决心---[jué xīn]---Vendosmëri

Ditët e fundit, presidenti kinez Xi Jinping deklaroi në një fjalim të mbajtur në konferencën kombëtare për vlerësimin e arritjeve të zbutjes së varfërisë se me përpjekjet e përbashkëta të banorëve të kombësive të ndryshme të mbarë vendit, Kina ka arritur fitore të gjithanshme në çrrënjosjen e varfërisë ekstreme. Lidhur me këtë, sociologu i njohur britanik Martin Albrow u shpreh se arsyet kryesore të kësaj fitoreje janë vendosmëria dhe gatishmëria e jashtëzakonshme e Partisë Komuniste të Kinës në pushtet për të ruajtur forcën nxitëse të zhvillimit të vendit.

Prof.Martin Albrow

Prof.Martin Albrow

Profesori Albrow ka bërë disa vizita në Kinë që nga vitet '80 të shekullit të kaluar, duke parë nga afër ndryshimet kolosale në Kinë dhe zellin në punë të popullit kinez.

"Duke i hedhur një vështrim rrugës së ndjekur nga Partia Komuniste e Kinës në 100 vjetët e fundit, sheh se kjo parti e ka udhëhequr vendin në daljen nga prapambetja dhe poshtërimi shekullor dhe në lulëzimin e tanishëm. Gjatë një shekulli, PKK-ja e ka transformuar gjendjen shpirtërore të kombit kinez, me të krijuar një ndjenjë optimizmi e bashkimi në mbarë vendin dhe duke e shndërruar me sukses punën e palodhur të popullit kinez në realizim të objektivave të njëqindevjeçarit të parë", tha z. Albrow.

Për politikën e Reformës dhe Hapjes, sociologu britanik u shpreh se në katër dekadat e kaluara, kjo politikë e ka përfshirë Kinën në procesin e globalizimit në një mënyrë praktike, duke u kthyer edhe në një metodë efektive të daljes së vendit nga varfëria.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

"Reforma dhe Hapja i lejojnë kompanitë e huaja të investojnë në Kinë dhe inkurajojnë tregtinë ndërkombëtare, duke u fokusuar njëkohësisht edhe te zhvillimi i kapitaleve, të drejtave të pronësisë intelektuale dhe kapaciteteve të pavarura të brendshme. Prandaj, kjo nuk është një pjesëmarrje e verbër në globalizim, por që bëhet me kushtin e garantimit të interesave kombëtare dhe të nxitjes së zhvillimit të ekonomisë së vendit", shtoi profesor Albrow.

Sipas tij, përkrahja e bashkëpunimit shumëpalësh është një arsye tjetër e rëndësishme e arritjeve të Kinës.

"Nga ana tjetër, në trajtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Kina ka krijuar marrëdhënie dhe bashkëpunim të mirë me organizata ndërkombëtare që mbrojnë multilateralizmin, si OKB-ja, OBT-ja etj. Kjo, për mendimin tim, është një arsye tjetër kryesore që Kina ka arritur sukseset e tanishme", theksoi ai.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Si autori i librit "Roli i Kinës në një të ardhme të përbashkët të njerëzimit", profesor Albrow vuri në dukje se një Kinë që këmbëngul në bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë dhe që nxit ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit do të luajë një rol më të rëndësishëm në çështjet ndërkombëtare. (Zhang Yan/Artan)