正义---[zhèng yì]---Drejtësi
Pas gjykimit për afro tre javë, gjykata e kontesë Hennepin në shtetin amerikan të Minesotës vendosi ta shpallë ish-policin Derek Chauvin fajtor për të tre akuzat lidhur me vdekjen e afroamerikanit George Floyd.
Në një fjalim të mbajtur pas vendimit, presidenti amerikan Joe Biden u shpreh se ky vendim është një përparim i madh për goditjen e racizmit sistemor të vendit. Por, shumë të tjerë janë të mendimit se vendimi vetëm shpalli fajtorin, por nuk solli drejtësi për vdekjen e Floyd-it.
Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, diskriminimi racial ka depërtuar në thellësi të shoqërisë amerikane. Sipas "New York Times"-it, vetëm në tre javët e gjyqit ndaj Chauvin-it, policia amerikane vrau mbi tre veta në ditë, gjysma prej të cilëve me origjinë afroamerikane ose hispanike. "Më tragjikja është se, disa orë pas dënimit të Chauvin-it, një vajzë 15-vjeçare me ngjyrë u vra nga policia në shtetin Ohajo. Nga këto kuptohet se rasti i George Floyd-it, që ngjalli protesta globale kundër racizmit, nuk i ka frenuar veprimet e policisë amerikane", thuhet në koment.
Kjo situatë është e pandarë nga toleranca afatgjatë e sistemit të drejtësisë. Në ShBA shumë pak vrasje gjatë kryerjes së detyrës nga policia përballen me akuza ligjore dhe rrallë të akuzuarit dënohen sipas ligjit. Sipas statistikave të profesorit të asociuar të drejtësisë penale të Universitetit Shtetëror Bowling Green të ShBA-së Philip Stinson, për mijëra vrasjet e bëra nga policia gjatë zbatimit të detyrës që nga 2005-a, vetëm ndaj më pak se 140 policëve është ngritur padi e vetëm shtatë prej tyre u dënuan.
Si një pjesë përbërëse historikisht e sistemit amerikan, "supremacia e bardhë" konsiderohet si arsye thelbësore e diskriminimit racial. Në librin e saj "Strategjia emergjente", studiuesja amerikane Maree Brown shkruan se "ndodhemi në një luftë të përfytyruar, ku shumë banorë të zinj vdesin për shkak se në përfytyrimet e të bardhëve, ata janë të rrezikshëm". Fjalët e avokatit të Derek Chauvin-it Eric Nelson kanë pasqyruar pikërisht këtë mendim. Sipas tij, Floyd-i "me trup muskulor" kishte fuqi të jashtëzakonshme pas përdorimit të drogës dhe ai u arrestua në një zonë me përqindje të lartë krimesh.
"Fjalët e Nelsonit tregojnë se në 400 vjet, njerëzit me ngjyrë në ShBA janë etikuar me shumë përshkrime negative dhe një paragjykim i tillë i rrënjosur është arsye e ekzistencës së gjithanshme, sistematike dhe të vazhdueshme të racizmit në ShBA. Siç tha presidenti Joe Biden, racizmi sistemor është një njollë në shpirtin amerikan. Një gjykim pa dyshim nuk mund ta pastrojë atë dhe mbetet ende një rrugë e gjatë drejt realizimit të drejtësisë së kërkuar nga pakicat në ShBA", përfundon komenti i CMG-së.(Foto:VCG)
(Zhang Yan/Artan)