国防---[guó fáng]---Mbrojtje kombëtare
Mbledhje plenare e deputetëve nga ushtria dhe policia e armatosur(Foto nga CGTN)
Ky vit shënon 100-vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste të Kinës, nisjen e zbatimit të Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025) dhe fillimin e strategjisë së zhvillimit prej tre hapash për modernizimin e mbrojtjes kombëtare dhe të forcave të armatosura.
Në përputhje me planin për modernizimin e gjithanshëm, Kina publikoi strategjinë për forcimin e mbrojtjes kombëtare në një libër të bardhë në vitin 2006.
"Tre hapat janë përkatësisht hedhja e një baze të shëndoshë para vitit 2010, arritja e përparimit të madh rreth vitit 2020 dhe realizimi i ndërtimit të një force të armatosur të informatizuar dhe zotërimi i aftësisë së fitores në luftën e informatizuar para mesit të shekullit të 21-të", thuhet në këtë dokument.
Në prag të hedhjes së hapit të tretë, presidenti kinez Xi Jinping ritheksoi të martën arritjen e një fillimi të mbarë në forcimin e mbrojtjes kombëtare gjatë zbatimit të Planit të 14-të Pesëvjeçar.
Presidenti kinez Xi Jinping(Foto nga Xinhua)
Xi, gjithashtu edhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, i tha këto në një mbledhje plenare të deputetëve nga Ushtria Çlirimtare Popullore dhe Policia e Armatosur Popullore, që ndodhen në Pekin për të marrë pjesë në sesionin vjetor të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore (parlamenti kinez).
Kreu i shtetit i bëri thirrje ushtrisë të punojë mbi objektivat e Planit, të përshpejtojë krijimin e një sistemi strategjik me nivel të lartë parandalimi dhe funksionimi të përbashkët, të forcojë ndjenjën e përgjegjësisë e të urgjencës dhe të vërë në jetë para kohe planin vjetor për të pasur rezultate të hershme.
Sipas projektit të Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025) për zhvillim ekonomiko-shoqëror kombëtar dhe Objektivave Afatgjata deri në Vitin 2035, Kina do të nxisë modernizimin e mbrojtjes dhe të ushtrisë, duke bërë përpjekje të integruara për të ndërtuar një vend të lulëzuar me një ushtri të fortë.
Presidenti Xi theksoi gjithashtu në mbledhje kërkesën për shfrytëzimin e plotë të rolit të shkencës e të teknologjisë për të dhënë mbështetje strategjike në forcimin e ushtrisë dhe bërjen e më shumë përpjekjeve për të shtuar mbështetjen te forcat e veta në shkencë e teknologji.
Stërvitje ushtarake(Foto nga Xinhua)
Duke vlerësuar rezultatet e ushtrisë vitin e kaluar, Xi nënvizoi se e gjithë ushtria ka zbatuar si duhet vendimet dhe menaxhimet e Komitetit Qendror të Partisë dhe të Komisionit Qendror Ushtarak në luftën kundër epidemisë së COVID-19, ka forcuar stërvitjen e gatishmërinë luftarake e ka thelluar reformat, duke arritur në thelb objektivat dhe duke kryer detyrat e mbrojtjes kombëtare dhe të ndërtimit ushtarak vitin e kaluar.
Kreu i shtetit kinez theksoi se situata e tanishme e sigurisë në Kinë është e paqëndrueshme dhe e pasigurt. Ai i bëri thirrje gjithë ushtrisë të bashkërendojë punën e ndërtimit ushtarak me gatishmërinë luftarake, të jetë e gatshme të përballojë situatat e ndërlikuara dhe të vështira dhe të mbrojë e palëkundur sovranitetin kombëtar, sigurinë dhe interesat e zhvillimit, për të ofruar garanci të fortë për ndërtimin e gjithanshëm të një vendi socialist modern.
Stërvitje ushtarake(Foto nga Xinhua)
(Zhang Yan/Artan)