日本---[rì běn]---Japoni
Ministria e Jashtme e Japonisë ka publikuar librin blu të diplomacisë për vitin 2021. Në këtë dokument diplomatik, Japonia nga njëra anë ka promovuar “kërcënimin nga Kina”, duke përmendur mosmarrëveshjet kino-japoneze për ishujt detarë dhe çështjet e Detit të Kinës Jugore, Hong-Kongut dhe Xinjiang-ut. Nga ana tjetër, Japonia i quan marrëdhëniet e saj me Kinën si “një nga marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe”. Politika dhe ekonomia janë bazuar në qëndrime të ndara, çka ka treguar kontradiktën e madhe të politikës japoneze. Për këtë arsye, diplomacia japoneze ndaj Kinës nuk është e vazhdueshme dhe Japonia duhet të ndryshojë urgjentisht politikat e veta ndaj Kinës, vihet në dukje në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
Në arenën politike të Japonisë, kryeministri i tanishëm Suga Yoshihide është një politikan me përvojë të pasur dhe publiku mendonte që ai do të zbatonte politika të qëndrueshme. Mirëpo, qysh nga dialogu ShBA-Japoni-Indi-Australi, bisedimet “2+2” ShBA-Japoni e deklarata e përbashkët e liderëve ShBA-Japoni, dhe deri në publikimin e librit blu, Suga Yoshihide ka marrë një sërë masash të jashtëzakonshme, posaçërisht duke treguar “vëmendje” të hapur për gjendjen e ngushticës së Tajvanit. Kjo tregon që ai në fakt e ka kaluar vijën e kuqe të marrëdhënieve Kinë-Japoni.
Qysh nga shtatori i kaluar, kur mori detyrën kabineti i ri i Japonisë i drejtuar nga Suga Yoshihide, paraqitja e tij ka qenë larg parashikimeve. Për shkak të epidemisë dhe gjendjes së dobët ekonomike, mediat japoneze në janar madje filluan të diskutojnë kandidatët për qeverinë e re.
Pas marrjes së detyrës prej administratës së re amerikane, e cila e konsideron Kinën si “konkurrenten më të madhe” dhe zbaton politika diplomatike për kufizimin e Kinës, kabineti i drejtuar nga Suga Yoshihide ka parë një mundësi kthese për sa i përket paraqitjes së vet të dobët. Në planin politik, nëse qëndron afër ShBA-së, duke treguar tone të forta ndaj Kinës, kjo jo vetëm mund t'i shtojë pikë diplomacisë japoneze, por edhe mund të zbutë tensionin e brendshëm lidhur me një mandat të ardhshëm.
Por fakti është që deri tani, ekonomia e Japonisë ende varetshumë nga tregu kinez, thuhet në komentin e CMG-së. Edhe pse ka aleancë të ngushtë me ShBA, Japonia nuk mund të marrë përfitime të mëdha ekonomike. Kjo është arsyeja pse Tokioja i quan marrëdhëniet kino-japoneze si “një nga marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe”.
Kina dhe Japonia ndodhen në faza të ndryshme ekonomike, por mund të plotësojnë shumë mirë njëra-tjetrën. Nëse nuk ruan vëllimin e tregtisë me Kinën dhe humb fitimet kolosale nga Kina në fushën e investimeve, Japonia nuk mund të largohet aspak nga “dy dekadat e humbura”.
CMG-ja komenton që politikat e Japonisë po formojnë një kontradiktë të madhe. Nëse promovon teorinë e “kërcënimit nga Kina”, tregtia e saj me Kinën do të ndikohet shumë. Pekini nuk do ta lejojë Tokion të nxjerrë përfitime duke dëmtuar interesat e Kinës. Kabineti i drejtuar nga Suga Yoshihide po zbaton një plan të gabuar. Japonia duhet të shikojë që, si një vend fqinj me Kinën, veprimet e spekulimit me mosmarrëveshjet mes Kinës e ShBA-së nuk do të sjellin asnjë përfitim për interesat e saj kombëtare. Japonia e sotme ka nevojë urgjente të dalë jashtë rrugës së gabuar diplomatike dhe të rishikojë marrëdhëniet me Kinën, përfundon CMG-ja komentin e saj.(Jiang Lei)