团结---[tuán jié]---Bashkimi
Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës Guy Ryder u bëri thirrje punëmarrësve, punëdhënësve, qeverive dhe organizatave ndërkombëtare të punojnë së bashku për të siguruar një botë të drejtë dhe dinjitoze pune. Në deklaratën e tij,Ryder vuri në dukje se edhe këtë vit, 1 Maji u festua nën hijen e pandemisë COVID-19. Kjo pandemi ka prekur shumë vendet e punës, bizneset dhe jetesën, ka zhytur miliona njerëz në varfëri dhe ka penguar zhvillimin global. Ashtu si shumica e krizave, ajo goditi grupet e brishta dhe përkeqësoi pabarazinë në botë.
"Kjo pandemi dhe pasojat e saj na kujtojnë qartë se bota është e ndërvarur. Kjo vlen jo vetëm për shëndetin tonë, por edhe për punën dhe jetën tonë. Nëse nuk janë të gjithë të sigurt, atëherë askush nuk është i sigurt."
Ryder shtoi se njerëzit në fushën e punës kanë bërë sakrifica të mëdha për të mposhtur epideminë.Në ditën e veçantë të 1 Majit ai gjeti rastin për të nxjerrë në pah kontributin e punëtorëve.
"Ne i nderojmë ata, por nuk duhet të sakrifikojmë vlerat tona të drejtësisë shoqërore, të drejtën tonë themelore për të punuar dhe vendosmërinë tonë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Ky është kuptimi dhe domethënia e njerëzve në të gjithë botën që festojnë 1 Majin Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve ndër vite. Në shumë mënyra, kjo pandemi ka sjellë errësirë në jetën tonë. Sidoqoftë, kriza gjithnjë në ndryshim na ka dhënë gjithashtu hapësirë për reflektim, duke na lejuar të bëjmë zgjedhje të reja për njerëzimin, për planetin dhe begatinë".
Ryder shtoi se bashkimi është çelësi për mbijetesën dhe lulëzimin tonë të përbashkët.
“Ndërsa i përgjigjemi krizës së sotme dhe shohim përpara drejt së ardhmes, një gjë është e qartë: kemi nevojë për një rimëkëmbje të përqendruar te njerëzit dhe duhet të rimëkëmbemi në një mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Kjo është një rimëkëmbje e qëndrueshme dhe jashtëzakonisht gjithëpërfshirëse”.
Më pas, Ryder u bëri thirrje të gjitha palëve të bashkohen dhe të ndërtojnë një botë pune të drejtë dhe dinjitoze.
"Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Organizata Ndërkombëtare e Punës u bën thirrje punëmarrësve, punëdhënësve, qeverive dhe organizatave ndërkombëtare, dhe të gjithë atyre që janë të përkushtuar për një rindërtim më të mirë të botës të bashkojnë duart dhe të sjellin një botë pune të drejtë dhe dinjitoze".(Foto nga VCG)