企业---[qǐ yè]---ndërmarrje

Ditët e fundit, një video për operimin e makinerive të mëdha në plantacionet e pambukut në rajonin e Xinjiang-ut është bërë virale në internet. Kjo është kundërgoditja më e fortë kundrejt gënjeshtrave mbi "punën e detyruar" në degën e vjeljes së pambukut në Xinjiang. Ato ndërmarrje, që bojkotojnë verbërisht pambukun e Xinjiang-ut, duhet të dallojnë të drejtën nga e gabuara dhe të mos bëhen vegla politike të ShBA-së dhe të vendeve perëndimore, kundër Kinës, shkruhet në një koment të fundit nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG).

Për tregtarët, më e rëndësishmja është tregtia. Për këto ndërmarrje, mospërdorimi i pambukut të Xinjiang-ut nuk është një tregti e mirë. Aktualisht, pambuku i Xianjiang-ut zë afro 20% të vëllimit të përgjithshëm të prodhimit botëror dhe është bërë pjesë e rëndësishme e zinxhirit të furnizimit global. Zëvendësimi i tij nuk është një gjë e lehtë. Në janar të këtij viti, pala amerikane shpalli ndalimin e importit të pambukut të Xinjiang-ut dhe të gjitha produkteve përkatëse, duke i ushtruar jo pak trysni zinxhirit të furnizimit për markat e mëdha ndërshtetërore. Pavarësisht nga zgjedhja e furnizuesit të ri, apo përballimi i të ashtuquajturit kontroll, këto ndërmarrje kuptojnë vetëm shtimin e kostove. Në një njoftim të fundit të gazetës "New York Times" thuhet se për furnizimin me pambuk, ndërmarrjet përkatëse duhet ta blejnë pothuajse patjetër nga Xinjiang-u.

Në fakt, ky rajon i Kinës nuk shqetësohet për shitjen e pambukut. Pambuku fibërgjatë i Xinjiang-ut është ndër llojet me cilësinë më të mirë në botë. Me produktin cilësor dhe i mbështetur te tregu kinez, më i madhi në botë për konsumin e pambukut, nuk mungojnë fletëporositë për pambukun e Xinjiang-ut. Nga ana tjetër, vëllimi i prodhimit të pambukut cilësor është kufizuar dhe bojkotimi i pambukut të Xinjiang-ut ka mundësi të madhe të shkaktojë turbullirë në zinxhirin global industrial si dhe lëkundjen e jashtëzakonshme të çmimit të produkteve bujqësore. Në fund, zhvillimi i pashëndetshëm i tregut do të dëmtojë gjithashtu ndërmarrjet përkatëse.

Më e rëndësishmja është se bojkotimi i ndërmarrjeve me investimet e huaja në Kinë kundër pambukut të Xinjiang-ut, dëmton edhe imazhin e markave dhe besimin nga konsumatorët kinezë. Këto dëme do të jenë më të thella e më afatgjata për ndërmarrjet përkatëse.

Për ndërmarrjet ndërshtetërore, rëndësia e tregut gjigant kinez me një potencial shumë të madh, është e padiskutueshme. Veçanërisht në vitin 2020, tregu kinez i konsumit u rimëkëmb i pari gjë që është në dobi edhe të manjatëve kombëtarë të veshjeve.

Të marrim për shembull kompaninë e veshje sportive "Nike", që hyri në tregun kinez qysh nga viti 1981. Në vitin financiar 2020, "Nike" pati rritjen prej 8 për qind të xhiros në tregun kinez. Në raportin e saj financiar thuhet se: "Në tremujorin e katërt financiar, paraqitja e zonës pankineze e ndihmoi kompaninë në ekuilibrimin e një pjese humbjesh të papritura si pasojë e pandemisë." Manjatit suedez të modës, "H&M", që ndodhet në qendër të zigzagut të pambukut të Xinjiang-ut, i nevojitet gjithashtu tregu kinez. Kina është një nga pesë tregjet kryesore të kësaj kompanie.

Në komentin e CMG-së thuhet se ndërmarrjet kanë të drejtë të zgjedhin vetë ku blejnë lëndët e para, por rënia pre e komplotit politik do të ketë një kosto më të madhe se përfitimet në të ardhmen. Tregu kinez është gjithmonë i hapur. Kina mirëpret investimet e huaja në vend dhe do të vijojë të krijojë një mjedis të mirë për biznesin e ndërmarrjeve të huaja, por nuk pranon kurrsesi marrjen e fitimeve në Kinë, duke përbaltur Kinën. (Wang Lei/Albana)