胁迫---[xié pò]---detyrim
Në një intervistë së fundmi me mediat amerikane, sekretari i Shtetit i ShBA-së Antony Blinken sulmoi Kinën si "gjithnjë e më agresive" jashtë shtetit, me synimin për t'u bërë "vendi dominues në botë". Ky veprim i matjes së të tjerëve me kutin e vet është thjesht një teprim i qëllimshëm i të ashtuquajturit "kërcënim nga Kina", që synon të përçajë marrëdhëniet midis Kinës e botës dhe në të njëjtën kohë shërben për nevojat e politikës elektorale amerikane.
Duket se për disa njerëz në Shtetet e Bashkuara, vendet e tjera janë "agresive" kur mbrojnë të drejtat e tyre të arsyeshme të zhvillimit, kurse ata vetë kanë të drejtë që të angazhohen në "diplomaci shtrënguese" kudo. Ky stil i "standardeve të dyfishta" i ShBA-së, i cili është i njohur për bashkësinë ndërkombëtare, zbulon frymën e fortë hegjemoniste të ShBA-së. Për ironi, Blinken-i tha në një intervistë se qëllimi i Shteteve të Bashkuara nuk është të përmbajë ose të shtypë Kinën, por të mbrojë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla ndaj të cilit Kina është "sfiduese". Mund të thuhet se Shtetet e Bashkuara duan të shohin një botë ku zbatohen vetëm "rregullat amerikane" .
Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta përcaktojnë botën. Nuk është sekret që ato përpiqen të këmbejnë fshehurazi "rregullat ndërkombëtare" me "rregullat amerikane" dhe të vendosin "drejtësi" në politikën e tyre të ndërhyrjes. Për dekada, Shtetet e Bashkuara kanë përdorur veprime praktike për të interpretuar se çfarë janë "rregullat amerikane", që do të thotë të arrijnë qëllimet e tyre strategjike përmes "diplomacisë shtrënguese" agresive, duke përfshirë kërcënimet për përdorimin e forcës, izolimin politik, sanksionet ekonomike dhe bllokadat teknologjike.
Nga ndezja e luftërave në Afganistan, Irak, Libi, Siri dhe vende të tjera, te planifikimi i së ashtuquajturës "Pranvera Arabe" në Azi dhe Afrikë; nga drejtimi i "revolucioneve me ngjyra" në vendet e Euroazisë, deri te luftimi kundër Iranit, Kubës, Venezuelës, Kinës etj., dora shtrënguese e Shteteve të Bashkuara është kudo.
Le të marrim Kinën si shembull. Nga strategjia e "rikthimit në Azi-Paqësor" e administratës Obama, te përkufizimi nga administrata Trump për Kinën si një "konkurrente strategjike" e Shteteve të Bashkuara dhe te politika e "konkurrencës, bashkëpunimit dhe konfrontimit" me Kinën e administratës së Biden-it, qëllimi strategjik i Shteteve të Bashkuara për të shtypur dhe përmbajtur Kinën është i njohur mirë.
Ka gjithashtu organizata ndërkombëtare që shtrëngohen nga Shtetet e Bashkuara. Për shkak të pengesave të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, Organi i Apelimit i OBT-së u paralizua në dhjetor 2019 për shkak të mungesës së gjyqtarëve, duke i dhënë një goditje të rëndë sistemit tregtar shumëpalësh. Pas ardhjes së administratës së Biden-it në detyrë, deri më tani, qëndrimi nuk ka ndryshuar shumë. Në takimin e rregullt të mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së, të mbajtur në fund të prillit, përfaqësuesi i SHBA refuzoi edhe një herë kërkesën për të nisur procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve të Organit të Apelimit.
Edhe vetë aleatët e Shteteve të Bashkuara, me gjithë fjalët se "Amerika është kthyer", në fakt nuk marrin trajtim të barabartë, vetëm detyrime dhe vështirësi.
Sipas një raporti të fundit nga ITAR-Tass, Blinken-i do t'i kërkojë Gjermanisë të mbyllë projektin e ndërtimit të gazsjellësit " Nord Stream 2" gjatë takimit të ministrave të jashtëm të G7 në Londër këtë javë. Gazeta daneze "Politiken" njoftoi së fundmi se ambasada e ShBA-së në Danimarkë i kërkoi asaj të shpjegonte nëse përdor pajisje elektronike nga pesë kompani kineze, përfshirë "Huawei" dhe ZTE. Nëse nuk pranon të sigurojë informacione përkatëse ose përdor pajisjet e kompanive të sipërpërmendura, ambasada amerikane mund të përfundojë pajtimin e saj në këtë gazetë.
Vendet sovrane, të mëdha apo të vogla, të forta ose të dobëta, kanë status të barabartë në të drejtën ndërkombëtare dhe askush nuk mund të pranojë detyrimin. Jo shumë kohë më parë, kancelarja gjermane Angela Merkel e bëri të qartë në konferencën për shtypin të Videosamitit të Liderëve të BE-së se Evropa ka nevojë për një politikë të pavarur ndaj Kinës. "Politiken" gjithashtu deklaroi kohët e fundit se nuk do t'i përgjigjej kërkesës së ShBA-së. Diplomacia amerikane e detyrimit u hodh poshtë përsëri.(Foto nga VCG)