粮食---[liáng shi]---Ushqim
Në një intervistë me CMG-në, presidenti i Fondacionit të Trashëgimisë Bujqësore Botërore, Parviz Koohafkan, tha se shkencëtari i shquar kinez Yuan Longping, që u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, ka dhënë kontribut të rëndësishëm në sigurimin e ushqimit në Kinë dhe në botë.
Koohafkan-i ka punuar për Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara (FAO) dhe gjatë më shumë se 30 vjetëve ai e ka vizituar Kinën shumë herë. Ai tha se ka qenë dëshmitar i suksesit të Kinës në fushën e bujqësisë. Parviz Koohafkan-i u takua me Yuan Longping-un në një mbledhje të FAO-s gjatë Vitit Ndërkombëtar të Orizit 2004, dhe beson se akademiku Yuan Longping, i cili iu përkushtua studimit të orizit hibrid, ka dhënë kontribute të rëndësishme në çrrënjosjen e varfërisë dhe sigurimin e ushqimit në Kinë:
"Unë kam parë kalimin e Kinës nga një vend i varfër në një nga vendet më moderne dhe më të zhvilluara. Kina ka arritur një sukses të madh në zbutjen e varfërisë dhe ne mund të shijojmë shumë ushqime kineze në Itali (ku e ka qendrën Fondacioni i Trashëgimisë Bujqësore Botërore). Kërkimet e tij e ndihmuan Kinën të zhdukë varfërinë dhe garantuan gjithashtu sigurimin e ushqimit në Kinë".
Koohafkan-i është themeluesi i Fondacionit të Trashëgimisë Bujqësore Botërore dhe nismëtari i konceptit të "Trashëgimisë bujqësore me rëndësi globale". Kina është vendi i parë që mbështeti projektet e rëndësishme globale të trashëgimisë bujqësore dhe vendi me numrin më të madh të trashëgimive të tilla. Deri më tani, në Kinë ka 15 zona të trashëgimisë bujqësore, duke përfshirë Sistemin e Simbiozës Oriz - Peshk në Qingtian të Zhejiang-ut. Në vitin 2004 Koohafkan-i diskutoi me Yuan Longping-in mbi konceptin e trashëgimisë bujqësore dhe vëmendja e agronomit të shquar kinez ndaj trashëgimisë bujqësore e befasoi atë. Koohafkan-i tha:
"Ai ishte një shkencëtar shumë i përparuar dhe i ditur. Kur fola me të në vitin 2004, përmenda trashëgiminë bujqësore. Ai ishte shumë i hapur për këtë temë. Duhet thënë që ai vërtet ka dhënë ndihmesë shumë të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm bujqësor, sigurimin e ushqimit dhe zbutjen e varfërisë. "
Sot orizi hibrid mbillet në shkallë të gjerë në Indi, Bangladesh, Indonezi, Vietnam, Filipine, Shtetet e Bashkuara, Brazil, Madagaskar dhe vende të tjera. Zona vjetore e mbjelljes është 8 milionë hektarë dhe rendimenti mesatar për hektar është rreth 2 tonë më shumë se i llojeve më të mira vendore. Koohafkan-i tha se orizi nuk është vetëm ushqimi kryesor për kinezët, por gjithashtu një burim i rëndësishëm ushqimi për shumë vende aziatike dhe afrikane. Arsyeja pse Yuan Longping-u është i shquar, është se ai ka dhënë kontribute të konsiderueshme jo vetëm për Kinën, por edhe për sigurimin e ushqimit në shkallë botërore:
"Puna e tij është shumë e madhe dhe ai ka pasur arritje të mëdha në garantimin e sigurimit të ushqimit. Dhe si shkencëtar, ai gjithashtu ka dhënë ndihmesë të madhe në Institutin Ndërkombëtar të Studimit të Orizit, ku ka përgatitur një numër të madh të rinjsh. Sot kërkimet e tij dhe të specialistëve të tjerë në fushën e orizit hibrid janë njohur në të gjithë botën. Ndiejmë keqardhje të madhe për ndarjen e tij nga jeta."(Foto nga VCG)