闹剧---[nào jù]---farsë
Më 12 maj, ShBA-ja, Britania e Gjermania, së bashku me disa vende të tjera dhe organizata joqeveritare, duke shpërdorur burimin dhe platformën e OKB-së, organizuan të ashtuquajturën "videombledhje mbi të drejtat e njeriut në Xinjiang të Kinës".
Ashtu si në farsat e mëparshme antikineze, edhe kësaj radhe këto vende perëndimore, me ShBA-në në krye, përhapën në mënyrë arrogante gënjeshtra e informacione të rreme dhe u orvatën t'i ngjisnin Kinës etiketa si "gjenocidi", "puna e detyruar" etj. Duket qartazi qëllimi politik i kësaj mbledhjeje për frenimin e Kinës nëpërmjet Xinjiang-ut. Kjo shfaqje e disa vendeve perëndimore në OKB për interesa politike private, është krejtësisht një farsë politike, e cila shkeli haptazi Kartën e OKB-së dhe u bojkotua në mënyrë të prerë nga shumica e anëtarëve të OKB-së, komenton Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Thelbi i problemeve lidhur me Xinjiang-un është antiterrorizmi dhe çrrënjosja e ekstremizmit, jo problemi i të drejtave të njeriut, për të cilin bëjnë zhurmë vendet perëndimore. Nëse flitet për të drejtat e njeriut, le të bëjmë një krahasim, vijon CMG-ja në komentin e saj.
Duke marrë për shembull kontrollin e epidemisë së COVID-19, zëdhënësi i Misionit të Përhershëm të Kinës në OKB paraqiti një numër shifrash: në Xinjiang-un me mbi 25 milionë banorë, ka pasur 980 raste të konfirmuara, 977 prej tyre u shëruan, ndërsa vetëm tre humbën jetën. Kurse në ShBA kanë vdekur afro 600 mijë veta nga kjo sëmundje, në Britani mbi 120 mijë, në Gjermani mbi 80 mijë. Këto vende perëndimore, ku nuk mund të sigurohet as e drejta e jetës e vendësve, a kanë të drejtë të kritikojnë gjendjen e të drejtave të njeriut në Xinjiang? Për stabilitetin dhe lulëzimin e shoqërisë në Xinjiang, ato nuk mund të bëjnë ndonjë gjë tjetër, por vetëm përdorin gënjeshtra, këtë metodë të ulët, për frenimin e zhvillimit të Kinës.
Disa vende të veçanta perëndimore nuk mund të përfaqësojnë OKB-në, as bashkësinë ndërkombëtare.
Në sesionin e 46-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, që u zhvillua nga shkurti deri në mars të këtij viti, mbi 80 vende, përfshirë vendet myslimane, si Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe etj., shprehën në mënyra të ndryshme përkrahjen ndaj palës kineze në çështjen lidhur me Xinjiang-un.
Tani në këtë çështje dëgjohen gjithnjë e më shumë zëra të drejtë dhe objektivë nga bashkësia ndërkombëtare. P.sh., në shumë media astraliane, braziliane, suedeze dhe singaporase janë botuar artikuj ku pohohet suksesi i luftës antiterroriste në Xinjiang, duke demaskuar kurthin gjeopolitik të një pjesë të vendeve perëndimore për "frenimin e Kinës me anë të Xinjiang-ut". Fondacioni Transnacional i Kërkimeve për Paqen dhe të Ardhmen, me seli në Suedi, uebsajti i pavarur amerikan "Counterpunch" etj., kanë publikuar përkatësisht artikuj ose raporte, ku vihet në dukje qartazi se për të ashtuquajturat "punë e detyruar" e "gjenocid" në Xinjiang s'ka asnjë dëshmi.
Gjatë një interviste me Grupin Mediatik të Kinës, studiuesi danez Jan Oberg vuri në dukje se raportet kundër Xinjiang-ut, të prodhuar nga forcat perëndimore, bazohen krejtësisht në mendësinë e Luftës së Ftohtë dhe u shërbejnë grupeve të interesit në ShBA që mbajnë një qëndrim të fortë kundër Kinës. Këto raporte, që u publikuan në mënyrë të nxituar për të përkrahur thëniet e ish-sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo për të ashtuquajturin "gjenocid", demonizojnë Kinën në mënyrë sistematike. "Ky është një tjetër zë i drejtë i një studiuesi të huaj," e mbyll komentin CMG-ja. (Wang Lei/ Artani)