论坛---[lùn tán]---Forum
Të shtunën u mbajt në Qingdao të provincës Shandong të Kinës Lindore Forumi i Nivelit të Lartë i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar, që është forumi i parë ekonomik dhe tregtar në shkallë të gjerë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP). Agjencitë e promovimit të tregtisë dhe dhomat e tregtisë të vendeve anëtare të RCEP-it kanë propozuar që së pari të zbatohen si provë klauzolat kalimtare. Përfaqësuesit e vendeve anëtare të RCEP-it shprehën shpresën se marrëveshja do të sjellë një hov të ri zhvillimi në vendet dhe rajonet e tyre. Sipas raporteve, shumë vende po përshpejtojnë miratimin dhe hyrjen në fuqi të marrëveshjes.
Marrëveshja e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) u nënshkrua zyrtarisht më 15 nëntor të vitit të kaluar, duke sjellë krijimin e zonës së tregtisë së lirë me popullsinë më të madhe, strukturën më të larmishme të anëtarësisë dhe potencialin më të madh të zhvillimit në botë. Në forumin e mbajtur në Qingdao, Chen Yaozong, kryekëshilltari ekonomik i Këshillit të Biznesit Malajzi-Kinë, deklaroi se me përmirësimin e vazhdueshëm të funksionimit të ekonomisë të vendeve anëtare, nënshkrimi i RCEP-i është bërë një mënyrë që të gjitha palët të arrijnë integrimin ekonomik rajonal dhe ringjalljen ekonomike pas epidemisë. Ai beson se RCEP-i do t'i japë shtysë rimëkëmbjes ekonomike të vendeve anëtare.
Zëvendësministri i Tregtisë i Tajlandës Sansern Samalapa tha se RCEP-i është një marrëveshje e nivelit të lartë dhe klauzolat e lidhura me tregtinë elektronike në marrëveshje mund t'i ndihmojnë vendet anëtare të përballen me sfidat e reja në epokën digjitale. Ai beson se zbatimi i RCEP-it do të përmirësojë mjedisin rajonal të biznesit dhe do ta bëjë atë më tërheqës për investimet e huaja. Sipas tij, Tajlanda po promovon miratimin e brendshëm të RCEP-it.
Hong Zhangpiao, përfaqësuesi i përgjithshëm për Kinën i korporatës jugkoreane “Kotra”, beson se RCEP-i do të rrisë investimet e ndërsjella midis Kinës e Koresë së Jugut në bazë të marrëveshjes ekzistuese të tregtisë së lirë midis këtyre dy vendeve.
Në forum, agjencitë e promovimit të tregtisë dhe dhomat e tregtisë të vendeve anëtare të RCEP-it shpallën së bashku Nismën e Qingdaos për Promovimin e Përbashkët të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar Rajonal të RCEP-it, duke mbështetur integrimin e ngushtë të marrëveshjes RCEP me zhvillimin e vendeve dhe rajoneve përkatëse. "Nisma" mbështet ndërtimin e një sistemi tregtar shumëpalësh transparent, të hapur, gjithëpërfshirës, jodiskriminues e të bazuar në rregulla, si edhe u bën thirrje të gjitha vendeve të ndërtojnë në mënyrë aktive platforma të shërbimeve të RCEP-it për të ndihmuar kompanitë të eksplorojnë tregjet e vendeve anëtare, duke shprehur shpresën që vendet përkatëse të mbështesin qeveritë e tyre të promovojnë të parat zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe bashkëpunimin ekonomik e teknologjik.(Foto nga VCG)