外长---[wài zhǎng]---Ministër i jashtëm
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov filloi të hënën një vizitë dyditore në Kinë. Lavrovi është ministri i jashtëm i parë që viziton Kinën sivjet. Gjithashtu, kjo është edhe vizita e parë e kreut të diplomacisë ruse në Kinë pas fillimit të epidemisë së koronavirusit. Kalendari i pazakontë diplomatik tregon marrëdhëniet e pazakonta midis fuqive të mëdha kino-ruse.
Ky vit shënon 20-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit Kino-Rus të Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit Miqësor. Të dy palët kanë krijuar konceptin e miqësisë ndër breza dhe parimet e marrëdhënieve të reja ndërkombëtare në një formë ligjore, duke i nxitur marrëdhëniet kino-ruse të bëhen marrëdhëniet mes fuqive kryesore me shkallën më të lartë të besimit të ndërsjellë, nivelin më të lartë të bashkëpunimit dhe vlerat më të larta strategjike. Në konferencën e shtypit të "dy sesioneve" jo shumë kohë më parë, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi njoftoi se "të dy palët kanë rënë dakord ta zgjasin traktatin dhe t'i japin atij nuancat e reja të kohës".
Jiang Yi, studiues në Institutin e Studimit të Çështjeve të Rusisë, Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore në Akademinë e Shkencave Shoqërore të Kinës, beson se koncepti i "nuancave të reja të epokës" pasqyrohet në shumë aspekte:
"'E reja' e parë është se, pas 20 vjetëve të zhvillimit të shpejtë të marrëdhënieve midis dy vendeve (pas nënshkrimit të Traktatit), të gjitha fushat e bashkëpunimit po përballen me detyrën e përmirësimit të cilësisë dhe efikasitetit. Kjo është në një nivel dypalësh. Përveç kësaj, 'e re' tjetër janë ndryshimet e mëdha ndërkombëtare (të sjella) nga mjedisi i ri dhe situatat e reja. Si mund të punojnë së bashku të dy vendet për të luajtur një rol më aktiv në qeverisjen ndërkombëtare, stabilitetin global dhe përgjigjen ndaj sfidave të ndryshme? Domethënë, bashkëpunimi strategjik ndërmjet të dy vendeve ende përballet me disa sfida të reja ".
Sipas njoftimeve nga të dy qeveritë, vizita e Lavrovit në Kinë do të jetë e lidhur ngushtë me "marrëdhëniet dypalëshe" dhe "bashkëpunimin strategjik". Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës njoftoi se, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm Lavrov në Kinë, ministrat e jashtëm të Kinës dhe Rusisë do të shkëmbejnë pikëpamje mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe takimet e fundit të nivelit të lartë, si edhe mbi çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët.
Në vitin 2020 shkëmbimet ekonomike-tregtare ndërmjet Kinës e Rusisë i bënë ballë provës së epidemisë, duke i tejkaluar 100 miliardë dollarët amerikanë për tre vjet rresht. Kina ka qenë partnerja më e madhe e Rusisë për 11 vjet rresht.
Jiang Yi beson se në situatën aktuale ndërkombëtare, një detyrë e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve kino-ruse është promovimi i rritjes ekonomike të të dy vendeve nëpërmjet bashkëpunimit të mëtejshëm, forcimi i fuqisë së tyre dhe më pas promovimi i bashkëpunimit në mbarë rajonin. Ai vuri në dukje se Kina dhe Rusia kanë ende potencial të madh për të shfrytëzuar në drejtim të inovacionit teknologjik dhe investimeve.
Udhëtimi i Lavrovit në Kinë përkoi gjithashtu me përfundimin e dialogut strategjik të nivelit të lartë Kinë-ShBA dhe kjo tërhoqi vëmendjen e veçantë të botës së jashtme. Jiang Yi u shpreh se bashkëpunimi i ngushtë strategjik midis Kinës dhe Rusisë nuk ka synuar kurrë përballjen me Shtetet e Bashkuara, por nxitjen e krijimit të një lloji të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare.
"Një detyrë shumë e rëndësishme e bashkëpunimit të ngushtë strategjik midis Kinës e Rusisë përgjatë viteve është trajtimi i unilateralizmit, hegjemonizmit dhe politikës së ngacmimit që janë shfaqur në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, të dy vendet gjithashtu kanë kontribuuar në demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe procesin e krijimit të një bote shumëpolare", tha ai. (Vera/Artan)