合作---[hé zuò]---bashkëpunim

Në mars 2011 filloi shërbimi i trenit të rregullt Kinë-Europë nga Chongqing-u në Duisburg të Gjermanisë (Chongqing-Xinjiang-Europë). Gjatë 10 vjetëve, janë bërë afro 7600 udhëtime në këtë linjë dhe treni i rregullt ka luajtur një rol pionieri dhe shtylle, duke u dhënë gjallëri të re lidhjeve tregtare dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta mes Kinës dhe Gjermanisë.

Duisburgu është një terminal i rëndësishëm hekurudhor dhe është qyteti i parë europian që vendosi lidhje miqësore me një qytet kinez. Kryebashkiaku i Duisburgut Sören Link thekson se, që prej vitit 2014, kur presidenti kinez Xi Jinping vizitoi nga afër linjën hekurudhore Chongqing-Xinjiang-Europë, bashkëpunimi konkret mes Duisburgut dhe shumë qyteteve kineze është thelluar më tej. Me këtë linjë hekurudhore, Duisburgu, madje i gjithë landi i Vestfalisë ka marrë një famë gjithnjë e më të madhe në botë. Nga viti 2014 deri më tani, numri i ndërmarrjeve kineze në Duisburg është shtuar tre herë, duke arritur në 120. Vlen të përmendet që Vestfalia ka numrin më të shumtë të ndërmarrjeve kineze në mbarë Gjermaninë dhe një e treta e kinezëve në Gjermani banojnë pikërisht në këtë land.

Link u shpreh që në këto vite, gjithnjë e më shumë ndërmarrje të të dy vendeve kanë marrë pjesë aktivisht në nismën “Një brez, një rrugë” dhe kanë realizuar përfitime të përbashkëta, duke eksploruar potencialin e bashkëpunimit. Ai beson që në të ardhmen, të dyja vendet do të vazhdojnë të forcojnë lidhjet në logjistikë e tregtinë elektronike dhe të shtojnë shkëmbimet në fushën e qyteteve inteligjente, digjitalizimit etj.

Presidenti i Grupit "Duisport", Erich Staake, vuri në dukje se megjithëse nën ndikimin nga epidemia e COVID-19, në vitin e kaluar vëllimi i transportit të mallrave mes Duisburgut e Kinës pati një rritje të madhe, që arriti në 70 %. Në vitin 2019, çdo javë kishte 35-40 udhëtime mes Duisburgut dhe qyteteve kryesore kineze, dhe pas tremujorit të 2-të, numri u rrit në 60.

“Nga viti 2011 deri më tani zhvillimi i kësaj linje është shumë i kënaqshëm dhe gjallëria e rritjes është shtuar në mënyrë të habitshme. Ne jemi shumë të kënaqur që Duisburgu mund të luajë një rol udhëheqës dhe të bëhet një terminal jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe port hekurudhor Kinë-Evropë. Ne kemi bërë shumë përpjekje dhe kemi investuar shumë për këtë. Veçanërisht emocionuese është që në këtë proces, kemi shtuar vazhdimisht bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm strategjikë kinezë,” u shpreh Erich Staake.

Në dhjetë vjetët e fundit, Grupi "Duisport" dhe partnerët e tij kinezë kanë punuar së bashku për të përmirësuar koordinimin e infrastrukturës dhe doganave përgjatë "Një brez, një rrugë", gjë që jo vetëm ka sjellë efekte pozitive në ekonomi dhe punësim, por gjithashtu ka nxitur lidhjet mes tregjeve aziatike dhe evropiane.

Drejtori i çështjeve tregtare i landit të Vestfalisë, Felix Neugart, është i mendimit që zhvillimi i madh i trenit të rregullt Kinë-Europë ka krijuar një gjendje të re vendore. Sipas tij, pa dyshim, që lidhjet tregtare të këtij landi me Kinën do të futen në një fazë zhvillimi me cilësi më të lartë.

“Duke u hedhur një vështrim dhjetë vjetëve të fundit, vëren se ne kemi hedhur një themel të fortë. Për të ardhmen, ka një hapësirë të madhe zhvillimi. Marrëdhëniet ekonomiko-tregtare mes Vestfalisë dhe Kinës kanë një perspektivë optimiste. Edhe gjatë epidemisë, për shembull, në vitin 2020, vëllimi i tregtisë mes dy palëve u rrit me 3 %. Kjo tregon se, edhe në kushtet kur mjedisi i jashtëm është i vështirë, kemi shënuar një rritje pozitive. Ne besojmë se transporti hekurudhor do të vazhdojë t'i japë gjallëri bashkëpunimit dypalësh ekonomik e tregtar në të ardhmen. Kina dhe Gjermania mund të zgjerojnë ose thellojnë bashkëpunimin në shumë fusha,” thotë Felix Neugart. (Jiang Lei)