谎言---[huǎng yán]---Gënjeshtër

Xinjiang

Xinjiang

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës deklaroi të hënën sanksione ndaj 10 individëve dhe 4 subjekteve europiane që kanë dëmtuar rëndë sovranitetin dhe interesat e Kinës dhe kanë përhapur me keqdashje gënjeshtra dhe informacione të rreme rreth Kinës. Në një koment të Grupit Mediatik të Kinës, ky veprim cilësohet si një reagim i drejtë dhe i domosdoshëm ndaj palës europiane, që pasqyron vendosmërinë dhe vullnetin e Kinës në mbrojtjen e të drejtave të sovranitetit, të sigurisë kombëtare dhe interesave të zhvillimit.

Në fakt, që prej deklarimit nga Brukseli se po shqyrtonte mundësinë e vendosjes së sanksioneve për çështjen e Xinjiang-ut, Pekini e bëri të ditur se do të reagonte me masa konkrete. "Prandaj, këto sanksione (ndaj palës europiane) janë mbajtje e premtimit të dhënë", shkruhet në koment.

Personat dhe subjektet që përfshihen në listën e sanksioneve kanë ndërhyrë pandërprerë në punët e brendshme të Kinës dhe kanë përbaltur emrin dhe dinjitetin e popullit kinez.

Banorë ujgurë në Xinjiang

Banorë ujgurë në Xinjiang

Le të marrim për shembull, Adrian Zenz-in, një studiues antikinez nga Gjermania, që është autori i një sërë gënjeshtrash mbi Xinjiang-un. Ai, që nuk ka qenë asnjëherë në këtë rajon të Kinës, në bazë të spekulimeve dhe të hamendjeve, ka fabrikuar dhjetëra artikuj dhe raporte që nga viti 2018, duke e akuzuar Kinën për krimin e "gjenocidit". "Por faktikisht, në katër dekadat e kaluara, popullsia ujgure në Xinjiang është rritur nga 5.55 milionë në 12.70 milionë dhe jetëgjatësia mesatare e ujgurëve është ngritur nga 30 në 72 vjeç", thuhet në komentin e CMG-së.

Megjithatë, shkrimet e Zenz-it prapë përdoren gjerësisht nga politikanët perëndimorë si mjete kundër Kinës. Ata përhapin gënjeshtra të tilla për të realizuar "frenimin e zhvillimit të Kinës nëpërmjet Xinjiang-ut".

Ndërkohë, anëtari i Parlamentit Europian Reinhard Bütikofer ka qenë gjithmonë në krye të sulmeve kundër Kinës. Bütikofer-i ka ngritur shumë herë akuza pa bazë ndaj politikave të Kinës në Xinjiang dhe ka nxitur sanksione ndaj zyrtarëve kinezë, duke penguar përparimin e Marrëveshjes së Gjithanshme të Investimeve Kinë-BE.

Nxënës në Xinjiang

Nxënës në Xinjiang

Sipas komentit, "mashtrime" të tilla politike nuk mund t'u hedhin gjithmonë hi syve njerëzve. Nga libri i shkrimtarit francez Maxime Vivas "Përfundimi i lajmeve të rreme rreth ujgurëve" dhe fjalët mbështetëse të zyrtarëve e mediave që kanë vizituar Xinjiang-un, deri në deklaratën e mbi 80 vendeve në sesionin e 46-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut pro politikave të Kinës, të gjitha këto kanë treguar të vërtetën që nuk mund të fshihet ose të mohohet.

"Në botë nuk ka një rrugë universale për të drejtat e njeriut. Banorët në Xinjiang gëzojnë stabilitet, siguri, zhvillim dhe përparim. Ky është shembull më i mirë i arritjeve të Kinës në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Shpresojmë që vendet përkatëse të zgjidhin së pari problemet e veta dhe të mos zbatojnë standarde të dyfishta, sepse manipulimet e tyre nuk mund të përfaqësojnë bashkësinë ndërkombëtare, por vetëm zbulojnë hipokrizinë e tyre", përfundon komenti i CMG-së. (Zhang Yan/Artan)