政治---[zhèng zhì]---Politikë
"Të lihen profesionistët të bëjnë punë që kërkojnë përgatitje profesionale, ky është një parim që njihet nga e gjithë bota. Por tani disa politikanë dhe media amerikane e kalojnë kufirin e profesionit të tyre, duke ndërhyrë në mënyrë flagrante në studimet shkencore e duke fabrikuar informacione përbaltëse për 'daljen e virusit nga laboratori'. Kjo do të pengojë rëndë bashkëpunimin ndërkombëtar lidhur me gjurmimin e origjinës së virusit dhe luftën globale antipandemike", thuhet në një koment të gazetës më të madhe kineze "Renminribao" të botuar të mërkurën.
Z.Peter K. Ben Embarek në konferencë shtypi për publikimn e rezultateve të studimit në Wuhan(Foto:VCG)
Sipas komentit, gjurmimi i origjinës synon shtimin e njohurive shkencore për virusin e ri, në mënyrë të përballohen më mirë epidemitë e ardhshme dhe të përsoset sistemi i shëndetësisë publike globale me anën e forcimit të solidaritetit të vendeve të ndryshme. Për këtë, Kina reagoi me veprime konkrete, duke u bërë vendi i parë që kreu një studim të përbashkët për origjinën e virusit me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Në fillim të këtij viti, grupi i përbashkët i 34 ekspertëve Kinë-OBSh zhvilloi një mision studimor 28-ditor në qytetin Wuhan. Ekspertët ndërkombëtarë vlerësuan qëndrimin e hapur, transparent e të përgjegjshëm të palës kineze, duke u shprehur se "kemi qenë kudo ku donim të shkonim dhe kemi takuar këdo që donim të takonim", se shkalla e hapjes së Kinës ishte "jashtë parashikimit" dhe që vizita në Wuhan "i kaloi pritshmëritë". Prandaj, ata tani thonë se ndihen "të zhgënjyer" dhe i kritikojnë pretendimet e disa mediave amerikane që ekspertët "nuk mundën të merrnin të dhënat origjinale" për "nxjerrje të fjalëve nga konteksti" dhe "shtrembërim të fakteve".
Laboratori i studimit virologjik në Wuhan(Foto:VCG)
Në raportin përfundimtar prej 120 faqesh, ekspertët japin vlerësim për rrugët e mundshme të kalimit të virusit te njeriu, që përkatësisht janë: “e mundshme ose shumë e mundshme” me anën e një ndërmjetësi; “e mundshme” nëpërmjet ushqimeve të ngrira dhe “jashtëzakonisht shumë pak e mundshme” nëpërmjet një incidenti laboratorik.
Pikërisht në bazë të këtij përfundimi, përgjegjësi i palës ndërkombëtare të grupit të përbashkët të ekspertëve Peter K. Ben Embarek vuri në dukje se puna e ardhshme e gjurmimit të origjinës së virusit nuk do të fokusohet në studimin e “daljes së virusit nga laboratori”.
Konferenca e shtypit për publikimin e rezultateve të studimit në Wuhan(Foto:VCG)
“Rezultatet e studimit të grupit të përbashkët të ekspertëve janë objektive, me autoritet dhe në pajtim me frymën shkencore, dhe ato mund ta kalojnë provën e historisë. Disa politikanë e media amerikane ngulin këmbë në spekulimin e ‘daljes nga laboratori’, por pa treguar asnjë dëshmi bindëse. Lidhur me këtë, epidemiologu Hume Field vuri në dukje se politizimi i shkencës nuk ndihmon në përcaktimin e origjinës së virusit, por vetëm mund të ngjallë dyshime dhe mosbesim. Ai shkroi në medien sociale: ‘Ju lutem, hiqni dorë nga paragjykimet dhe imperializmi kulturor’. Siç deklaroi OBSh-ja, problemi i gjurmimit të origjinës së virusit i ngjan një loje me pjesë figure që duhen ngjitur dhe puna e ekspertëve në Wuhan është vetëm një pjesë e vogël e studimeve përkatëse. Përveç Wuhan-it, ekspertët e OBSh-së duhet të kryejnë punë kërkimore në vende të tjera ku u zbuluan më herët rastet e infektimit. Vetëm kjo mund të ndihmojë në krijimin e një harte të përhapjes së virusit në mënyrë të gjithanshme, objektive dhe shkencore. Gjatë gjurmimit të origjinës së koronavirusit të tipit të ri, çdo shmangie prej frymës shkencore është e papërgjegjshme për historinë dhe mbarë njerëzimin”, përfundon komenti i "Renminribao"-s. (Zhang Yan/Artan)