声明---[shēng míng]---deklaratë
Kohët e fundit, ShBA-ja dhe Japonia zhvilluan në Tokio takimin e nivelit të lartë “2+2”. Ironia është që "protagonistja kryesore" e takimit ishte Kina. Nga deklarata e takimit mund të shihet qëllimi i hapur i ShBA-së për kufizimin e Kinës, thekson në një koment të vetin Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Nga Deti i Kinës Lindore deri në Detin e Kinës Jugore, nga ishujt Diaoyu deri në ngushticën e Tajvanit, nga Xinjiang-u deri në Hong-Hong... siç u shpreh ministri i Jashtëm i Japonisë Motegi Toshimitsu, bisedimet kryesisht ishin mbi Kinën.
Në deklaratën e përbashkët është përmendur drejtpërdrejt “Kina”, duke shpallur që veprimet e Kinës “nuk përshtaten me rendin ndërkombëtar”. Kjo deklaratë shpërfill faktet dhe është një tjetër dëshmi që ShBA-ja e Japonia ndërhyjnë me qëllim të keq në punët e brendshme të Kinës.
Mirëpo, publiku nuk ka parë ndonjë masë konkrete nga këto dy vende. Takimi “2+2” duket më shumë si një shfaqje politike pa shikues, ndërsa të dyja palët, në fakt, kanë planet e veta.
Sekretari i Shtetit dhe sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së kanë zgjedhur Japoninë për vizitën e tyre të parë. Kjo tregon jo vetëm synimin që të nxitet strategjia e Indo-Paqësorit, por edhe shpresën e Uashingtonit që të rimëkëmbë lidhjet e ngushta me Tokion. Rrjeti NBC njoftoi që, pas marrëdhënieve të paqëndrueshme mes administratës së Trump-it dhe aleatëve si Japonia dhe Koreja e Jugut, qeveria e tanishme amerikane po përpiqet të provojë se ka ndryshuar unilaterizmin e Trump-it dhe po forcon marrëdhëniet me aleatët. Krahas kësaj, ky veprim mund të jetë një koordinim i Uashingtonit me aleatët e vet dhe mund të përdoret si mjet negociimi në dialogun e nivelit të lartë Kinë-SHBA.
Ndërsa Japonia, e cila varet thellësisht nga ShBA-ja në mbrojtje, ka nevojë për mbështetjen amerikane që të bëhet një fuqi rajonale. Krahas kësaj, një qëndrim i fortë ndaj Kinës është edhe një kërkesë politike e kabinetit japonez për të fituar më shumë përkrahje të brendshme.
CMG-ja thekson në komentin e vet që, si vend fqinj i Kinës, Japonia ka pasur përfitime të shumta nga integrimi ekonomik rajonal dhe bashkëpunimi ekonomik e tregtar me Kinën. Nëse bëhet një "gur shahu" për strategjinë e ShBA-së kundër Kinës, Japonia me siguri do të paguajë një kosto kolosale. Më e rëndësishmja është që qeveria e re amerikane ka theksuar rëndësinë e aleatëve, por ajo duhet të garantojë së pari interesat e veta.
Vlen të përmendet që, sipas deklaratës, Traktati i Mbrojtjes ShBA-Japoni vlen edhe për çështjen e ishujve Diaoyu dhe kjo i ka shtuar ngjyrimet ushtarake aleancës mes dy vendeve. Të gjithë e dinë që ishulli Diaoyu dhe ishujt e vegjël përreth janë pjesë territoriale e Kinës. Traktati i Mbrojtjes ShBA-Japoni është rezultat i Luftës së Ftohtë dhe nuk duhet të dëmtojë interesat e një pale të tretë e të kërcënojë paqen e stabilitetin rajonal.
CMG-ja komenton që ShBA-ja dhe Japonia këmbëngulin në mendësinë e Luftës së Ftohtë, përfshihen me qëllim në kundërvënie në grup dhe përpiqen të krijojnë një rrethim kundër Kinës. Kjo është krejtësisht kundër prirjes kryesore. Zhvillimi i Kinës është mundësi dhe jo sfidë për botën. Nëse ShBA-ja dhe Japonia nuk mund ta kuptojnë këtë gjë, aleanca e tyre do të shndërrohet në një pengesë për zhvillimin e tyre dhe të shkaktojë trazira në rajon.(Jiang Lei)