免疫---[miǎn yì]---imunizim

Java e fundit e prillit është Java Botërore e Imunizimit. Synimi i këtij aktiviteti është që të nxitet vaksinimi për të mbrojtur njerëzit nga sëmundjet. Këtë vit, tema kryesore është “Vaksina na afron më shumë”. Ekspertët janë shprehur që vaksinat kanë luajtur një rol të madh në shëndetësi dhe në zhvillimin shoqëror të njerëzimit. Kina ka shtuar investimet në programin e imunizimit, duke pasur arritje të mëdha dhe duke përballuar detyra e sfida të reja.

Zv.drejtori i Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve të Kinës, Feng Zijian, u shpreh në një forum të organizuar nga Fondacioni "Gates" se vaksina ka luajtur rol të madh në shëndetin dhe zhvillimin njerëzor:

“Vaksina është më e rëndësishmja ndër të gjitha masat e shëndetit publik. Ajo luan rol shumë të madh në mbrojtjen e shëndetit, zgjatjen e jetës dhe zhvillimin shoqëror. Kurrë nuk mund të teprohet theksimi i ndikimeve shumë të mëdha që ka përdorimi i vaksinave në shëndetin e njerëzve në mbarë botën”.

Feng Zijian-i bëri të ditur më tej që Kina ka shtuar investimet në programin e imunizimit. Në vitin 2020, Kina investoi mbi 4 miliardë juanë dhe pati arritje të mëdha në këtë drejtim.

“Ne kemi eliminuar linë në vitet '50-'60 të shekullit të kaluar. Në fund të viteve '70, me mbështetjen nga organizatat ndërkombëtare dhe vendet e tjera, si OBSh-ja, UNICEF-i, ShBA-ja, Japonia dhe Australia, krijuam sistemin për programin e imunizimit. Në vitin 1995 në Kinë është ndërprerë përhapja e virusit të poliomelitit. Në vitet 2007 e 2008, përfshimë në programin shtetëror të imunizimit sëmundjet kryesore, si meningjiti, encefaliti japonez, hepatiti A, rubeola dhe shytat. Studimi dhe prodhimi i vaksinave nga Kina është në zhvillim të pandërprerë. Tani kemi shumë lloje të ndryshme vaksinash. Përveç disa vaksinave të rralla, kemi edhe vaksinat kryesore të botës,” tha Feng.

Ai theksoi gjithashtu që programi i imunizimit në Kinë përballon shumë detyra dhe sfida të reja, si përfshirja e vaksinave të reja në programin shtetëror:

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet për eliminimin e fruthit dhe rubeolës. Do të ruajmë gjendjen e eliminimit të poliomelitit dhe do të parandalojmë që të nisë të përhapet përsëri. Do të ulim më tej përhapjen e hepatitit B dhe do të zhdukim tërësisht shqetësimet e krijuara prej tij. Një detyrë tjetër e rëndësishme është që të përfshihen më shumë vaksina të reja në programin shtetëror të imunizimit. Në këtë drejtim kemi ende hendek të madh me shumë vende të tjera, si në shtimin e llojeve të reja të vaksinave për fëmijë, përfshirjen e të rriturve në grupet e vaksinimit etj. Këto janë detyra shumë të rëndësishme”. (Jiang Lei)