奥林匹克---[ào lín pǐ kè]---Olimpik
Nga 1 deri më 10 prill do të zhvillohen një sërë provash për disiplinat e sporteve të akullit për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 në pesë pallate sportive. Me këtë rast, do të kontrollohen në mënyrë praktike punët përgatitore për gjithë disiplinat e akullit të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit, përshirë organizimin e garave, funksionimin e pallateve, garantimin e shërbimeve etj.
Pallati Kombëtar i Patinazhit të Shpejtë, "Shiriti i akullit"/ foto nga VCG
Në shkurt të këtij viti Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit zhvilloi provat për disiplinat e sporteve të dëborës. Ashtu si edhe për to, edhe në provat e disiplinave të sporteve të akullit do të ftohen për marrë pjesë sportistë profesionistë dhe amatorë. Deri tani mbi 700 sportistë e persona shoqërues janë regjistruar për këto prova.
Drejtori i Departamentit të Administrimit të Stadiumeve e Pallateve të Sportit pranë Komitetit Organizator të Olimpiadës Dimërore të Pekinit Yao Hui vuri në dukje se theksi i provave do të jenë pajisjet dhe instalimet e pallateve sportive, organizimi i garave, funksionimi i pallateve, sistemi i komandimit dhe parandalimi e kontrolli i epidemisë.
Pallati Kombëtar i Patinazhit të Shpejtë, "Shiriti i akullit"/ foto nga VCG
Pallati Kombëtar i Patinazhit të Shpejtë, me emrin "Shiriti i akullit", është i vetmi objekt që është ndërtuar posaçërisht për këto lojëra olimpike dimërore. Në këtë pallat sipërfaqja e akullit arrin në 12 mijë metra katrorë, më e madhja në Azi. Para provave, këtu përfundoi prodhimi i parë i akullit dhe pritet që ai të bëhet "akulli më i shpejtë" për sportistët. Drejtori i grupit të vënies në funksionim të pallatit, Wu Xiaonan, tha se stafi i prodhimit të akullit, që është kyçi i pallatit, kryesohet nga Mark Karlen, prodhues ndërkombëtar i akullit, i cili ka marrë pjesë në gjashtë olimpiada dimërore, dhe përbëhet nga prodhues kinezë të akullit me përvojë. Në këtë grup përfshihen edhe shumë të rinj, për të kultivuar më shumë talente.
"Kësaj here marrin pjesë edhe studentët e kursit të prodhimit profesionist të akullit, prandaj kjo është një praktikë për ta. Në vitin 2019 ata morën pjesë në prodhimin e parë të akullit në Qendrën Kombëtare të Notit, që quhet edhe 'Kubi i ujit', por që tani është shndërruar në 'Kubin e akullit'. Besoj se kësaj here cilësia e prodhimit të akullit prej tyre do të jetë më e mirë," tha Wu Xiaonan.
Qendra Kombëtare e Notit, "Kubi i akullit"/ foto nga VCG
Gjatë provave, në pallatet përkatëse do të përdoren shumë teknologji të reja. Drejtori i grupit të funksionimit të Pallatit të Sportit të Wukesong-ut, Chen Shuang, bëri të ditur se ata do të provojnë metoda teknologjike, si termometrat inteligjentë, robotët e logjistikës, ritransmetimi nëpërmjet teknologjisë cloud etj., në përputhje me kërkesat për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë.
Pallati i Sportit të Wukesong-ut/ foto nga VCG
Yao Hui tha se zbulimi i problemeve gjatë provave dhe përmirësimi i tyre janë punë shumë të rëndësishme përgatitore për Lojërat Olimpike Dimërore. P.sh., në "Shiritin e akullit", si një pallat krejt i ri, nuk është zhvilluar asnjë garë a ndeshje, prandaj është normale që të lindin probleme gjatë provave. Ai tha:
"Shfaqja e problemeve para ndeshjeve zyrtare, në njëfarë mënyre, është pasuri për ne. Me kufizimin nga kushte të ndryshme, provat kanë shumë ndryshime nga veprimtaritë zyrtare. Në këtë drejtim do të dëgjojmë gjerësisht vërejtjet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Komiteti Paralimpik Ndërkombëtar dhe federatat ndërkombëtare të sportit, që të përgjithësojmë gjithanshëm mësimet dhe të metat e provave, për të përsosur mënyrën e funksionimit të lojërave." (Wang Lei/ Artan)