工具---[gong jù]---Mjet
Ditët e fundit, pasi Kina deklaroi masa kundërpërgjigjeje ndaj sanksioneve të Bashkimit Europian mbi çështjen e Xinjiang-ut, Parlamenti Europian, i nxitur nga disa politikanë, anuloi mbledhjen për shqyrtimin e Marrëveshjes së Gjithanshme të Investimeve midis dy palëve, për t'i ushtruar presion Kinës.
Volkswagen në Kinë(Foto nga VCG)
Lidhur me këtë, Grupi Mediatik i Kinës botoi një koment, ku vihet në dukje se marrëveshja nuk duhet të jetë mjet politik dhe se Europa duhet të marrë parasysh dy gjërat në vijim:
Së pari, marrëveshja e investimeve nuk është një "dhuratë" nga Europa ndaj Kinës, por është në përputhje me interesat e të dy palëve dhe favorizon zgjerimin e tregut e shtimin e investimeve të ndërsjella. Pengimi i miratimit të kësaj marrëveshjeje dëmton edhe interesat europiane.
Së dyti, sfidat reale para shqyrtimit të marrëveshjes janë forcat antikineze brenda BE-së. Për shembull, parlamentari europian Reinhard Bütikofer ka nxitur kundërvënien ndaj kësaj marrëveshjeje dhe, pasi u përfshi në listën e sanksioneve nga Pekini, ai përsëri kërcënoi me marrëveshjen e investimeve.
Foto nga VCG
Carrefour në Kinë(Foto nga VCG)
Marrëveshja e investimeve Kinë-Europë është e balancuar, e nivelit të lartë dhe me leverdi të ndërsjellë. Dy palët kanë premtuar lehtësimin e hyrjes në tregjet e njëra-tjetërs dhe të gjitha rregullat praktikohen reciprokisht pa dallim. Kjo do të krijojë një mjedis konkurrence të barabartë për ndërmarrjet kineze, europiane, e madje globale.
Sipas komentit, në dy dekadat e kaluara, ndërmarrjet europiane kanë investuar 146 miliardë euro në Kinë, duke pasur shumë përfitime nga tregu gjigant kinez me 1.4 miliard banorë. Prandaj, nënshkrimi i marrëveshjes së investimeve në fund të vitit të kaluar është pritur ngrohtë nga qarqet e biznesit. Shumë analistë janë të mendimit që, nëse dështon marrëveshja, BE-ja do të humbë një mundësi të madhe. Tani ka zëra brenda Unionit që kërkojnë mbrojtjen e interesave tregtare të Europës në Kinë prej sakrifikimit për çështje politike.
"Të dhënat nga Eurostati tregojnë se vjet Kina për herë të parë e kaloi ShBA-në dhe u bë partnerja më e madhe tregtare e Bashkimit Europian. Ndërkohë, ndër dhjetë partnerët më të mëdhenj tregtarë të Unionit, BE-ja arriti që vetëm me Kinën të ketë rritje të importit dhe të eksportit. Rezultate të tilla të arritura me shumë përpjekje duhet të ruhen nga të dy palët," përfundon komenti i CMG-së.
China Express midis Kinës dhe Europës(Foto nga VCG)
(Zhang Yan/Artan)