历史---[lì shǐ]---histori


"Kundrejt përkujdesit hipokrit të ShBA-së për 'të mirën' e myslimanëve kinezë, i vetmi reagim i arsyeshëm është qeshja, tallja dhe ironia." Ditët e fundit, uebsajti "Russia Today" vuri në dukje haptazi hipokrizinë dhe absurditetin e sanksioneve të ShBA-së ndaj Kinës nën pretekstin e të drejtave të njeriut në Xinjiang.

Përse një pjesë politikanësh amerikanë, të cilët shpërfillin racizmin që është acaruar gjithnjë e më shumë në vendin e tyre, tregojnë kujdes për të drejtat e njeriut të banorëve në Xinjiang, që ndodhet shumë larg ShBA-së? Si mund të shpjegohet që këta politikanë tregojnë "vëmendje" për të drejtat e njeriut në Xinjiang, por njëkohësisht shtrijnë duart e tyre të zeza drejt pambukut të bardhë të Xinjiang-ut dhe orvaten të zhdukin vendet e punës të miliona fermerëve të pambukut në këtë rajon?

Në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), thuhet se, në fakt, për kinezët është i panjohur i ashtuquajturi krim i "punës së detyruar", i fabrikuar nga vendet perëndimore, sepse pasurimi nëpërmjet punës ka qenë besimi i kinezëve dhe gjithashtu motori i përparimit të Kinës. Ku ndodhet "puna e detyruar"? Në historinë e zhvillimit të vendeve perëndimore, "puna e detyruar" ka qenë një faqe e errët e pamohueshme.

Të marrim për shembull ShBA-në. Në fillim të shekullit të 18-të, me zhvillimin e vrullshëm të industrisë së pambukut, u shitën në krahinat jugore për vjeljen e pambukut një numër i madh njerëzish me ngjyrë, të cilët, nën kamzhikun e pronarëve të plantacioneve, u detyruan të punonin pa pagesë.

Kjo histori e fëlliqur përbën një pjesë të historisë qindravjeçare të skllavërisë në ShBA dhe është burimi kryesor i diskriminimit racial të gjithanshëm, sistemor dhe të vazhdueshëm në këtë vend. Le të shohim çfarë kanë bërë kundrejt myslimanëve politikanët amerikanë, që flasin shpesh për të drejtat e njeriut të banorëve në Xinjiang.

ShBA-ja është i vetmi vend në botë që publikoi urdhrin ekzekutiv për ndalimin e hyrjes së myslimanëve dhe diskrimon e persekuton myslimanët në vend. Sipas raportit të publikuar në vitin 2018 nga Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, qysh nga viti 2016 numri i grupeve antimyslimane në ShBA u shtua dy herë.

Nën pretekstin e antiterrorizmit, ShBA-ja shpërtheu luftërat në Afganistan, Siri dhe Irak, të cilat kanë shkaktuar dhjetëra milionë refugjatë myslimanë. Gjatë gjendjes epidemike, ShBA-ja ka ushtruar presion ekstrem ndaj Iranit, gjë që shkaktoi recesion të rëndë ekonomik në këtë vend.

Një vend që nuk respekton myslimanët , pse tregon "përkujdes të jashtëzakonshëm" ndaj myslimanëve në Xinjiang? Orvatjet politike të ShBA-së janë shumë të qarta. Qëllimi i saj i vërtetë është dëmtimi i vendeve të punës të punëtorëve të tekstileve në Xinjiang, shkatërrimi i stabilitetit në këtë rajon dhe frenimi i zhvillimit të Kinës. Ashtu siç pohoi haptazi ish-koloneli amerikan Lawrence Wilkerson, "i ashtuquajturi problem i ujgurëve në Xinjiang, është vetëm një komplot strategjik i Shteteve të Bashkura për destabilizimin e brendshëm të Kinës dhe për frenimin e këtij vendi." Profesori i Universitetit të Harvardit Steven Kelman vuri në dukje në mënyrë ironike se të vetmit myslimanë që i pëlqejnë ShBA-së janë ata në Xinjiang. Politikanët amerikanë nuk kujdesen për asnjë vend mysliman.

Në komentin e CMG-së thuhet se gënjeshtrat ndalohen nga të mençurit. Orvatja e një pjese të politikanëve amerikanë dhe të vendeve të tjera perëndimore për frenimin e Kinës me anë të çështjes së Xinjiang-ut u demaskua dhe mori kundërpërgjigje të prerë nga pala kineze. Kjo farsë plot gënjeshtra rreth Xinjiang-ut e ShBA-së dhe e vendeve perëndimore duhet të përfundojë.