种族主义---[zhǒng zú zhǔ yì]---racizëm
Polici amerikan i akuzuar për vrasjen e afroamerikanit George Floyd duke i vendosur gjurin, do të gjykohet këto ditë nga një juri. Megjithëse kjo ngjarje simbol ngjalli një rrymë protestash masive në mbarë ShBA-në, ajo nuk ka sjellë ndonjë ndryshim thelbësor. Sot populli amerikan ndodhet përsëri përpara diskriminimit racial që ekziston kudo, thotë Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një koment.
Dhjetë ditë më parë, më 23 shkurt, Juria e Madhe e ShBA-së shpalli se në çështjen e vdekjes së afroamerikanit Daniel Prude nga një polic që zbatoi ligjin me dhunë, ky polic nuk do të përballet me procedim penal. Ky rezultat do të bëhet tjetër "hajmali" për policinë amerikane në zbatimin e ligjit me dhunë.
Por diskriminimi racial në ShBA nuk është shpërfillur nga bota. Në sesionin e 46-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, që po zhvillohet në Gjenevë, shumë reporterë të posaçëm të OKB-së mbi çështjen e të drejtave të njeriut dhe ekspertë përkatës kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, ku i bëjnë thirrje qeverisë amerikane të marrë masa të gjera reforme, që të ndalojë veprimet e dhunshme të policisë dhe të zgjidhë problemin e racizmit dhe diskriminimit sistematik racial.
Mund të shihet nga të gjithë se në vitin 2020, racizmi, një plagë në shoqërinë amerikane, u bë më i përgjakshëm gjatë epidemisë. Në "Raportin mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në ShBA në vitin 2020", të publikuar nga pala kineze, vihet në dukje se rastet e infektimit nga COVID-19, të shtrimit në spitale dhe të vdekshmërisë së afroamerikanëve janë përkaësisht tre, pesë dhe dy herë më shumë se ato të të bardhëve, ndërsa mundësia e vrasjes së afroamerikanëve nga policia është tre herë më e madhe se ajo e të bardhëve.
Edhe pakicat e tjera etnike në ShBA kanë vuajtur nga dhuna dhe diskriminimi. Gjatë disa muajve të fundit, dhuna kundrejt aziatiko-amerikanëve është intensifikuar gjithnjë e më të shumë. Një aziatiko-amerikan 91-vjeçar u rrëzua përdhe nga dikush me paramendim, një mësues 51-vjeçar me prejardhje kineze pësoi sulm të paasyeshëm në një stacion autobusi... Sipas të dhënave nga Shoqata e Avokatëve Aziatiko-Amerikanë në Nju-Jork, vjet numri i aziatiko-amerikanëve që ranë viktima të krimeve të urrejtjes u shtua 867 % në krahasim me vitin 2019!
Pse racizmi është përkeqësuar gjithnjë e më shumë gjatë mbi 200 vjetëve dhe duket se mbetet një sëmundje e pashërueshme? pyet CGM-ja në komentin e saj.
Duke iu hedhur një vështrim historisë së ShBA-së, diskriminimi racial ose supremacia e të bardhëve nuk u zhdukën me përfundimin e sistemit të skllavërisë. Pavarësisht nga përpjekjet dhe lëvizjet e pandërprera, supremacia e të bardhëve, që duket se është "e gdhendur" në gjenin e amerikanëve, ka qenë pengesa kryesore për arritjen e barazisë etnike në këtë vend.
Ndërkohë, nga pikëpamja e aktualitetit, mosveprimi dhe madje keqveprimi i politikanëve amerikanë kanë ndihmuar përhapjen e racizmit.
Jo vetëm kaq, por ata politikanë që synojnë vetëm marrjen e votave në zgjedhjet, nuk kanë motivim të vërtetë për zgjidhjen e problemit të diskriminimit racial. Për të marrë votat nga pakicat etnike, ata bëjnë premtime boshe, por nuk ndërmarrin veprime reale, komenton CMG-ja. Aktivisti për barazinë raciale në ShBA, Shad Robinson, vuri në dukje se për ndryshimin e diskriminimit racial, ShBA-ja ka nevojë të fillojë të veprojë dhe "t'i shndërrojë fjalët në një çështje të qeverisjes". (Wang Lei)