汇率---[huì lǜ]---Kurs Këmbimi
Banka Popullore e Kinës, banka qendrore kineze, njoftoi të hënën se nga 15 qershori e tutje, norma e rezervës valutore të institucioneve financiare të Kinës do të rritet me 2 pikë përqindjeje, domethënë nga 5 % që është tani do të shkojë në 7 %. Lidhur me këtë, shumë ekspertë besojnë se kjo lëvizje synon të frenojë pritshmëritë që kursi i këmbimit të monedhës kineze renminbi (RMB ) do të rritet shumë shpejt.
Kanë kaluar 14 vjet që nga hera e fundit kur Banka Popullore e Kinës rregulloi normën e rezervës valutore. Sipas bankës qendrore, rritja e përqindjes së rezervës valutore të institucioneve financiare bëhet për të forcuar administrimin e likuiditetit të valutave të huaja të institucioneve financiare. Guan Tao, kryekonomist global në "Bank of China Securities", beson se rritja e raportit të rezervës valutore nga banka qendrore me 2 pikë përqindjeje mund të ngrijë likuiditetin valutor me afërsisht 20 miliardë dollarë amerikanë dhe të ndihmojë në shtrëngimin e likuiditetit të valutave në tregun e brendshëm të Kinës. Ai tha:
"Banka qendrore nuk do të lejojë që RMB-ja të vlerësohet shumë shpejt dhe do të veprojë me vendosmëri kur është e nevojshme. Pariteti qendror i RMB-së ndaj dollarit amerikan është rritur shumë që nga fundi i majit të vitit të kaluar. Vlerësimi i vazhdueshëm mund të shkaktojë që vlera e RMB-së të devijojë nga bazat. Ndikimi i epidemisë në ekonominë kineze nuk është zhdukur ende plotësisht dhe vijimi i vlerësimit të ndjeshëm mund të ketë një ndikim më të madh negativ mbi kompanitë e eksportit. Gjithnjë e më shumë autoritetet e tregut besojnë se kursi aktual i këmbimit të RMB-së ndaj dollarit amerikan është i tepruar. Nëse banka qendrore nuk vepron, kjo do të jetë një goditje e rëndë. Në të kaluarën, banka qendrore e ka rregulluar normën e rezervës në RMB zakonisht me 0.5 pikë përqindjeje çdo herë. Rritja e normës së rezervës valutore është 2 pikë përqindje, e cila pa dyshim e tejkalon gamën e rregullimit të raportit të rezervës në RMB në të kaluarën. Intensiteti është më i madh dhe demonstron vendosmërinë e bankës qendrore për të rregulluar dhe kontrolluar. "
Që nga prilli i këtij viti, për shkak të rimëkëmbjes së qëndrueshme të ekonomisë kineze, suficitit në bilancin e pagesave dhe dobësimit të indeksit të dollarit amerikan, kursi i këmbimit të RMB-së kundrejt dollarit amerikan është rritur. Një dollar u këmbye me më pak se 6.4 juanë javën e kaluar, duke shënuar një kulm të ri të forcimit të monedhës kineze në tre vjetët e fundit, një prirje që ka vazhduar edhe më pas.
Kohët e fundit, Sheng Songcheng, profesor në Shkollën Ndërkombëtare të Biznesit Kinë-Europë dhe ish-drejtor i Departamentit të Sondazheve dhe Statistikave të Bankës Popullore të Kinës, tha se vlerësimi i tanishëm i RMB-së mund të jetë i tepruar, gjë që është e paqëndrueshme në të ardhmen dhe nuk përputhet me situatën ekonomike dhe financiare brenda dhe jashtë vendit. Liu Guoqiang, zëvendësguvernator i Bankës Popullore të Kinës, gjithashtu theksoi disa ditë më parë se "duhet të godasim me vendosmëri të gjitha llojet e manipulimit me qëllim të keq të tregut dhe krijimin e qëllimshëm të pritshmërive të njëanshme". Në lidhje me këtë, znj. Tan Yaling, drejtore e Institutit për Investimet në Valutë të Huaj të Kinës, theksoi:
"Rritja e normës së rezervës valutore kufizon drejtpërdrejt sjelljen tregtare të bankave, por gjëja më e rëndësishme mendoj se është aluzioni që vlerësimi i njëanshëm i renminbi-së, për shembull vlerësimi me gati 1000 pikë javën e kaluar, nuk duhet të jetë në përputhje me statukuonë e Kinës dhe me ligjin. "
Eksperti financiar Zhao Qingming tha se përdorimi nga banka qendrore i politikës për të rritur normën e rezervës valutore mund të lehtësojë presionin për vlerësimin e mëtejshëm të renminbi-së:
"Aktualisht, tregu ka pritshmëri të mëdha për vlerësimin e RMB, dhe vlerësimi i fundit i RMB-së ka qenë gjithashtu relativisht i madh. Kur RMB-ja vlerësohet, kërkesa për kredi në valutë e ndërmarrjeve shpesh rritet, dhe ndërmarrjet i bëjnë pagesat në valutë të huaj pas marrjes së kredive në valutë të huaj. Vlerësimi aktual i RMB-së luan një rol në 'ndezjen e flakëve'. Rritja e normës të rezervës valutore të bankave tregtare mund të zvogëlojë aftësinë huadhënëse të bankave që japin kredi në valutë të huaj. Shuma ose shkalla e kredive në valutë do të zvogëlohet, gjë që mund të pengojë vlerësimin aktual të RMB."
Vlen të përmendet se me lëvizjen e bankës qendrore për të rregulluar normën e rezervës në valutë të huaj, kursi i këmbimit të RMB-së ndaj dollarit amerikan është luhatur ndjeshëm në një periudhë afatshkurtër, dhe në tregjet jashtë vendit RMB-ja ra 150 pikë ndaj dollarit amerikan.(Foto nga VCG)