气候---[qì hòu]---Klimë

Presidenti i Kinës Xi Jinping mori pjesë të enjten nëpërmjet videos në Samitin e Liderëve për Klimën në Pekin. Në fjalimin e tij, presidenti Xi tha se përballë vështirësive të pashembullta në qeverisjen globale të mjedisit, bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë angazhime të guximshme dhe të veprojë me përgjegjësi, duke bashkëpunuar për të siguruar bashkëjetesën harmonike mes njeriut dhe natyrës.

“Ndryshimi i klimës ka sjellë sfida serioze ndaj ekzistencës dhe zhvillimit të njerëzimit. Nëna Natyrë siguron gjithçka thelbësore që njerëzimi të mbijetojë dhe të lulëzojë. Ajo na ushqyen dhe ne duhet ta trajtojmë Natyrën me respekt, ta mbrojmë dhe të ndjekim ligjet e saj. Shkatërrimi sistematik i natyrës do të na lërë ne qeniet njerëzore si një lumë pa burim dhe një pemë pa rrënjë. ”

Sipas tij, duhet të braktisen modelet e zhvillimit që dëmtojnë mjedisin ekologjik dhe të hiqet dorë nga qasjet dritëshkurtra për qëllime përfitimi në kurriz të mjedisit. Gjithashtu, duhet të shfrytëzohen mundësitë e mëdha që ofron kalimi në zhvillimin e gjelbër dhe të mundësohet që fuqia e novacionit të nxitë përditësimin e strukturave ekonomike, energjetike dhe industriale, duke garantuar që mjedisi të shërbejë për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror në mbarë botën.

Presidenti kinez theksoi se Kina e ka vendosur ndërtimin e qytetërimit ekologjik në strategjinë e zhvillimit të socializmit me karakteristika kineze, duke ndjekur rrugën e zhvillimit me lëshim të ulët të karbonit në të mirë të mbrojtjes së mjedisit.

“Kina do të përpiqet të realizojë arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit para fundit të vitit 2030 dhe neutralizimin e karbonit para vitit 2060. Intervali kohor midis arritjes së këtyre dy objektivave është shumë më i shkurtër se koha që u është dashur vendeve të zhvilluara, gjë që kërkon shumë përpjekje të vështira”, shtoi Xi.

Ai theksoi se Kina po përpilon planin e arritjes së kulmit të shkarkimit të karbonit, duke mbështetur sektorët kryesorë ta arrijnë së pari këtë objektiv. Ndërkohë, Kina do të vërë nën kontroll të rreptë termocentralet, për të ulur gradualisht varësinë e saj energjetike ndaj konsumit të qymyrgurit.

"Ne duhet të punojmë në bazë të ligjit ndërkombëtar, të ndjekim parimet e barazisë e të drejtësisë dhe të përqendrohemi në veprimet efektive. Duhet të mbështesim sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb dhe të veprojmë në përputhje me objektivat dhe parimet e paraqitura në Konventën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike dhe Marrëveshjen e Parisit, si dhe të punojmë për përmbushjen e Agjendës për Zhvillim të Vazhdueshëm 2030. Në këtë proces, duhet të bashkohemi dhe jo të fajësojmë njëri-tjetrin; duhet të këmbëngulim dhe të mos bëjmë ndryshime çdo ditë; duhet t'i mbajmë premtimet dhe mos t’i shkelim ato", theksoi presidenti Xi.

Ai tha gjithashtu se vendet e zhvilluara duhet të tregojnë ambicie dhe të ndërmarrin veprime më të mëdha, dhe njëkohësisht të ndihmojnë në mënyrë efektive vendet në zhvillim në fushat e fondeve, të teknologjisë, të forcimit të kapaciteteve etj., për të rritur aftësitë e tyre në përballimin e ndryshimit të klimës.

Presidenti Xi përshëndeti rikthimin e ShBA-së në procesin shumëpalësh të qeverisjes së klimës. Kina dhe ShBA-ja sapo kanë publikuar "Deklaratën e përbashkët për përballimin e krizës së klimës". Kina shpreson të bëjë përpjekje me bashkësinë ndërkombëtare, duke përfshirë ShBA-në, për të promovuar qeverisjen globale të mjedisit.

Në fund, presidenti Xi tha se Kina i jep përparësi mbrojtjes ekologjike dhe zhvillimit të gjelbër dhe me lëshim të ulët karboni. Si pjesëmarrëse, kontribuuese dhe udhëheqëse në ndërtimin e qytetërimit ekologjik botëror, Kina praktikon me vendosmëri multilateralizmin dhe përpiqet të nxitë ndërtimin e një sistemi global të qeverisjes mjedisore të drejtë, të arsyeshëm dhe me përfitime të ndërsjella.