火车---[huǒ chē]---tren
Treni i parë i rregullt Kinë-Europë që udhëton nga Chongqing-u drejtpërdrejt për në Duisburg të Gjermanisë, “Yu-Xinjiang-Europë”, ka filluar shërbimin në mars 2011 dhe këtë vit, mbush 10 vjet. Me mbulimin në zgjerim dhe shërbime në përmirësim, lidhjet ekonomiko-tregtare mes Kinës dhe Gjermanisë janë bërë më të shpeshta dhe më të thella.
Terminali DIT është pika e mbledhjes dhe shpërndarjes së konteinerëve dhe është terminali më i madh për transportin e mallrave në Duisburg. Bernd Putens ka punuar si kryemenaxher në DIT për 15 vjet dhe është dëshmitar e pjesëmarrës në zhvillimin e trenit të rregullt Kinë-Europë gjatë 10 vjetëve të kaluar.
“Fillimi nuk ishte i lehtë për të gjithë, siç thotë edhe shprehja kineze ‘Gjithçka fillon me vështirësi’. Ne kishim nevojë për njëfarë kohe për t’u përshtatur me njëri-tjetrin. Në kohën e fillimit të udhëtimit të parë, nuk e njihnim njëri-tjetrin dhe nuk e dinim çfarë do të ndodhte. Por tani i njohim shumë mirë partnerët e bashkëpunimit dhe operatorët në këtë linjë. Kështu që hedhja e shikimit te 10 vjetët e funksionimit të trenit të rregullt Kinë-Europë është edhe një rishikim i zhvillimit të miqësisë sonë gjatë dhjetë vjetëve,” thotë Bernd Putens.
Ai u shpreh që në këta dhjetë vjet, treni i rregullt Kinë-Europë ka pasur zhvillime befasuese, qoftë për numrin e udhëtimeve, qoftë për llojet e mallrave. Ndërkohë, teknologjia e lartë, digjitalizimi dhe smartizimi kanë sjellë lehtësira jashtëzakonisht të mëdha, duke shtuar shpejtësinë, efektivitetin dhe vazhdueshmërinë e trenit të rregullt Kinë-Europë.
Bernd Putens kujton: “Në fillim fare kishte vetëm një udhëtim në javë, ndërsa tani kemi 40 udhëtime javore. Në fillim, kishte vetëm shërbim të posaçëm për ndonjë porositës, mirëpo tani numri i klientëve dhe mallrave është rritur në mënyrë të dukshme. Llojet e mallrave kanë ndryshuar. Janë kryesisht mallra konsumi, por përfshihen shumë produkte cilësore, si kompjutera dhe veshje të modës. Tani ka shumë mallra të ndryshme. Shumë njerëz mendojnë që epidemia e COVID-19 e ka goditur transportin hekurudhor, por në fakt, treni i rregullt Kinë-Europë ka treguar që, në kohë të veçanta, mund të realizohet rritja e fuqishme efektive dhe se si të kalohen vështirësitë brenda një kohe të shkurtër.”
Bernd Putens u shpreh që, në të ardhmen, do të thellohet më tej bashkëpunimi me partnerët kinezë lidhur me teknologjinë e internetit, për të shtuar shpejtësinë, saktësinë, sigurinë dhe besueshmërinë e trenave në territorin europian. Ai thotë që treni i rregullt Kinë-Europë është bërë një dritare e rëndësishme për njohjen me Kinën dhe i vjen keq që për 10- vjetorin, nuk ka mundësi të festojë pranë e pranë me miqtë e vet në Chongqing.
“Kam mësuar shumë. Me trenin e rregullt Kinë-Europë, kam pasur fatin të njihem me një kulturë krejtësisht të re. Natyrisht që për të lehtësuar komunikimin, duhet ta njoh këtë kulturë. Gjatë bashkëpunimit mes dy kulturave të ndryshme, të dyja palët kanë gjetur pika të përbashkëta. Tani bëjmë shkëmbime dhe bashkëpunim si fqinj të mirë. Megjithëse këtë herë nuk mund të festojmë për ‘Yu-Xinjiang-Europë’, pasi nuk mund të shkoj në Chongqing dhe miqtë kinezë nuk mund të vijnë këtu, besoj që më vonë do të festojmë bashkë. Gëzuar ditëlindjen!,” u shpreh Bernd Putens. (Jiang Lei)