疫苗---[yì miáo]---Vaksinë
Kohët e fundit, Kina po zhvillon bashkëpunim mbi vaksinat me vendet e botës në mënyra të ndryshme, për të kapërcyer së bashku epideminë dhe për të promovuar zhvillimin e përbashkët pas epidemisë. Kina ka shtuar më shumë besim në unitetin dhe bashkëpunimin e botës për të luftuar epideminë.
Disa ditë më parë, kontingjenti i dytë i vaksinave të COVID-19 që Zimbabve ka blerë nga Kina mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar "Robert Mugabe" në kryeqytetin e Zimbabves Harare. Znj. Deborah Birch, 65 vjeçe, e bëri vaksinën kineze me këshillën e mjekut të saj. Ajo tha:
"Pasi të vaksinohem, do të ndihem shumë e lirë dhe e relaksuar, dhe do të siguroj mbrojtjen bazë. Kam besim te vaksina kineze, sepse është vaksinë e inaktivuar, është një lloj klasik vaksine dhe është testuar gjithashtu për sigurinë".
Vaksinat janë një armë kundër virusit dhe një shpresë për të shpëtuar jetë. Kina është e para që u angazhua për t'i bërë vaksinat një produkt publik global dhe për të rritur aftësinë e vendeve në zhvillim për t'i zotëruar dhe përballuar financiarisht ato. Deri më 30 mars, Kina ka siguruar ndihmë me vaksina për 80 vende e tre organizata ndërkombëtare, ndërsa ka eksportuar vaksina në më shumë se 40 vende. Përveç kësaj, Kina gjithashtu është bashkuar me planin e ri të zbatimit lidhur me vaksinat të OBSh-së dhe ka bërë një premtim të hapur për të ofruar kontingjentin e parë prej 10 milionë dozash vaksine për nevojat urgjente të vendeve në zhvillim.
Kina ka qenë gjithmonë e hapur për bashkëpunim ndërkombëtar mbi vaksinat dhe mbështet në mënyrë aktive kompanitë kineze të bashkëpunojnë me homologet e tyre ndërkombëtare. Deri më tani, kompanitë kineze kanë kryer studimin dhe prodhimin e përbashkët të vaksinave me partnerë në më shumë se dhjetë vende të botës, duke përfshirë provat klinike dhe prodhimin në bashkëpunim. Zhang Yuntao, nënkryetar i Kompanisë Bioteknologjike "Sinopharm" të Kinës, bëri në ditur në një konferencë për shtypin të mbajtur nga Mekanizmi i Përbashkët i Parandalimit dhe Kontrollit i Këshillit të Shtetit të Kinës disa ditë më parë se deri më 28 mars vaksina e inaktivuar e Covid-19 e "Sinopharm"-it është përdorur në 50 vende e rajone të botës.
Prodhimi i përbashkët i vaksinave gjithashtu përparon vazhdimisht. Më 28 mars u mbajt në Abu-Dabi ceremonia për nisjen e projektit të linjës së prodhimit për mbushjen me lëngjet e vaksinave kineze në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Abdullah deklaroi në ceremoni se hapi tjetër i këtij projekti është ndërtimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe i një qendre të prodhimit dhe të transportit të vaksinave në rajonin e Gjirit për të mbështetur më shumë vende në luftimin e epidemisë. Përveç kësaj, duke filluar nga ky vit, Kina do t'i ofrojë Brazilit dy kontingjente përbërësish aktivë farmaceutikë për vaksina çdo muaj, dhe gjithsej 14 kontingjente do të mbërrijnë para fundit të qershorit.
Siguria dhe efektiviteti i vaksinave kineze janë pranuar gjithashtu unanimisht nga komuniteti ndërkombëtar. Udhëheqësit e shumë vendeve, duke përfshirë presidentin Mnangagva të Zimbabves, Ramkaravang të Sejshelleve, Joko të Indonezisë, Erdogan të Turqisë, Sagasti të Perusë, Pinjera të Kilit, Obiang të Guinesë Ekuatoriale etj., bënë të parët vaksinën kineze, duke i dhënë asaj "votëbesimin". (Vera/Artan)