeve kulturore me temën “Takimi mbi 'majën e gjuhës'”.
Ky aktivitet zhvillohet në zonën "Diga e vjetër", që njihet si "dhoma e ndenjies" e qytetit. Në ceremoninë e hapjes u përurua edhe Dhoma e Tregtisë e Serbisë.
Në këtë aktivitet 3-ditor, në qindra pavijone të ngritura do të shijohen ushqime kineze e të vendeve të EQL-së dhe do të zhvillohen panairi i mallrave të EQL-së, konkursi i ushqimeve të vendeve të EQL-së, festa e kafesë dhe e verës të EQL-së dhe festa e birrës çeke.
Ndërkohë, do të zhvillohet edhe transmetimi i drejtpërdrejtë i gatimeve nga diplomatët e EQL-së, ekspozita e pikturave klasike të EQL-së, provimi digjital i ushqimeve dhe promovimi i mallrave nga njerëzit e famshëm të internetit.
Gjatë aktivitetit, do të përurohen edhe Baza e Shkëmbimeve Kulturore Ningbo-EQL dhe Tregu Bujqësor Kinë-EQL. “Ne do t'u ofrojmë qytetarëve një ‘takim mbi majën e gjuhës’ të paharrueshëm,” tha kreu i Drejtorisë së Tregtisë të distriktit Jiangbei të Ningbo-së.
Sipas tij, aktiviteti do të bazohet te ushqimet si pasqyruese të takimit dhe integrimit të kulturave mes vendeve të EQL-së dhe Kinës.
"Diga e vjetër" e Ningbo-së është zona e Kinës që është hapur më herët ndaj botës së jashtme dhe është një dritare dhe platformë e rëndësishme e shkëmbimeve mes Ningbo-së dhe botës. Nga “EQL-ja në 'majën e gjuhës'” deri në “Takimin mbi 'majën e gjuhës'”, një aktivitet i tillë është zhvilluar për 4 vjet.
Tani kjo është bërë një platformë e rëndësishme për shkëmbimet kulturore mes Ningbo-së dhe vendeve të EQL-së. Me ekspozimin e ushqimeve dhe paraqitjen e kulturave të EQL-së, janë zgjeruar rrugët e shkëmbimeve kulturore-njerëzore, miqësisë, investimeve dhe tregtisë mes Ningbo-së dhe vendeve të EQL-së.
Deri tani, në zonën "Diga e vjetër" janë vendosur Zyra Përfaqësuese e Federatës për Nxitjen e Bujqësisë të EQL-së, Zyra Përfaqësuese e Agjencisë së Investimeve dhe Zhvillimit të Letonisë, Zyra e Lidhjeve Ekonomike e Tregtare e qytetit Kotka të Finlandës, Qendra e Dizenjimit Inovativ e Europës Veriore etj.
Si port i rëndësishëm në Rrugën e lashtë detare të Mëndafshit, Ningbo gjatë viteve të fundit ka promovuar me të gjitha forcat frymën e Rrugës së Mëndafshit, ka krijuar aktivisht zonën pilot në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”, ka ngritur zonën e demonstrimit të bashkëpunimit tregtar Kinë-EQL dhe ka shpejtuar hapat për një model të ri të hapjes së gjithanshme, duke u bërë një pionier në ndërtimin e nismës “Një brez, një rrugë”.
Një përgjegjës përkatës u shpreh që këtë herë, me këtë lloj aktiviteti të shkëmbimeve kulturore, do të thellohet më tej bashkëpunimi mes provincës Zhejiang e qytetit Ningbo me vendet e EQL-së, si edhe do të nxiten shkëmbimet tregtare e kulturore mes dy palëve dhe zhvillimi inovativ i marrëdhënieve dypalëshe. (Jiang Lei)