制度---[zhì dù]---sistem
Kryeekzekutivja e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut Carrie Lam thotë që vendimi i sapomarrë nga organi më i lartë ligjvënës në Kinë për përmirësimin e sistemit zgjedhor në Hong-Kong nuk është kthim prapa për demokracinë në këtë qytet.
Në një konferencë për shtypin pas miratimit të vendimit, Lam theksoi që ky vendim ka ndrequr të metat e sistemit të tanishëm zgjedhor, të cilat u shfrytëzuan nga disa ligjvënës.
Sipas saj, asnjë sistem demokratik nuk duhet të rrezikojë sigurinë kombëtare dhe të gjitha veprimet mbi bazën e sistemit zgjedhor hongkongas që dëmtojnë sigurinë kombëtare duhet të korrigjohen.
“Unë jam e bindur që, pas zbatimit të plotë të parimit ‘Qeverisje e Hong-Kongut nga patriotët’ dhe ndreqjes së mangësive në sistemin e tanishëm zgjedhor, ne mund të zgjidhim problemin e Këshillit Legjislativ, që ka politizuar çdo gjë vitet e fundit, dhe në mënyrë efektive të trajtojmë veprimet e paarsyeshme që kanë trazuar Hong-Kongun,” theksoi Lam.
Vendimi është miratuar nga Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës të enjten pasdite, në mbyllje të sesionit të saj vjetor, i cili u hap më 5 mars.
Lam më parë ka publikuar një deklaratë, ku shpreh mbështetjen e fortë për këtë vendim.
Sipas këtij vendimi, në Hong-Kong duhet të krijohet një komitet për shqyrtimin e kualifikimit të kandidatëve, që do të përgjigjet për shqyrtimin dhe konfirmimin e kualifikimit e kandidatëve për Komisionin Zgjedhor, kryeekzekutivin dhe anëtarët e Këshillit Legjislativ.
Lam sqaroi se komiteti i shqyrtimit të kualifikimit nuk është subjektiv dhe nuk do t'i përzgjedhë kandidatët në mënyrë arbitrare.
Ajo vuri në dukje se sistemi aktual gjithashtu ka një mekanizëm përkatës, por vendimi merret vetëm nga një njeri, Zyrtari i Kthimit.
Kur u pyet nëse do të konkurrojë për rizgjedhje, Lam tha se nuk kishte nevojë dhe nuk do ta thoshte planin e vet tani për tani.
Ajo gjithashtu hodhi poshtë kritikat se përmirësimi i sistemit zgjedhor u shërben vetëm interesave të saj, duke theksuar se ndryshimet do të shqyrtohen nga Këshilli Legjislativ dhe se ajo nuk është personi që ka aftësi për vendimmarrje.
Kryeekzekutivja ritheksoi që përmirësimi i sistemit zgjedhor të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut nuk do të përjashtojë ata me pikëpamje të ndryshme politike, duke përfshirë opozitën, por do të sigurojë që Këshilli Legjislativ të zbatojë parimin “Një vend, dy sisteme”, të garantojë sigurinë kombëtare e të mbështetë zhvillimin dhe lulëzimin e Hong-Kongut, duke pasur përfaqësim të gjerë dhe duke mbajtur parasysh interesat e përgjithshme.
Lam tha se ajo e kuptonte që përmirësimi i sistemit zgjedhor nuk do të thotë që do të zgjidhen plotësisht të gjitha problemet ekzistuese, por të paktën do të sigurojë hapësirë për diskutim, në vend të trajtimit të çështjeve nga një perspektivë panpolitike si në të kaluarën, se "çfarëdo që përfshin pjesën kontinentale kineze nuk do të lejohet".
Ajo përmendi shembullin që në të kaluarën, në trajtimin e çështjeve të tilla si projekti i hekurudhës me shpejtësi të lartë, "disa njerëz e shfrytëzuan rastin për të njollosur qeverinë qendrore kineze, duke e bërë qeverinë hongkongase të humbasë aftësinë e saj për të zgjidhur problemet."
