火星---[huǒ xīng]---Mars
"Ulja në Mars është arritja kulmore më e fundit e programit hapësinor të Kinës. Kina ka provuar frymën e saj të përpjekjeve." Ky është vlerësimi që bëhet në uebajtin e revistës "Scientific American" për zbritjen e suksesshme në Mars të roverit kinez "Tianwen-1" më 15 maj. Edhe rrjeti CNN raportoi në uebsajtin e vet më 16 maj se Kina është bërë vendi i dytë në histori që ka një "mjet në lëvizje" në "planetin e kuq".
Saktë dhe qetë, sonda "Tianwen-1" mbarti roverin "Zhurong", i cili u ul me sukses në sipërfaqen e Marsit. Hulumtimi ndëryjor i Kinës ka arritur një hap historik nga sistemi Tokë-Hënë në atë ndërplanetar. Zyrtarë nga Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës e Shteteve të Bashkuara (NASA), Agjencia Hapësinore Ruse, Agjencia Evropiane e Hapësirës dhe institucione të tjera kanë dërguar urime.
Si një projekt i njohur globalisht i shkencës dhe teknologjisë hapësinore me vështirësi të lartë, sa i vështirë është eksplorimi i Marsit?
Sipas statistikave, nga përpjekja e parë e njeriut për të nisur një sondë në Mars më 1960 deri në zbritjen e suksesshme të "Tianwen-1", gjithsej në 16 misione kërkimore lidhur me Marsin u arrit hyrja me sukses në atmosferën e këtij planeti, por vetëm 9 (të gjitha nga Shtetet e Bashkuara) arritën zbritjen e suksesshme dhe kryen normalisht punën kërkimore. Pra, mundësia e suksesit është vetëm rreth 50%.
Zbritja e suksesshme e "Tianwen-1" tregon se Kina zotëron një varg teknologjish komplekse për uljen e sigurt në Mars. Në veçanti, eksplorimi i parë i Kinës në Mars, përkatësisht përfundimi i tre operacioneve në të njëjtën kohë: orbitimit, zbritjes dhe lëvizjes në Mars, ishte i pari në botë. "Wall Street Journal" komentoi se, që nga viti 2011, Kina është përjashtuar prej Shteteve të Bashkuara nga programet përkatëse të NASA-s dhe në një masë të madhe duhet të kryejë eksplorimin e hapësirës e vetme. Tani, në saje të përpjekjeve afatgjata, Kina "ka ecur në hapësirë" dhe është në pararojë të eksplorimit të saj.
Në fakt, ulja e suksesshme e sondës "Tianwen-1" në Mars nuk është vetëm lavdia e shkencës dhe e teknologjisë kineze, po ka gjithashtu një rëndësi të madhe për botën.
Nga perspektiva teknologjike, Marsi është një hap i rëndësishëm për eksplorimin e gjithësisë nga njerëzimi. Thellimi i njohjes së Marsit jo vetëm që do ta ndihmojë njerëzimin të kuptojë më tej misteret e gjithësisë dhe origjinën e jetës, por gjithashtu do të ndihmojë në zhvillimin e vetë Tokës, pasi do të krijohen shumë teknologji të reja në procesin e eksplorimit të Marsit. Për shembull, për të përballuar ndikimin dhe nxehtësinë e atmosferës së "planetit të zjarrtë", siç quhet Marsi në gjuhën kineze, është e nevojshme të krijohen materiale efikase izoluese të nxehtësisë, të cilat janë gjithashtu të dobishme në Tokë. Po të marrim një shembull tjetër, ulja në sipërfaqen e një planeti të tillë të largët duhet të përmirësojë teknologjinë e transmetimit të sinjaleve dhe teknologjinë e kontrollit, gjë që është gjithashtu e dobishme për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës së qenieve njerëzore në Tokë. Përparimi i Kinës në eksplorimin e Marsit pa dyshim do të japë një kontribut të rëndësishëm për këtë.
Në të njëjtën kohë, misioni i Kinës për hulumtimin e Marsit ka ndërtuar një platformë të re për bashkëpunimin ndërkombëtar. Në fakt, roveri "Zhurong" u emërtua sipas Perëndisë së Zjarrit në mitologjinë kineze. Dy hieroglifet nga të cilat përbëhet ky emër mund të interpretohen se kanë përkatësisht kuptimin "uroj", për të shprehur urime për suksesin, si edhe "integrim e bashkëpunim", duke përfaqësuar gatishmërinë e Kinës për hapje e bashkëpunim në fushën e shkencës dhe teknologjisë.
Nëse kontributi i Kinës për njerëzimin është integruar prej një kohe të gjatë në jetën e përditshme me katër shpikjet e mëdha kineze: busulla, shtypshkrimi, letra dhe baruti, atëherë hapi i ri në teknologjinë e kërkimeve ndëryjore të Kinës pa dyshim do të krijojë shpresa të reja për teknologjinë dhe jetën në botë. Më e rëndësishmja, Kina ka provuar me veprime konkrete që vetëm zëvendësimi i "garës hapësinore" me "bashkëpunimin hapësinor" është në interesin e përbashkët të mbarë njerëzimit.(Foto nga VCG)