月亮---[yuè liàng]---Hënë
Kina ka përfunduar studimet e zbatueshmërisë për fazën e katërt të programit të saj të hulumtimit hënor dhe pritet të ndërtojë një stacion ndërkombëtar hulumtimi hënor në Polin Jugor të Hënës në të ardhmen, bëri të ditur kryeprojektuesi i programit të hulumtimit hënor të Kinës Wu Weiren.
Në një intervistë për "China Space News", Wu tha se janë planifikuar tre misione për fazën e katërt të programit të hulumtimit hënor. Programi përfshin rikthimin e mostrave hënore nga Poli i Jugut nga "Chang'e-6", një studim të hollësishëm të burimeve të Polit Jugor të Hënës nga "Chang'e-7" dhe testimin e teknologjive kryesore në përgatitje për ndërtimin e stacionit të hulumtimit hënor nga "Chang'e-8".
Lëshimi i raketës "Marshimi i Madh-5" më 24 nëntor 2020/ VCG
Wu shpjegoi se mund të ketë një ditë dhe një natë polare në Polin Jugor të Hënës, si në polet veriore dhe jugore të Tokës. Periudha e rrotullimit të Hënës rreth boshtit të vet është e barabartë me periudhën e rrotullimit të saj rreth Tokës, 28 ditë. Prandaj, mund të ketë më shumë se 180 ditë rresht me dritë në Polin Jugor të satelitit të vetëm natyror të Tokës, gjë që do të ishte shumë e përshtatshme për kërkimet shkencore të astronautëve.
Të martën, Kina dhe Rusia nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të ndërtuar një stacion ndërkombëtar të kërkimit shkencor në Hënë.
Foto nga VCG
Wu tha se brenda kornizës së këtij memorandumi, Kina dhe Rusia do të përdorin përvojën e tyre në shkencën hapësinore, kërkimin e zhvillimin, si edhe pajisjet e teknologjinë e tyre hapësinore. Të dy vendet do të formulojnë së bashku një plan për ndërtimin e një stacioni ndërkombëtar të hulumtimit hënor, duke kryer bashkëpunim të ngushtë në planifikimin, demonstrimin, hartimin, zhvillimin, zbatimin dhe funksionimin e projektit, vuri në dukje Wu.
"Nëse projekti i stacionit të hulumtimit hënor do të zbatohet me sukses, Kina nuk do të jetë shumë larg nga arritja e uljes së mjeteve kozmike me astronaut në Hënë", u shpreh Wu. Ai shtoi se shkencëtarët dhe inxhinierët kinezë po studiojnë se si të realizohet ulja në Hënë.
Foto nga VCG
Sipas kryeprojektuesit, Kina do të shqyrtojë mundësinë e uljes në Polin Jugor të Hënës në të ardhmen, e cila është më komplekse, por kushtet mjedisore janë më të mira. Nëse ulja është e suksesshme, ndërtimi i stacionit të hulumtimit hënor mund të kryhet gradualisht.
Do të jetë një qëndrim afatgjatë e jo afatshkurtër në Hënë nga astronautët kinezë, tha Wu.
Ai vuri në dukje se, për të arritur uljen në Hënë, është e nevojshme të sigurohet që sonda dhe astronautët të ulen në mënyrë të sigurt dhe të saktë.
Në periudhën e Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025), Kina do të vazhdojë të promovojë zhvillimin e mjeteve të rënda të lëshimit dhe të arrijë përparime në madhësitë e trupit të raketave dhe forcën shtytëse të motorit, për të mbështetur eksplorimin e hapësirës së thellë, vërejti Wu. (Vera/Artan)