Lam beson se në të ardhmen, efektiviteti qeverisës i autoriteteve hongkongase mund të rritet dhe qeveria e Hong-Kongut dhe Këshilli Legjislativ mund të kenë një bashkëpunim të shëndetshëm për të gjetur së bashku zgjidhje për problemet.
Lam gjithashtu theksoi që synimi përfundimtar për votim universal nuk ka ndryshuar, duke shtuar që AKP-ja mban qëndrim të pandryshuar mbi këtë çështje.
Kryeekzekutivja e Hong-Kongut tha se ishte e vetëdijshme që publiku ka dëshirë për votim universal. Sidoqoftë, ajo beson se janë të nevojshme përpjekje të përbashkëta për të arritur synimet përkatëse, duke shtuar se "kjo gjithashtu varet nga situata aktuale dhe duhet të promovohet në një mënyrë graduale dhe të rregullt".
“Nëse gjendja aktuale në Hong-Kong nuk mund të garantojë sigurinë kombëtare, si mund të flasim për zhvillimin e mëtejshëm? Unë besoj që, nëse do të përmirësojmë sistemin për të mbrojtur sigurinë kombëtare, atëherë Hong-Kongu mund të ketë stabilitet afatgjatë dhe ne mund të vazhdojmë të eksplorojmë mënyrën dhe kohën e realizimit të synimit për votim universal,” tha Lam.
Kryekzekutivja vërejti që ajo është e përgatitur për krijimin e debateve nga politikanët e huaj, po theksoi që përmirësimi i sistemit zgjedhor në Hong-Kong është punë e brendshme e Kinës dhe nuk lejohet asnjë ndërhyrje nga jashtë.
Pas zbatimit të ligjit të sigurisë kombëtare për Hong-Kongun vitin e kaluar, sa herë që qeveria hongkongase arrestonte sipas këtij ligjit disa persona të dyshuar për shkeljen e ligjit, vendet perëndimore i konsideronin këta të arrestuar si "demokratë" dhe ndërhynin duke kërkuar lirimin e tyre.
Ajo tha se nuk e dinte nëse këta zyrtarë të huaj që bënin kërkesa "e dinë se çfarë është sundimi i ligjit", dhe se parashikon që vendet e huaja do të thonë se ndryshimi i sistemit zgjedhor është një hap prapa në demokraci dhe do të ndërhyjnë në çështjet e Hong-Kongut.
Lam kujtoi që vitin e kaluar, ShBA-ja e përfshiu atë, si dhe disa zyrtarë të qeverisë hongkongase dhe të qeverisë qendrore në listën e sanksioneve, çka ka ndikuar edhe në familjet e tyre. Por ajo vuri në dukje se nuk do të frikësohet nga asnjë sanksion, duke thënë që zyrtarët hongkongas janë të gatshëm të përballojnë sfida të tilla me frymën e sakrificës.
Lam u shpreh para mediave që qeveria hongkongase ka një program të ngjeshur për të zbatuar ndryshimet në 12 muajt e ardhshëm, dhe do të zhvillojë tre zgjedhje sipas amendamentit të ri. Ajo e pranoi që “puna është shumë e madhe, por ne jemi të përgatitur për t'iu përgjigjur sfidës”.
Qeveria e Hong-Kongut ka përgjegjësi t'i shpjegojë këtë vendim publikut, që ai t'i kuptojë, mbështetë dhe përqafojë amendamentet, theksoi Lam, duke shtuar që përmirësimi i sistemit zgjedhor nga qeveria qendrore është krejtësisht i ligjshëm dhe konstitucional.
Sipas saj, publiku duhet të jetë në dijeni që nëse nuk ndreqen të metat lidhur me zgjedhjet, kjo do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e parimit “Një vend, dy sisteme”, do të ndikojë në lulëzimin e stabilitetin e Hong-Kongut dhe do të dëmtojë sigurinë, sovranitetin dhe interesat e vendit.
Lam theksoi që qeveria hongkongase më përpara ka zhvilluar simpoziume mbi këtë çështje dhe do të vazhdojë të dëgjojë mendimet e qytetarëve në të ardhmen, me synim që publiku të kuptojë si të funksionon sistemi i ri.(Jiang Lei)