食品--[shí pǐn]--ushqim
Edhe pse epidemia e COVID-19 po vijon të përhapet në një pjesë të madhe të botës, në Shangai të Kinës Lindore po zhvillohet ekspozita më e madhe në Azi për ushqimet dhe pijet, që njihet si SIAL Kina. Eksportuesit globalë të ushqimeve po e shfrytëzojnë këtë rast për të shitur produktet e tyre në Kinë, ekonomia e së cilës po përjeton një mëkëmbje të fuqishme.
Në këtë aktivitet 3-ditor marrin pjesë më shumë se 4 500 ekspozues nga mbi 30 vende e rajone, dyfish më shumë se në vitin 2020.
Drejtori i Qendrës së Zhvillimit të Tregtisë të Kinës, Liu Yangxia, thotë që ekspozita SIAL Kina renditet në vendin e parë të botës ndër ekspozitat ndërkombëtare ushqimore.
“Vjet, edhe pse në kushtet e pandemisë së COVID-19, si organizatorët kryesorë të kësaj ekspozite, ne bëmë të gjitha përpjekjet për të zhvilluar SIAL Kina 2020, në kushtet e një trysine dhe rreziku shumë të madh. Kjo është në përputhje me qëndrimin tonë për të qenë të përgjegjshëm për të gjithë partnerët dhe ekspozuesit,” theksoi Liu.
Për arsye që pandemia është nën kontroll në Kinë, niveli i kërkesës në këtë treg të madh po rikthehet ngadalë në gjendjen normale.
Bai Xuejing është përfaqësuesi i Shoqatës së Ushqimeve të Importuara të Guangdong-ut. Këtë herë ai ka sjellë rreth 30 kompani importuese në SIAL Kina.
“Ndikimet e koronavirusit janë më të vogla se në vitin e kaluar. Kompanitë e importit të Kinës janë përshtatur me këtë gjendje në mënyrë graduale. Problemi i vetëm është logjistika ndërkombëtare dhe zhdoganimi, që harxhojnë më shumë kohë se para pandemisë. Tani biznesi në Kinë është kthyer në gjendje normale,” thotë Bai.
Me synim që të nxitet biznesi ndërkombëtar i ushqimeve, autoritetet kineze ulën nivelin e tatimeve për mbi 80 lloje ushqimesh dhe pijesh në shkurtin e vjetshëm, kur Kina ndodhej e mbërthyer në gjendjen serioze epidemike.
“Për të plotësuar më mirë kërkesat e banorëve, për të zgjidhur problemin e mungesave në vend të disa mallrave urgjente ose për të siguruar furnizimin e mallrave unike nga jashtë, u bënë rregullime të tarifave të importit të mallrave të tilla si mishi i derrit i ngrirë, avokadot e ngrira dhe lëngu i portokallit i pangrirë,” deklaroi vitin e kaluar Ministria e Tregtisë e Kinës.
Ndër to, tarifat e mishit të derrit të ngrirë janë ulur nga 12 % në 8 %. Si rezultat, eksporti i mishit të derrit dhe mishit të gjedhit nga Irlanda në Kinë ka shënuar rekord vitin e kaluar.
“Kam qenë këtu për disa vjet. Kina ka ulur në mënyrë të vazhdueshme nivelin e taksave dhe të tarifave doganore mbi produktet ushqimore. Irlanda është favorizuar nga kjo, pasi i ka bërë produktet tona më konkurruese se ato të furnizuesve nga vendet e tjera, si edhe në krahasim me produktet vendase. Taksat e ulëta janë gjithmonë të mirëpritura,” thotë menaxheri për Kinën i Bordit Ushqimor Irlandez Conor O'Sullivan.
Qysh nga viti 2000, zhvillimi i vrullshëm i tregtisë elektronike në Kinë ka stimuluar rritjen e sektorit të ushqimit dhe pijeve.
Agjencia e të dhënave për tregun dhe konsumin "Statista" ka parashikuar që sivjet, të ardhurat nga ushqimet dhe pijet në platformat e tregtisë elektronike në Kinë mund t'i tejkalojnë 170 miliardë dollarët, duke përbërë mbi 60 % të vëllimit të përgjithshëm botëror. Sipas kësaj agjencie, rritja vjetore mund të jetë mbi 8 % dhe vëllimi i tregut mbi 244 miliardë dollarë deri në 2025-n.
O'Sullivan beson që kërkesa në Kinë ka vazhduar dhe tani është më e fuqishme se kurrë më parë:
“Për pjesën më të madhe të vitit të kaluar Kina ka qenë e hapur dhe funksiononte normalisht, teksa tregjet ose restorantet në vendet e tjera ishin mbyllur. Kina ka qenë një treg shumë i rëndësishëm për vijimin e biznesit.”