错误--[cuò wù]---gabim
“Versioni i Biden-it i parullës ‘Amerika e para’ po përhap hidhërim në mbarë botën”— ky është titulli i artikullit nga këshilltari i lartë në Grupin "Lindsay", Joseph W. Sullivan, që u publikua në uebsajtin "Foreign Policy". Në këtë artikull vihet në dukje se, që nga nacionalizmi i vaksinave deri në programin e stimulimit të pakufishëm ekonomik, administrata e Biden-it ende po synon interesat e ShBA-së duke dëmtuar ato të të tjerëve.
Nëse shikon veprimet e administratës së Biden-it, atëherë vëren se fjalët e Sullivan-it janë të arsyeshme, komenton në një artikull Grupi Mediatik i Kinës (CMG). Edhe pse ka theksuar pandërprerë që do të braktisë politikën “Amerika e para” të administratës së mëparshme, veprimet e saj gjatë 100 ditëve të fundit kanë treguar në mënyrë perfekte se administrata e tanishme “ndryshe flet e ndryshe vepron”. CNN-i ka vlerësuar që, gjatë administratës së re, politika “Amerika e para” po vazhdon ende.
Nacionalizmi i vaksinave ka shkaktuar shpërndarjen e pabarabartë të vaksinave dhe është një pengesë ndaj parandalimit dhe kontrollit të epidemisë globale, vëren CMG-ja. Qeveria amerikane është një forcë nxitëse e nacionalizmit të vaksinave. Sipas statistikave të disa institucioneve dhe mediave, ShBA-ja ka blerë afro 2.6 miliardë doza vaksinash, duke zënë një të katërtën e botës, që i tejkalon ndjeshëm nevojat e veta, teksa qindra milionë doza po rezervohen pa u përdorur. “Financial Times” njoftoi që, deri më 25 prill, ShBA-ja ka eksportuar 3 milionë doza vaksinash, që është vetëm 1.1 % e nivelit të prodhimit të vaksinave prej saj.
Nën trysninë e bashkësisë ndërkombëtare, administrata e Biden-it ka ndërmarrë një sërë veprimesh. Përveç deklarimit, por pa veprime konkrete, për përjashtimin e patentave të vaksinave, Biden shpalli më 17 maj që para fundit të qershorit, ShBA-ja do të shtojë me 20 milionë doza furnizimin me vaksina për vendet e tjera. Disa analistë janë të mendimit që kjo ndihmë me vetëm 20 milionë doza për jashtë është vetëm “një pikë uji” për nevojat e tërë botës. Bota shpreson më shumë sinqeritet nga ShBA-ja në eksportin e lëndëve të para dhe shtimin e prodhimit të vaksinave.
Krahas kësaj, ShBA-ja po ua kalon presionin e inflacionit vendeve të tjera. Edhe pse politikat e Biden-it janë për stimulimin ekonomik në ShBA, ato kanë shkaktuar rritjen historike të çmimit të mallrave kryesore të paambalazhuara në mbarë botën, duke përfshirë edhe ushqimet. Sullivan është i mendimit që kjo do të godasë më rëndë të varfrit në vendet që varen nga importi i ushqimeve dhe do t'i detyrojë vendimmarrësit të bëjnë zgjedhje mes zbutjes së urisë dhe zbutjes së ndikimeve ekonomike nga COVID-19.
Sullivan analizon në vijim rastin e Meksikës, që importon misër nga ShBA-ja. Qysh nga shkurti i kaluar, çmimi i misrit në tregun ndërkombëtar në dollar amerikan shënoi rritje me 46 %, dhe në Meksikë, çmimi i misrit në monedhën vendëse pesos u rrit me 60 %. Kjo në fakt nuk është e arsyeshme, sepse pothuajse në të njëjtën periudhë, Fed-i ka printuar mbi 3 trilionë dollarë amerikanë. Zakonisht politikat e lehtësimit masiv nga Fed-i shkaktojnë zhvlerësimin e dollarit, gjë është në të mirë të zbutjes së presionit mbi vendet importuese të shkaktuar nga ngritja e çmimit të mallrave. Por kjo nuk ndodhi në vende si Meksika, sepse programi i stimulimit ka ngritur parashikimet e tregut, duke i dhënë një mbështetje të fuqishme forcimit të dollarit amerikan. Kështu, familjet me të ardhura të ulëta, ku ushqimet zënë një pjesë relativisht të madhe të shpenzimeve, nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të pranojnë në heshtje vuajtjet që shkakton ngritja e çmimeve.
Politikat monetare të ShBA-së nuk mund të lehtësohen pafundësisht. Nëse Fed-i rrit normat e interesit, dëshira e tregut për dollarin amerikan do të rritet. Ekonomitë e reja do të detyrohen të shtojnë normat e interesit për të përballuar fluksin e dollarit. Mirëpo tani në disa ekonomi të reja epidemia ende nuk është vënë nën kontroll dhe ngritja e normave të interesit do të shkaktojë goditje të rëndë mbi ekonominë e tyre të dobët.
Mund të shihet lehtë që administrata e Biden-it shprehet me fjalë për heqjen dorë nga “Amerika e para”, por përsëri po "vrapon" në mënyrë të shfrenuar në këtë rrugë të gabuar dhe po sjell më shumë sëmundje, uri dhe varfëri për botën. Lideri amerikan shpalli në fjalimin e vet të parë për politikën e jashtme në shkurt që “ShBA-ja është kthyer”. Por nëse ShBA-ja dëshiron të kthehet në familjen ndërkombëtare, atëherë duhet të heqë dorë nga egoizmi dhe të zbatojë praktikisht multilateralizmin, e mbyll komentin CMG-ja.