母亲---[mǔ qīn]---Nënë

Për 35 vjet, Zhang Yuxiao, e pamartuar, është e njohur për rolin e saj: atë të nënës.

FotoËCGTN

FotoËCGTN

Një ditë tipike për këtë 65-vjeçare zhvillohet rreth gjashtë fëmijëve adoleshentë që e quajnë nënë, pavarësisht se asnjë prej tyre nuk është fëmijë i saj. Në këtë shtëpi, Zhang ka rritur 25 të mitur jetimë që nga vitet '80 të shekullit të kaluar.

Një ditë në vitin 1986, një transmetim radiofonik e ndryshoi jetën e Zhang-ut.

"Mësova nga radioja rreth fëmijëve që kishin humbur prindërit dhe desha t'u ofroja një shtëpi", i tha ajo CGTN-it.

Zhang është një ndër 16 "nënat", femra që zgjedhin të mbeten beqare dhe pa fëmijë për të ofruar përkujdesje 24 orë për fëmijët që kanë humbur prindërit, në Fshatin e Fëmijëve SOS në qytetin Yantai të provincës Shandong të Kinës Lindore. Atje, çdo "nënë" drejton një familje të përbërë nga 5-8 fëmijë, derisa ata ikin nga fshati për punë ose për të ndjekur shkollën e lartë.

Në mbarë Kinën, mbi 3 000 jetimë janë rritur në fshatra të tilla në dhjetë qytete të vendit, rreth 400 prej të cilëve në Yantai.

Në vitin 1986, kur Societas Socialis (SOS), kjo organizatë ndërkombëtare që mbështet fëmijët pa kujdes prindëror, hapi degën e saj në këtë qytet bregdetar të Kinës, Zhang u bë një ndër nënat e para.

Një punë 24 orë në shtatë ditët e javës, por që ia vlen

Jeta e përditshme në Fshatin SOS si nënë me kohë të plotë është e lodhshme, sepse përkujdesi njëherësh për disa fëmijë është një detyrë e rëndë.

Zhang Yuxiao me fëmijët e saj(Foto:CGTN)

Zhang Yuxiao me fëmijët e saj(Foto:CGTN)

Para se të vinte në Fshatin SOS, 51-vjeçarja Cao Furong punonte në një fabrikë përpunimi. "Kur isha në fabrikë, nuk kishte nevojë të mendoja për asnjë pas mbarimit të punës. Kurse si një nënë në Fshat, truri im është i pushtuar gjithmonë nga shumë gjëra", tha Cao.

Si punonjëse të kësaj vepre bamirësie, që mbështetet kryesisht nga dhurimet shoqërore, nënat në Fshatin SOS marrin një rrogë të barabartë me 470-630 dollarë amerikanë në muaj.

Megjithëse dashuria ndaj fëmijëve është motivi i përbashkët i pjesëmarrjes së këtyre femrave beqare në Fshatin, përkushtimi gjithë jetën ndaj kujdesit për fëmijët që nuk janë të vetët nuk është një vendim i lehtë për çdo njeri.

Disa nëna menduan të hiqnin dorë kur iu afruan moshës së mesme ose për shkak të problemeve shëndetësore, por shumë pak e kanë bërë një gjë të tillë, sepse i ndalojnë lidhjet e ngushta mes tyre dhe fëmijëve.

Kjo ide i shkoi ndër mend një herë Cao-s. Një ditë ajo u detyrua të zinte shtratin, sepse ishte sëmurë me temperaturë të lartë. Por një vajzë 11-vjeçare mori një legen dhe e ndihmoi të lante këmbë. "Ajo më tha: 'Nënë, ndihesh më mirë? Mos u largo prej meje'. Në atë moment mendova se puna ime ia vlente", rrëfen Cao.

Për Zhang-un, që kishte një herë nëntë fëmijë në shtëpinë e saj, ku sheh se ata bëhen të rritur të përgjegjshëm dhe pjesëtarë të denjë të shoqërisë, dhe krijojnë familjet e veta, ky është vlerësimi më i mirë për punën e saj.

Li Guiying mëson fëmijë anglishte(Foto:CGTN)

Li Guiying mëson fëmijë anglishte(Foto:CGTN)

Në vitin 1998, "djali" më i madh i saj, Zhang Jiancheng, që shërbente në ushtri, mori një nderim kombëtar për kontributin që dha në përpjekjet kundër përmbytjeve të rralla në disa dekada.

Tani Zhang është një nënë dhe gjyshe krenare, pasi shumë fëmijë e vizitojnë shpesh gjatë pushimeve.

"Atë që dua prej tyre është të bëhen njerëz të mirë"

Fshati i fëmijëve u mbush me gëzim verën e kaluar prej një njoftimi nga Pekini. An An, një djalë në familjen e Li Guiying-ut, u pranua në Universitetin e Postës dhe të Telekomunikacionit të Pekinit.

An An është një tjetër sukses i Li-së, pasi një djalë tjetër u pranua një vit më parë nga Universiteti Xidian i Xian-it. Deri tani, të gjithë fëmijët nga Fshati SOS kanë përfunduar shkollën e mesme dhe rreth 40 % prej tyre kanë vazhduar studimet universitare. Megjithatë, pranimi nga një ndër universitetet më të mira të vendit prapë është një arritje e shënuar për këto familje.

Para se të vinte në Fshat në vitin 1997, Li ishte mësuese anglishteje. 58-vjeçarja vlerësohet për krijimin e një mjedisi të mirë për studim në shtëpinë e saj, të cilën ajo e ka mbushur me librat që blen për fëmijët.

Li ka një tabelë në dhomën e ndenjies, mbi të cilën shkruan fjali në gjuhën angleze për të mësuar fëmijët.

Si prind i vërtetë, kjo "nënë" tregon shumë vëmendje ndaj arsimimit të fëmijëve. Por Li thotë se është e lumtur e mirënjohëse dhe shpreson se edhe fëmijët e saj do ta kenë ndjenjën e mirënjohjes për të tjerët kur të rriten. "Atë që kërkoj prej tyre është të bëhen njerëz të mirë dhe t'ia shpërblejnë shoqërisë," shprehet Li.(Zhang Yan/Artan)