新疆---[xīn jiāng]---Xinjiang
Si fabrikohen gënjeshtrat rreth Xinjiang-ut? Një raport i posaçëm i publikuar ditët e fundit në uebsajtin e Partisë Australiane të Qytetarëve jep përgjigje, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës.
Raporti prej 40 faqesh me titullin "Xinjiang, kufiri perëndimor i Kinës në qendër të Euroazisë" përbëhet nga tetë pjesë, të cilat me fakte dhe shifra zbulojnë synimet gjeopolitike dhe veprimet konkrete të disa vendeve perëndimore për të sabotuar qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e Kinës nëpërmjet mbështetjes ndaj separatizmit dhe terrorizmit.
Sipas raportit, në vitin 2003, Agjencia Qendrore e Informacionit e ShBA-së (CIA) propozoi që, gjatë përballjes ose kundërvënies ndaj Kinës, nuk duhet të përjashtohet "karta e Xinjiang-ut". Ndërsa, që nga viti 2004, Fondi Kombëtar për Demokracinë i ShBA-së ka investuar 8.76 milionë dollarë amerikanë për të financuar organizata separatiste të Xinjiang-ut. Në nëntorin e vitit 2020, pala amerikane e hoqi Lëvizjen e Turkistanit Lindor, të njohur gjerësisht në arenën ndërkombëtare si organizatë terroriste, nga lista e organizatave terroriste, gjë që shfaq haptazi përkrahjen ndaj terrorizmit në Xinjiang, vihet në dukje në koment.
Në raport përmenden edhe disa nga burimet e gënjeshtrave të përhapura gjerësisht në mediat perëndimore, si "Amnesty International", "Human Rights Watch", Instituti Australian i Politikave Strategjike (ASPI). Për shembull, ditët e fundit, njoftimet e publikuara nga ASPI dolën përsëri se ishin të gabuara. Sipas "Projektit për të dhënat rreth Xinjiang-ut" të këtij instituti, qeveria kineze ka shtuar vendet e reja të ndalimit të banorëve. Por faktikisht, mbi 90 % e vendeve të përmendura janë ndërtesa organesh publike, spitale, godina, dyqane etj.
Pak ditë më parë u publikua në internet një intervistë e dhënë në vitin 2015 nga ish-përkthyesja e FBI-së Sibel Edmonds. Në video ajo deklaroi se plani i ShBA-së është përsëritje e metodave të përdorura në Afganistan, Ukrainë, Irak, duke krijuar rrëmujë në opinion mbi çështjen e Xinjiang-ut për të përfituar. Por, edhe pse media perëndimore është nxitur të trillojë lajme të tilla që mund të tërheqin vëmendje, Edmonds vetë pohoi në intervistë se "fjalët e palës kineze janë më afër realitetit".
"E vërtetë është ajo që shihet me sy dhe jo fjalët bosh" vihet në dukje në komentin e CMG-së.
Vlogeri izraelit Raz Galor vajti në Xinjiang dhe provoi atje mbjelljen e automatizuar të pambukut. Ai vuri në dukje në një intervistë për televizionin kinez CGTN se "gjithçka këtu është normale" dhe "njerëzit kanë bërë dhe po bëjnë përpjekje si gjithmonë për një jetë më të lumtur".
Edhe vlogeri britanik Jason Lightfoot, që ka banuar për disa vjet në Kinë, ekspozoi në një video të tij metodat e vjetra që përdorin disa media perëndimore për të shtrëmbëruar të vërtetën për të prishur stabilitetin e Kinës.
"Pa dyshim, mbi çështjen e Xinjiang-ut, nëse forcat ndërkombëtare që përfaqësojnë të drejtën bashkohen, flluska e gënjeshtrave të konspiratorëve perëndimorë do të shpohet, duke asgjësuar edhe orvatjet e tyre për ta frenuar Kinën me anën e Xinjiang-ut", përfundon komenti i CMG-së.(Foto:VCG, CGTN, Xinhua)