武汉---[wǔ hàn]---Wuhan
Në Wuhan lulet e qershisë kanë çelur, qendrat tregtare janë mbushur me fluks njerëzish dhe ndërtesa turistike "Huanghelou" ndriçon natën me dritat e ngjyrshme... Mediat e huaja janë habitur, duke thënë që shpejtësia e mëkëmbjes së Wuhan-it është e pabesueshme.
Më 8 prill 2020 ndaloi “mbyllja” e Wuhan-it që kishte zgjatur për 76 ditë dhe qyteti “rinisi” zhvillimin ekonomik e shoqëror. Në vitin 2020, Wuhan-i i përballoi ndikimet e epidemisë dhe vëllimi i përgjithshëm i ekonomisë së tij është rikthyer ndër 10 qytetet e para të Kinës, kurse vlera e shtuar e ekonomisë digjitale ka zënë rreth 40 % të GDP-së së qytetit.
Rimëkëmbja e shpejtë e Wuhan-it ka treguar edhe një herë rëndësinë e madhe të vendimit të Kinës për “mbylljen” e qytetit dhe për ndalimin e përhapjes së epidemisë. Kryeredaktori i revistës “The Lancet” Richard Horton ka vënë në dukje që, me mbylljen e Wuhan-it, Kina i ka dhënë kohë botës për përballimin e epidemisë. Ky jo vetëm ishte një vendim i drejtë, por edhe u ka treguar vendeve të tjera si të përballohen kërcënimet urgjente të epidemisë. “Unë mendoj që duhet ta falënderojmë Kinën për përpjekjet e saj në luftën antiepidemike në Wuhan,” vuri në dukje Horton.
Zhvillimi i Wuhan-it në këtë vit është bërë një dritare, ku bota mund të shohë jo vetëm parandalimin e epidemisë dhe rifillimin e prodhimit, por edhe përpjekjet e mëdha të Kinës në luftën globale antiepidemike dhe mëkëmbjen ekonomike.
Mbi 220 miliardë maska për vendet e tjera, ndihma antiepidemike për 150 vende dhe dhjetë organizata ndërkombëtare, vaksina për 80 vende dhe tre organizata ndërkombëtare... “Made in China” është bërë një pikë furnizimi për luftën e botës kundër COVID-19, duke marrë falënderime dhe vlerësime nga shumë palë.
Gazeta e Kazakistanit "The Industry" publikoi një artikull për ofrimin e ndihmave nga Kina për vendet euro-aziatike, duke i përshkruar vaksinat kineze si “shi në kohën e duhur” për vendet e rajonit. Komuniteti ndërkombëtar është i mendimit që Kina ka dhënë kontribut të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm për bashkëpunim ndërkombëtar lidhur me përballimin e epidemisë.
Ekonomia kineze është në mëkëmbje të qëndrueshme dhe kjo është një mbështetje e fuqishme për ekonominë botërore. Falë një sërë masash të sakta dhe me përpjekjet e përbashkëta të popullit kinez, vjet vëllimi i përgjithshëm i ekonomisë kineze i kaloi 100 trilionë juanët, duke u bërë e vetmja ekonomi kryesore me rritje. Po në vitin 2020 import-eksporti i mallrave u rrit me 1.9 % krahasuar me 2019-n dhe përdorimi i investimeve të huaja është shtuar me 6.2 %. Kjo ka luajtur rol stabilizues për zinxhirin global industrial dhe të furnizimit. "Bloomberg"-u vlerëson që rritja e Kinës po ndihmon ekonominë botërore të rimëkëmbet.
Ditët e fundit, FMN-ja publikoi raportin "Perspektiva e ekonomisë botërore", ku parashikohet që sivjet ekonomia globale do të rritet me 6 %, dhe Kina do të shënojë një rritje 8.4%. Nga kjo shifër mund të shohim që komuniteti ndërkombëtar ka pohuar politikat e Kinës dhe ka besim të vendosur për perspektivën e zhvillimit të ekonomisë kineze. Pa dyshim, një Kinë me situatë të re zhvillimi do të sjellë më shumë mundësi të mira për botën.
Vlen të përmendet që tani shumë vende europiane dhe ShBA-ja po përballen me shtimin e rasteve të infektimit dhe disa vende janë detyruar të marrin masa si “mbyllja”. Kështu që mëkëmbja ekonomike gjendet përpara sfidave të reja. Në këtë moment kyç, bashkëpunimi i bazuar në frymën shkencore dhe shmangia e politizimit të epidemisë është detyra më urgjente dhe më e domosdoshme.(Jiang Lei)