损失---[sǔn shī]---humbje


Ministri i Jashtëm i Lituanisë Gabrielius Landsbergis shpalli më 22 maj tërheqjen e vendit të tij nga mekanizmi i bashkëpunimit Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore (EQL) . Ai deklaroi se Lituania nuk e konsideron veten si anëtare të mekanizmit të bashkëpunimit "17+1" dhe nuk do të marrë pjesë në këtë nismë.

Në një koment të tij, Grupi Mediatik i Kinës tha se aktualisht mekanizmi "17+1" zhvillohet në mënyrë të vrullshme dhe nga ai palët përkatëse kanë siguruar përfitime kolosale, ndërsa nga tërheqja prej këtij mekanizmi, Lituania do të jetë vetë e humbur.

Duke iu referuar fjalëve të zëdhënësit të Misionit të Kinës në BE, versioni evropian i uebsajtit amerikan "Politico" njoftoi: "Mekanizmi i bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të EQL-së është një mekanizëm bashkëpunimi ndërrajonal, i nisur bashkërisht nga Kina dhe vendet e EQL-së dhe përputhet me dëshirën e përbashkët të palëve për zhvillim. Ky mekanizëm nuk drejtohet vetëm nga pala kineze, por ai ndjek parimin e pjesëmarrjes së vullnetshme, të konsultimeve e ndërtimit të përbashkët dhe të hapjes e gjithëpërfshirjes."

Në prill 2012 u zhvillua në Poloni takimi i parë i liderëve të Kinës dhe të 16 vendeve të EQL-së, gjë që shënon nisjen zyrtare të mekanizmit të bashkëpunimit "16+1". Në vitin 2019 Greqia u anëtarësua zyrtarisht në këtë mekanizëm dhe "16+1" u shndërrua në "17+1". Nga të dhënat statistikore del se, në krahasim me nëntë vjet më parë, vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe vendeve të EQL-së ka pasur një rritje prej 85%, dhe përmasa e rritjes së importit të Kinës nga vendet e EQL-s- është 22 pikë përqindjeje më e madhe se ajo e eksportit nga Kina për në këto vende. Në tremujorin e parë të këtij viti, vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 30 miliardë e 130 milionë dollarë amerikanë. Në Videosamitin Kinë-Vendet e EQL-së të zhvilluar në shkurt të këtij viti, presidenti i Kinës Xi Jinping shpalli se pala kineze planifikon të importojë mallra me vlerë të përgjithshme prej mbi 170 miliardë dollarësh amerikanë nga vendet e EQL-së në pesë vjetët e ardhshëm.

Opinioni publik ka vënë re se parlamenti i Lituanisë miratoi më 20 maj të ashtuquajturën "rezolutë rreth Xinjiang-ut", ndërsa dy ditë më vonë ministri i Jashtëm i këtij vendi shpalli tërheqjen nga mekanizmi "17+1". Një media gjemane analizoi se Lituania shpreson të tërheqë vëmendjen e Uashingtonit nëpërmjet qëndrimit të fortë ndaj Kinës, se "ShBA-ja është aleatja më e rëndësishme e saj në NATO". Në krahasim me disa vende evropiane që janë të lodhura nga NATO-ja, Lituania e ka përkrahur NATO-n me vendosmëri. Duke cituar fjalët e ekspertit rus mbi çështjet kineze Nikolai Vavilov, uebsajti "Baltic Times" njoftoi më 22 maj se Lituania po ndjek politikën e ShBA-së në mënyrë të verbër e trashanike dhe kjo prirje e rrezikshme do t'u shkaktojë humbje të mëdha interesave kombëtare të këtij vendi.

Në qershor 2019, u zhvillua në Ningbo Panairi i Parë Kinë-Vendet e EQL-së/ foto nga VCG

Në qershor 2019, u zhvillua në Ningbo Panairi i Parë Kinë-Vendet e EQL-së/ foto nga VCG

Panairi i dytë Kinë-Vendet e EQL-së do të zhvillohet në fillim të qershorit në Ningbo, qytetin bregdetar të Kinës Lindore. Në këtë platformë të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar midis vendeve të EQL-së dhe Kinës, do të marrin pjesë mbi 2 mijë ekspozues dhe mbi 6 mijë blerës kinezë. Aeroplani i importuar nga Çekia, aeroplani slloven "Pipistrel", pajisje elektroshtëpiake evropiane, marka polake për kujdesin ndaj lëkurës shumë e preferuar në internet etj. do të demonstrohen në këtë panair.

Sipas Cui Hongjian-it, drejtorit të Institutit Studimor të Çështjeve Evropiane të Kinës, tërheqja e Lituanisë nuk do të ndikojë në bashkëpunimin dhe zhvillimin tërësor të mekanizmit "17+1". Ai theksoi se ky mekanizëm është mbi baza vullnetare dhe tërheqja e ndonjë vendi, në njëfarë mënyre, do të jetë në dobi të fokusimit të këtij mekanizmi në bashkëpunimin pragmatik dhe në rregullimin e kursit të zhvillimit. "Kokëfortësia e Lituanisë që ta përjashtojë veten nga mekanizmi '17+1' pasqyron dritëshkurtësinë e saj dhe do të dëmtojë vetëm interesat e vetë këtij vendi," e mbyll komentin CMG-ja. (Wang Lei/ Artan)